Deputete e Komisionit të Ligjeve kanë votuar unanimisht për të rritur dyfish pagat e vetes dhe qeverisë. I vetmi që votoi kundër ishte deputeti i PD-së Agron Shehaj, i cili e konsideroi një shfaqje populiste këtë nismë.
Pjesa tjetër nuk ka pasur kundërshtime dhe pritet që ky projektligj të kalojë në Parlament me shumicë të cilësuar votash, pa shumë kundërshti.
Ndërsa prej dy muajsh qeveria u zotua se do të rrisë pagat në disa sektorë, përfshi edhe administratën publike, në fund kanë menduar edhe për veten. Si fillim ia rritën kreut të shtetit dhe në bazën e hiararkisë institucionale zbritën edhe më pushtë, me kreun e qeverisë, ministrat dhe më pas deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
Qeveria, nëpërmjet një projektligji të depuzituar në Kuvendin e Shqipërisë kërkoi rritjen e rrogave për deputetët dhe ministrat. Pasi miratuan ngritjen e pagave të administratës, dje Komisioni i Ekonomisë miratoi edhe me votat e opozitës, përveç deputetit Agron Shehaj, projektligjin për rritjen e pagave të administratës dhe institucioneve të pavarura në nivelin nga 20-60%.
Edhe pse drafti i qeverisë parashikonte që paga e Deputetëve dhe Ministrave të mos prekej, Komisioni propozoi që edhe ata të jenë përfitues, në zbatim të plotë të hierarkisë së pagave. Sipas propozimit, paga e deputetëve duhet të dyfishohet nga 156 770 lekë që është aktualisht në 310 250 lekë, ndërsa e Ministrave nga 174 760 lekë në 318 750 lekë bruto.
Ndërsa Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit paga u rritet në thuajse 400 000 lekë bruto nga 228 000 lekë që është sot. Deputeti democrat Agron Shehaj tha se nuk mund të jetë normale që një vartës ta ketë rrogën më të madhe se titullari i institucionit.
“Iu duket normale, që një drejtoreshë në ministri, këshilltarë e ministres, zonjat që ju kanë shoqëruar këtu të kenë një rrogë më të lartë se e juaja apo deputetëve që janë në këtë komision”, tha Agron Shehaj.
Po në të njëjtin sinkron ishte edhe deputeti tjetër democrat Arbi Agalliu. “Aparati shtetëror duhet të ruaj hierarkinë. Nga ana tjetër çdo punë e ndershme duhet të ketë dhe dinjitetin e vetë. DO të duhet të ruajmë hierarkinë nga presidenti, deri tek nënpunësi i fundit i administratës publike”, tha Arbi Agalliu. Ndërsa ministrja e Financave tha se duhet të përfundojë një herë reforma.
“Në fakt po, propozimi nuk parashikon një rritje pagash për anëtarët e kabinetit qeveritar dhe deputetë. Sepse donim të siguroheshim që të gjithë kategoritë e tjera do të përfitonin nga rritja e pagave dhe do sillnim një simë për rishikimin e koeficientit dhe anëtarët e kabinetet dhe deputetë.
Nuk është qëllimi të mos rriten kurrë, por të përfundojë reforma dhe të sjellim një propozim për anëtarët e kabinetit. Nuk është qëllimi të mos rriten kurrë, por të përfundojë reforma dhe të sjellim një propozim për anëtarët e kabinetit”, tha ministrja Delina Ibrahimaj. Drafti do të kalojë në seancë plenare të enjten së bashku me propozimet e komisonit të ekonomisë.
Të martën, u miratua dhe një tjetër pr/ligj, që lidhet me pagat e nënpunësve civilë, ku institucioneve shtetërore dhe këshillave bashkiakë u lind e drejta, pa pritur vendimin e qeverisë të propozojnë rritje të pagës, por jo më shumë se 1% e inflacionit të publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Reagimi i Braçes
Ish zv/kryeministri Erion Braçe tha se duhet ridimensionuar administrata shtetërore. Braçe, në diskutimin në Komisionin Ekonomisë tha se një nismë e tillë është e domosdoshme, për të vendosur hierarkinë por edhe në vlerësim të punës.
“Rrogat janë një vlerësim monetar i punës. Por edhe vlerësim i statusit të vendit të punës. Në momentin që duam të ndërtojmë një hireaki, këtë e kemi caktuar që në vitin 1990. Përmes asaj vijon dhe vjen demokracia, asaj hireakisë. Ka institucione që garantojnë demokracinë në këtë vend.
Po! Ne në këto vitet e fundit kemi vendosur në krye të hierarkisë drejtësinë. Kemi dashur, kemi pasur vullnetin ti japim një dimension më të lartë në hierarki drejtësisë dhe më vjen mirë që do vazhdojmë ta ruajmë këtë. Pasi gjithkush duhet të jetë i barabartë para ligjit dhe drejtësisë dhe kjo duhet të materializohet deri në fund.
Nëse kthehemi tek hierarkia, mjerë ai që e sheh parlamentin si një institucion ku janë mbledhur një grup njerëzish që e kanë mendjen të vjedhin…”, është shprehur Braçe. Sipas tij, ky mentalitet lidhet me atë moment kur në Kuvend kanë hyrë njerëz që s’kanë asnjë lidhje me interesin publik, por interesin e biznesit të tyre apo të tyre personalin.
“Por pa diskutim që ka deputet që u bëjnë nder institucioneve, parlamentit dhe demokracisë. E treta, duhet ridimensionim i administratës publike. Shqetësimi që kam ngritur është ky, efikasiteti administratës publike. Kemi tepër njerëz në administratë publike, po i kemi…
Duhet të ridimensionohet si me funksione, qoftë me burime njerëzore. Shpesh herë është ajo që dimë të gjithë, njerëzit në administratën publike nuk përgjigjen në kohë, me punën që duhet të përballojnë”, tha ai.
Ishte Bëhet
Paga e deputetëve 156 770 lekë 310 250 lekë
Paga e ministrave 174 760 lekë 318 750 lekë
Paga e Kryeministrit 228 000 lekë 393.125 lekë
Paga e Kryetarit të Kuvendit 228 000 lekë 393.125 lekë
Paga e Zv. Kryeministrit 187 610 lekë 318 750 lekë
Paga e Zv. Kryetarit të Kuvendit 187 610 lekë 318 750 lekë