Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar ndërhyrjen e policisë në kampin e Muxhahedinëve në Manzë të Durrësit si brutal dhe në shkelje të të drejtave të njeriut.
Ai kërkoi dorëheqjen e ministrit Blendi Çuçi dhe mbajti një minutë heshtje për anëtarin e MEK, i cili mbeti viktimë pas ndërhyrjes policore. PS: “Kuvendi nuk mund të ndërhyjë në çështjet e drejtësisë”.
Kreu i PD-së së Rithemelimit, Sali Berisha, ka kërkuar që Parlamenti të mbajë një minutë heshtje për atë që e quajti “martir të lirisë”, 76-vjeçarin iranian të vendosur në kampin e MEK në Manzë të Durrësit. Tre ditë pasi policia mësyu në kampin e Muxhadinëve, të njohur si “opozita iraniane”, mbajti qëndrim të fortë edhe kreu I opozitës Berisha.
Edhe pse policia po zbatonte një vendim gjykate, pasi anëtarët e MEK dyshohet se kryenin sulme kibernetike dhe zhvillonin aktivitetet politike kundër Iranit, për Berishën janë akuza të sajuara.
“Jam këtu për të deklaruar sot se në këtë moment ndjehem më shumë se kurrë, njëri prej tyre, ndjehem një muxhahedin, luftëtar i lirisë. U shpreh atyre ndjenjat e mia më të sinqerta të mbështetjes dhe simpatisë. Ndjehem sot muxhahedin, sepse qeveria amorale e këtij vendi vrau në bukë të vet, në strehë të vet, një luftëtar lirie. Ndjehem sot muxhahedin më shumë se kurrë, sepse aktakuza e djeshme që lexuat, është historia më e turpshme për një vend. Ajo ishte e shkruar në Teheran”, tha Berisha.
Deklaratat e Berishës u kundërshtuan nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili bëri thirrje që ajo që ndodhi në kampin MEK, të mos përdoret për qëllime politike.
Kjo perplasje politike mes pozitës dhe opozitës vjen pas ndërhyrjes së policisë që zbatuan një urdhër të prokurorisë dhe gjykatës speciale. Anëtarët e MEK, të ardhur në vendin tonë për arsye humanitare në vitet 2012 dhe 2014 dhe mbajnë statusin e azilantit politik dyshohet se në periudha të ndryshme kohore kanë symuar kibernetikisht shtetin e Iranit, çka ka sjellë kundërpërgjigjen e tyre duke hakeruar dhe publikaur më pas të dhëna të ndjeshme nga faqet tona zyrtare që vendosën në rrezik sigurinë tonë kombëtare.
Edhe pse Muxhahedinët e MEK kishin nënshkruar marrëveshjen se nuk do të merreshin me aktivitetet të paligjshme, dyshohet se e kanë shkelur në shumë raste, aq sa prokuroria thekson se qeveria e Iranit kishte kërcënuar se do të hakmerrej duke sumuar me dron të armatosur kampin e Muxhahedinëve, pasi vërtetuan se sulmet vinin pikërisht nga ai territor.
Policia ndërhyri për të sekuestruar komjutera, servera dhe mjetëte të tjera logjistike por hasi në rezistencën e anëtarëve të MEK dhe u detyrua të përdorë edhe gaz lotsjellës dhe sprai. Muxahedinët pretendojnë se një anëtar i tyre mbeti i vdekur nga sulmi me mjete të forta të policisë dhe gazi, megjithatë dyshimet janë se ai humbi jetën nga një atak kardiak.