“SPAK, historia ndryshe e Tiranës që ka frikë”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 Nga Lorenc Vangjeli

 

Prokuroria Speciale, SPAK lëshoi urdhër-arresti për ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako dhe disa zyrtarë tëtjerë lokal. Si e konsideroni këtë lëvizje të SPAK, kur Dako cilësohej jo vetëm nga politika si një “personazh i paprekshëm”dhe element kryesor i PS-së në qarkun e Durrësit?

 

Ka një padurim të madh të publikut për të adresuar një nga çështjet më të ndjeshme të tranzicionit. Atë që ka të bëjë me kulturën e pandëshkueshmërisë. Prej vitesh, në një pakt të pashpallur, por të respektuar me fanatizëm, maxhorancat e djathta dhe të majta kishin rënë dakort në distancë, që fituesi i merrte të gjitha pushtetet.

Ndër to, pushteti i tretë, drejtësia, ishte prika shtesë që merrte ai që fitonte zgjedhjet. Po kështu ndodhte edhe me pushtetin e katërt, median, pjesë të rëndësishme të saj dhe një numër mbresëlënës gazetarësh të angazhuar dhe të zëshëm, ishin kurdoherë jo me ngjyrën e partisë, por me fanelën e fituesit.

Tashmë, me shumë vështirësi, më shumë ndrojtje dhe me shumë paqartësi dhe padurim për të ndodhur ndryshe, po ndodh ndryshe. Vitet e largëta tashmë, 2014-2015, atëherë kur Rama e Meta bashkëqeverisnin së bashku, sollën dhe ndryshimin thelbësor: fituesi i jepte të drejtë gjyqësorit të vetërregullohej brenda për brenda sistemit, për t’i siguruar atij pavarësinë relative nga humori i politikës, e cila në thelb, do të ishte dhe klienti i parë dhe rezervati më i madh i peshqve të korrupsionit.

Ky ka qenë një ndryshim monumental, që si gjithë të ngjashmit e tij, ka pasur të gjitha arsyet që të shihej me dyshim dhe skepticizëm, por që gjithsesi ndodhi. Rasti Dako, duke abstraguar nga emri i përveçëm, është shembulli klasik që vërteton se edhe pse pritshmëritë janë shumë të mëdha, gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur.

Ky është gjithashtu shembulli që përgënjeshtron gjithë naivët e trembur dhe gjithë të tremburit që shtiren si naivë, se kryeministri kontrollon sistemin. Me shpirt, ndoshta do të donte ta bënte, por tanimë nuk mundet.

Eshtë vënë në pranga dikush që kryeministri e vlerësonte shumë si bashkëpunëtor dhe që e konsideron mik. Imagjinoni sesa mund të ndodhte kjo me miqtë e dikurshëm të paraardhësit të tij, që nuk e lejonte prokurorinë as të mblidhte provat në vendngjarje apo të arrestonte gardistë e pushkatarë që kishin pushkatuar pa gjyq në bulevard.

Kaq do të mjaftonte për të kuptuar një diferencë që nuk do të linte indiferent askënd. Kaq do të mjaftonte për të kuptuar ndryshimin dhe progresin.

 

Dako është personi i dytë i shpallur “non grata” nga SHBA-të që janë ndëshkuar nga drejtësia e re, (më herët është dënuar ish-kryeprokurori Adriatik Llalla). A është kjo një shenjë që Dako mund ta hëpë rrugën edhe për hetimin e “të sanksionuarve të tjerë nga SHBA”, ku më aktivët në politikë janë Sali Berisha dheTom Doshi?

 

Eshtë e vështirë të gjendet një lidhje mes dizenjimit non grata të zotit Dako dhe arrestit të tij për një akuzë minore, për një detaj krejt periferik të veprimtarisë së tij për 12 vjet në krye të bashkisë së Durrësit.

Po kështu edhe për zotin Doshi, nuk ka ndonjë të dhënë që në dëm të tij të ketë ndonjë hetim të çfarë do lloj natyre. Ndryshon puna me një personazh të kalibrit të Sali Berishës. Eshtë totalisht e paqartë sesi edhe mbas dy vjetësh që bomba amerikane plasi në Tiranë për një serial akuzash, akuza zyrtare në Shqipëri ka heshtur.

Ajo që mund të nisë çështje kryesisht për cilindo qytetar, nisur edhe nga indicje mediatike, nuk e ka bërë një gjë të tillë, kur Departamenti Amerikan i Shtetit lexon atë pretencë fatale për Berishën. “Provat mund t’i vemë në dispozicion të organeve të specializuara me kërkesën e tyre”, ka pohuar muaj e muaj më parë ambasada amerikane, por askush nuk di të thotë nëse ato kanë kërkuar ndihmë juridike nga SHBA për këtë çështje.

Një dosje lokale e hapur për zotin Berisha këtu, do të ishte shumë më e vlefshme edhe për të vetë, shumë më tepër sesa kuturisja komike në gjykatën franceze për të mundur Blinkenin si shpifës.

Lexo edhe :  PD drejt humbjes/ Berisha reagon për herë të parë

Një hetim dhe një proces në Tiranë do të ishte jo vetëm një ushtrim demokracie, por dhe shenjë e seriozitetit të shtetit shqiptar. Drejtësia që mund ta bënte këtë gjë, nuk pati këllqe ta shtyjë përpara dhe me të gjitha gjasat, jo thjesht për paaftësi, por për politikë penale ose më saktë, për të parë penalitetet e mundshme juridike, në dritën e politikës së ditës.

