Nga Frrok Çupi
Në Kosovë situata duket mjaft e rëndë me veriun e Mitrovicës të tensionuar ku një ditë pas arrestimit të një eksponenti kriminal të serbëve lokal që morën pjesë edhe në dhunën ndaj KFOR, vjen “rrëmbimi” i tre efektivëve të policisë kosovare nga forcat serbe. Kjo gjendje duket kritike kur vetë KFOR apo faktori ndërkombëtar për këtë incident janë shumë të tërhequr. A e konsideroni veriun e Kosovës ende vatër të nxehtë që tenton të ndezë “zjarre” edhe më të mëdha?
Veriu i Kosovës, sot e tutje, hyn në një cikël rreziqesh ku mund të mos u duket fundi. Nuk duhej hapur ky kapitull. Qeveria Kurti do të jetë përjetësisht e mallkuar që ia dha këtë shkelm autoritetit, vlerës dhe jetës së shqiptarëve kudo ku janë. Përderisa flisni për Veriun e Kosovës, me shkak nga arrestimi i 3 policëve, këtu po shikoj fatin e zi të një ‘Palestine’ ballkanike. 3 policët, sigurisht, do të kthehen në shtëpitë e tyre, por nuk ka shumë vlerë. Në radhë të parë Kurti lejoji që të poshtërohen policët dhe Policia e shtetit të Kosovës. Së dyti është se lëngata në kufi do të vazhdojë për kohë të gjatë, sa lufta në Palestine: Cili kaloi kufirin, sa metra ishte brenda territorit, të kujt janë prangat, e kujt është këpuca, kush fërshëlleu në pyll, gjenden ca thërrime buke e të cilit janë… Në Palestinë kështu shkon që prej vitit 1967. Pse nuk reagoi KFOR-i ose aleatët perëndimorë?- është pyetja. Kosova nuk i ka më aleatët që kishte, i humbi. Aleatët iu përgjëruan Kurtit që të mos e lëshone Kosovën në këtë pikë, por ai nuk dëgjoi. Si mund të reagojë NATO kur KFOR i kishte thënë ‘mos vepro pa marrëveshje me ne’. Kosova nuk është më ajo që ishte para të premtes së konfliktit në Veri.
Politikisht qeveria e Kosovës, veçanërisht kryeministri Albin Kurti, është në një pikë mjaft kritike ku faktori ndërkombëtar i kërkoi tërheqje të menjëhershme të policisë nga komunat me shumicë serbe, mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në këto zona dhe krijimin e asosacionit. Kurti nuk realizoi asnjë prej pikave dhe sot jemi një hap larg pragut të vendosjes së sanksioneve ndaj Kosovës nga SHBA dhe BE. Përse nuk po tërhiqet Kurti?
Pikërisht këtë përgjigje po kërkon bota demokratike, aleatët perëndimorë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. “Pse nuk po tërhiqet Kurti?”. Sa herë i kanë kërkuar të tërhiqet, jo për hir të tij, por për hir të Kosovës. Është njësoj si me një njeri që e shikon të shkojë drejt greminës, shkon verbazi, dhe të mos dëgjojë. Por, padyshim, Kurti nuk po ecën ‘verbazi’. Ai e di ku shkon. Çdo lider politik në këtë botë aktuale të trazuar dhe të hallakatur në interesa, në anësi aleatësh dhe në besimin fetar…, çdo lider prej këtyre e di ku po shkon. Kurti është i vendosur të mos shkojë drejt Brukselit as drejt Uashingtonit. Madje Kurti nuk e ka hallin, po nuk e ka fare hallin e Kosovës. Ai po shërben një aventurë drejt në të Treti. Mund të jetë Irani, mund të jetë Serbia dhe Rusia, mund të jetë edhe Shteti Islamik. Këtë do ta shikojmë, sigurisht. Por po del shumë e qartë pse u krijuan dy polet Antiamerikane në të njëjtën periudhë: Poli i Shqipërisë dhe poli i Kosovës. Por ndërsa poli i Shqipërisë ka në krye një ‘të vdekur’, Kurti ka fuqi pushteti që të shkojë drejt një dëmi të madh.
