Çiftet shqiptare birësojnë më shumë por të huajt kërkojnë fëmijë me probleme shëndetësore

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në Shqipëri, në vitet 2013-2023 numri i birësimeve ka ardhur në ulje dhe po ashtu dhe kërkesat. Në një prononcim për Gazetasi.al, punonjësja sociale në Komitetin Shqiptar të Birësimeve Ina Musaj thotë se referuar të dhënave në dhjetëvjeçarin e fundit, shihet se bumi i kërkesave është regjistruar në vitet 2013, 2015 dhe 2018, ndërsa në vitet e tjera trendi ka qenë i qëndrueshëm.

Sipas saj, përfshirë dhe vitin e pandemisë ku puna vijoi pa u ndalur me plotësimin e dosjeve për birësim dhe realizimin e 35 kërkesave, aktualisht janë 29 fëmijë jetimë të moshave të ndryshme që vijojnë të mbeten në listë-pritje prej shumë vitesh, pa mundur të gjejnë një familje birësuese.

“Në listë kanë mbetur 29 fëmijë, 10 prej të cilëve janë të shëndetshëm dhe 19 janë me problem të theksuara shëndetësore.

Për këta fëmijë nuk ka akoma një familje birësuese. Dua të theksoj se kemi shumë kërkesa nga çiftet shqiptare, por për këta fëmijë ndoshta pengesë është mosha. Kërkesat më të shumta janë për fëmijë deri në 1 vjeç ose të rritur mbi 15-vjeç, siç është Italia që ka kërkesa sidomos për fëmijët romë”, thotë Musaj.

Sipas të dhënave të Komitetit Shqiptar të Birësimeve, në vitet e fundit vërehet rënie e numrit të fëmijëve të braktisur në maternitet.

Duket se kjo statistikë lidhet direkt me abortet e shtatzënive të padëshiruara, ku të dhënat tregojnë rritje të tyre sidomos gjatë periudhës së pandemisë.

Punonjësja sociale Ina Musaj, thotë se ndër kërkesat për fëmijë, bien në sy ato të çifteve të huaja të moshës 60-vjeç që kërkojnë të adoptojnë fëmijë.

“Ligji për birësimet ka një ngërç që nuk ka një limit për moshën. Por kriteri ynë është që fëmija dhe prindi që do ta birësojë, të kenë diferencë 18 vjet.

Por nëse plotësohen kushtet e tjera edhe moshës 60 -vjeç i është dhënë “OK” për birësim”, thotë punonjësja sociale në Komitetin Shqiptar të Birësimeve.

Sipas saj, fëmijët që përcaktohen për birësim, janë fëmijë të braktisur nga të dy prindërit dhe që janë lënë në institucionet publike të përkujdesjes.

Por mes fëmijëve ka dhe jetimë socialë, që me dëshirën e prindit janë dërguar në institucionet e përkujdesjes, për shkak të gjendjes së varfër në familje. Të dhënat e dosjeve për birësim tregojnë një rritje të kërkesave brenda vendit, të çifteve në raport me kërkesat jashtë vendit.

Sipas Komitetit Shqiptar të Birësimit, vendin e parë për kërkesa për birësim në Shqipëri e mban Lezha, e më pas Tirana dhe Durrësi, aty ku dhe numri i fëmijëve të braktisur nga prindërit biologjikë që jetojnë në institucionet e përkujdesjes është edhe më i lartë.

Lexo edhe :  Ministrja Manastirliu uron mësuesit: Mirënjohje për përkushtimin ndaj fëmijëve tanë!

“Mentaliteti i çifteve ka ndryshuar shumë. Zakonisht vijnë çifte që i kanë provuar të gjitha format e ngjizjes në rrugë natyrale dhe artificiale.

Midis tyre ka dhe mosha të mëdha, por e rëndësishme është që dosja që paraqesin të vlerësohet nga komisioni i vlerësimit, ku theksi vihet së pari tek të ardhurat, puna e siguruar me një pagë të mirë mujore, pra baza ekonomike por edhe marrëdhëniet mes çiftit”, thotë Musaj.

Kurse vende të tjera operojnë përmes agjencive të birësimit, ku vetëm në SHBA dhe Itali funksionojnë nga 3 të tilla që hyjnë në marrëveshje me Komitetin shqiptar të Birësimit.

Numri i kërkesave për birësim dhe realizimit të tyre nga çiftet e huaja mbetet relativisht më i ulët se kërkesat nga çiftet shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Por ajo çka vlerësohet është specifika e birësimeve nga çiftet e huaja.

Punonjësja sociale e Komitetit shqiptar të Birësimit, thotë se shtetet e mëdha si SHBA-të dhe Franca adoptojnë fëmijë me probleme të rënda shëndetësore.

“Nga SHBA na vijnë kërkesa për fëmijë shqiptarë me aftësi të kufizuar, shkalla më e lartë e paaftësisë, fëmijë me sindromën down, autikë.

Ndërsa në Francë kërkohen fëmijë me HIV. 3 vjet më parë u birësuan në Francë 2 fëmijë që kishin lindur me HIV, pra e kishin trashëguar virusin nga nëna, kurse Italia kërkon të birësojë fëmijë të komunitetit rom në moshë të madhe.

Ndërsa Kanadaja kërkon fëmijë rom pa probleme shëndetësore”, thotë punonjësja e Komitetit shqiptar të Birësimit, Ina Musaj.

Musaj tregon se rasti më i fundit, ishte në dhjetor 2022, një vajzë rome 15-16-vjeç e cila u birësua nga një familje italiane, megjithëse kishte motra e vëllezër.

“Ky është rasti i një fëmije jetim social që familja e ka lënë prej vitesh në institucion, por kontaktet ndër vite me familjen e kanë vonuar birësimin, por vajza këtë vit firmosi me dëshirë të birësohet jashtë shtetit”, vijon ajo.

2013- 90 kërkesa për birësim, 47 të realizuara

2014- 48 kërkesa, 67 të realizuara

2015- 69 kërkesa, 54 të realizuara

2018- 48 kërkesa, 38 të realizuara

2019- 26 kërkesa, 26 të realizuara

2020- 40 kërkesa, 26 të realizuara

2021- 40 kërkesa, 19 të realizuara

2022- 46 kërkesa, 35 të realizuara/ Gazeta Si

Të fundit

A do të ishte bota më paqësore nëse më shumë gra do të drejtonin

Gazetarja e Sky News, Victoria Seabrook i ka kushtuar një artikull Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Nëse bota ka ndjerë më...

Ishte më i votuari në Primare, Nallbati: S’e bëj dot servilin me Berishën

Deputeti i Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati, ka folur mbi raportin e tij me kreun e PD-së, Sali Berisha, gjatë një interviste në emisionin “Kjo...

Para ose pas zgjedhjeve, në fund prapë do shkojmë për Pazar!

Nga Ben Andoni Nuk ka vit më strapacues për shqiptarët e zakonshëm sesa kur mbahen zgjedhjet e përgjithshme, ashtu si njësoj pothuaj ngjet edhe me...

Jozi bën deklaratën e fortë, Loredana ia kthen: Do thosha burrë por ti…

Që prej ditës që Jozi është rikthyer në shtëpinë e Big Brother VIP me anë të zgjedhjes së Gjestit nga zarfi i valixhes së...

Prej katër javësh në spital, Papa Françesku në gjendje të qëndrueshme

Papa Françesku është nën kujdesin e mjekëve dhe po pushon sipas Vatikanit. Gjendja e tij është e qëndrueshme dhe ndodhet i shtruar në spitalin...

Lajme të tjera

Web TV