 

Kreu i qeverisë Edi Rama shprehu keqardhje për ndalimin e Dakos, duke e cilësuar si një bashkëpunëtor të afërt të tij, por nuk hodhi akuza ndaj prokurorisë. A e dëmton apo favorizon politikisht kjo situatë kreun e qeverisë?

 

Ka disa emra në maxhorancë që po bien në rrjtën e hetimeve dhe ka po një përpjekje të qartë të Ramës për t’u distancuar nga një situatë e tillë. Rama pati vullentin e dikurshëm politik për ta çliruar drejtësinë nga diktati politik dhe shërbimi më i madh që ai mund t’i bëjë drejtësisë në këto kohë, është që të mos bëjë asgjë.

As të lëvdojë dhe as të mallkojë, as të pranojë dhe as të refuzojë, por vetëm të presë verifikimin e akuzave në gjykatë. Me të gjitha gjasat, Rama ka një listë vetjake me emrat e njerëzve të tij që rrezikojnë të kenë të njëjtin fat.

Dhe po me të gjitha gjasat, ai do të veprojë përpara se SPAK-u t’u trokasë në derë: t’i largojë nga postet që mbajnë.

 

Drejtësia e re, vëçanërisht SPAK është kritikuar gjerësisht se është “apatik” në hetimin e zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të lartë. Arrestimi i Dakos tregon që institucioni i prokurorisë specialepo vepron “i pavaruar” dhe i bazuar mbi prova hetimore dhe ipandikuar nga politika këtu, apo është nën ndikimin dhe shtytjene vazhdueshme të SHBA-ve?

 

Gjithmonë e më shumë aktorët dhe faktorët elektoralë kanë pak ndikim në vendimmarrjen e SPAK-ut. Drejtësia është tashmë një shoqëri aksionere, ku ata janë një minorancë tronditëse përballë aksionerëve më të mëdhenj të saj që janë kryesisht amerikanët.

Nëse nuk ka prova direkte që ata janë të përfshirë me vullnetin e tyre në çështje konkrete dhe me emra konkretë, një gjë është e qartë: ata janë shpallur si mburoja e sistemit përballë humorit të ndryshueshëm të politikës.

Pavarësia e sistemit është kushti i parë dhe i domosdoshëm në procesin e mundimshëm për të thyer mallkimin e kulturës së pandëshkueshmërisë. Nga ana tjetër është e vështirë që një vend që nuk ka njohur kurrë drejtësinë në kuptimin perëndimor të kësaj fjale, të zgjohej të nesërmen e refomës me një grup Solomonësh të urtë, profesionistë dhe të pakorruptuar që do të jepinin drejtësinë hyjnore.

Shqipëria nuk ka pasur drejtësi as në kohën kur gjykonin kadinjtë osmanë dhe as gjykatësit e Zogut, as kur gjykonin persekutorët e Hoxhës dhe as kur drejtësia fliste plepisht dhe ishte shndërruar në një koorporatë biznesi.

Tani duket se ka ardhur koha që litari do të zëvendësojë kravatat e njerëzve të politikës, zullumi i të cilës është trashur mjaftueshëm për të nisur të këputet. Kjo do të jetë një verë e nxehtë dhe një verë që do t’u çojë rrobave të banjove të shqiptarëve në bregdet lajme përvëluese. Eshtë një verë që do të jetë nën shenjën e SPAK-ut.

Të tjerë emra të rëndësishëm të Tiranës, majtas dhe djathtas, ndoshta që nga ata që të oborrit familjar të Berishës e ndoshta edhe pjestarë të rrethit të afërt të Ramës, do ta shohin veten në kronikat e lajmeve.

Me bastin e madh për të provuar se janë të pafajshëm përballë drejtësisë që po imponohet në Shqipëri si një pushtet real. Për të qenë pjesë e mekanizmit të balancës dhe të kontrollit, pa të cilën, demokracia nuk qëndron dot në këmbë.

Edhe pse në mënyrë të ndrojtur, edhe pse larg padurimit proverbial të shoqërisë shqiptare që e do gjithçka ta marrë dje dhe të mos presë të nesërmen, një gjë është e sigurt: historia e përditshme e Tiranës së të pandëshkurve tradicionalë, por që tani kanë frikë, shumë frikë për të nesërmen, po shkruhet ndryshe.

Të fundit

A do të jetë Gonxhja kandidati i PS për të drejtuar Bashkinë e Tiranës?

Blendi Gonxhja, kandidati më i votuar i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 11 majit, u...

Berishës do t’i dalin miliona euro të padeklaruara, do fundoset edhe Flamur Noka…

Juristi Romeo Kara shprehet se një tjetër skandal do të përfshijë ish-kryeministrin Sali Berisha, deputetin Flamur Noka dhe vetë Partinë Demokratike lidhur me miliona...

Dhëndri i Trump: Rama, politikan i zoti! E ka bërë Shqipërinë një vend të sigurt!

Pas mbështetjes që mori në Samit nga liderët e europës për mandatin e katërt, një mesazh i fortë vjen edhe nga SHBA. Dhëndri i...

Shehaj reagon pas fitores së 2 mandateve/ Partia Mundësia është opozita e shekullit 21

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas suksesit të forcës së tij politike në zgjedhjet e 11 majit, ku Partia Mundësia arriti të sigurojë...

8 mënyra (të provuara) për të patur më shumë fat!

Ndonjëherë duket sikur disa njerëz janë gjithmonë të bekuar me fat. Por a varet vërtet nga rastësia, apo edhe ne luajmë një rol në...

Lajme të tjera

Web TV