Edhe pse “sulmet” janë drejtuar thuajse të gjitha ndaj Kurtit, a është normale që kjo të ndodhë vetëm ndaj Kosovës dhe për palën serbe nuk ka masa, aq më tepër që ndaj saj nuk flitet as për sanksione? Kujtojmë që esktremistët serbë lokalë të veriut por edhe të tjerë të ardhur nga Beogradi ushtruan dhunë të rëndë edhe ndaj forcave të KFOR.
Të dy anët kanë fajet e tyre, Vucic dhe Kurti. Por Perëndimi po deklaron se pesha e fajit rëndon më shumë në Kosovë. Por kjo ka pak rëndësi. Beogradi është Serbi dhe dihet lidhja natyrore e saj me Rusinë. Për politikën Euroatlantike është shumë e vlerë që Serbinë ta mbajë këndej nga Perëndimi. Ndërsa për Kosovës as që vihej në dyshim ky orientim. Papritur del që Kurti i thotë Amerikës dhe Europës “Nuk ju pyes”. Kosova është një shtet, më i riu në botë, i krijuar nga Amerika dhe Europa. Nuk ishte e lehtë, ju e dini, në shekullin 21 bombardohet një kryeqytet në Europë. Kurti i krijoji Euroatlantizmit një grusht baltë në fytyrë. Perëndimi është neutralizuar para botës tjetër, dhe është neutralizuar pikërisht nga Kosova që e krijoi. Kurti nuk mund të imponojë para Amerikës dhe Europës politikat strategjike, Perëndimi ka interesat e veta edhe në shtete të tjerë që nuk quhen ‘Kosovë’. Por tani Kosova nuk është më ajo që ishte. Edhe sikur të ikë Kurti, gjë që nuk ndodh, Kosova do të shikohet me dyshim.
Jemi edhe para një situate tjetër ku mes Kurtit dhe Ramës ka një përplasje të dukshme. Rama anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dhe akuzoi Kurtin se me qëndrimet e deritanishme “po e djeg Kosovën”. Çfarë mendoni se mund të ndodhë. A mund të themi se Kurti i ka “ditët e numëruara” në krye të qeverisë teksa ka sfiduar miqtë e Kosovës, kryesisht SHBA-në?
E kam dëgjuar këtë ‘habitje’ se pse Rama anuloi mbledhjen e dy qeverive në Gjakovë. Nuk mund të bëhej asgjë tjetër, veç anulimit. Duke e anuluar atë mbledhje, Rama- realisht mbajti anën e interesave të Kosovës e Shqipërisë dhe i dha nder kombit. Pa mendoni sikur të bëhej mbledhja? Do të ishte një maskarrallëk i qëllimshëm ku dihej se nuk do të bëhej asgjë serioze, por do të shtireshin dy qeveri para dy popujve të tyre. Do të ishte një politikë alias kineze e viteve të diktaturës kur zyrtarët buzëqeshnin edhe para arkivolit. Do të ishte një karshillëk i Shqipërisë kundër Amerikës dhe Europës, dhe një aleancë me Kurtin që po izolohej nga Perëndimi. Kush e ka këtë leje të kombit që ta çojë kombin në greminë për shkak se dikush tjetër (në këtë rast Kurti) ka vendosur të shkojë në greminë? Fokusi kryesor i kombit në këto momente është mbi Albin Kurtin, i cili ka marrë fuqinë e pushtetit dhe po tentonte zhbëjë Kosovën e ndërtuar nga fuqitë euroatlantike. Edi Rama e ka thënë qartë dhe sinqerisht se u përket aleancave euroatlantike dhe në këtë aleancë do të qëndrojë Shqipëria pa mëdyshje.