“E majta po shkon drejt pushtetit në të gjithë Evropën”- thuhej në një nga titujt e gazetës britanike “The Independent” në shtator 2021. Ajo i bënte jehonë analizës së ish-deputetit të Partisë Laburiste, Denis Mekshein.
Ky i fundit thoshte ndër të tjera se zgjedhja e Xho Bajdenit si president i SHBA-së e kishte rigjallëruar elektoratin e majtë, ndërsa popullata në përgjithësi po votonte për partitë që po merreshin më shumë me sfidën e ndryshimeve klimatike.
Tetëmbëdhjetë muaj më vonë duket që e majta është në tërheqje të fortë në mbarë politikën evropiane. Goditja e fundit që mori ajo ishte në zgjedhjet parlamentare greke të së dielës që shkoi. Kryeministri i qendrës së djathtë, Kiriakos Micotaqis jo vetëm u rizgjodh në detyrë me mbi 40 për qind të votave, por Spartanët, një parti e sapoformuar arritën të marrin 12 vende në parlament.
Këta të fundit kanë lidhje me partinë neo-naziste Agimi i Artë, e cila u nxor jashtë ligjit disa vite më parë dhe disa nga themeluesit e saj u burgosën për krime që variojnë nga sulmet fizike tek vrasjet. Parlamenti grek nuk ka pasur aq shumë përfaqësim të krahut të djathtë që kur u rivendos demokracia në vend në vitin 1974.
Kanë kaluar vetëm 8 vjet që kur partia e majtë, Syriza, u ngjit në pushtet në Greqi me në krye liderin e saj, Aleksis Cipras, që deklaroi se “shpresa nis sot”. Syriza mburrej se kishte 149 deputetë në vitin 2015. Tani ajo ka vetëm 48 deputetë.
Shkërmoqja elektorale e Syrizës është një shembull tipik se si vitet e fundit ka rënë ndjeshëm ndikimi i së majtës në Evropë. Nga 27 qeveritë në BE-së, vetëm 6 prej tyre anojnë majtas: Spanja, Portugalia, Sllovenia, Malta, Danimarka dhe Gjermania. Në Danimarkë socialdemokratët janë në pushtet pjesërisht sepse mbrojnë një politikë ndaj emigracionit, të cilën kritikët e saj e përshkruajnë si “ultra të djathtë”.
Por edhe këto 6 vende mund të reduktohen në 5 muajin e ardhshëm, kur spanjollët të shkojnë në zgjedhje, pasi kryeministri socialist Pedro Sançez thirri mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare kur partia e tij u mposht muajin e kaluar në zgjedhjet lokale.
Ndërkohë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD) e së djathtës ekstreme nuk ka qenë kurrë kaq popullore, dhe të dielën e kaluar ajo arriti fitoren e saj të parë në zgjedhjet lokale në Soneberg. Analistja gjermane Katja Hojer ia atribuoi ringjalljen e AfD-së “mungesës së besimit në spektrin tradicional politik, por edhe aftësinë, madje edhe vullnetit të saj për të zgjidhur çështjet e mëdha të ditës”.
Asnjë problem nuk është më i madh – dhe ka qenë vazhdimisht gjatë dekadës së fundit -sesa emigrimi masiv dhe i pakontrolluar. Gjatë fushatës zgjedhore në Greqi, Micotaqis tallte vazhdimisht të majtën për “logjikën e saj të kufijve të hapur”, duke u zotuar se do të bëjë gjithçka që mundet për t’i dhënë fund “pushtimit të organizuar të emigrantëve të paligjshëm në Greqi, pra një territor evropian”.
Shumica dërrmuese e evropianëve nuk duan të ndalet i gjithë migracioni. Sepse ata i njohin përfitimet prej tij. Por vetëm duan që ai të kontrollohet. Vetëm gjatë fundjavës që kaloi, 1.500 emigrantë të rinj zbarkuan në ishullin mesdhetar të Lampeduzës, duke e çuar në mbi 61.000 numrin total të atyre që kanë mbërritur në territorin italian në 6 muajt e parë të këtij viti.
Ky numër ishte 25.795 në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Evropianët, qofshin italianë, gjermanë apo grekë, duan të dinë se njerëzit që hyjnë në vendin e tyre janë ata që thonë se janë, dhe nuk kanë ndonjë qëllim të keq. Këto shqetësime janë injoruar vazhdimisht nga Brukseli, por edhe nga shumica e krerëve të shteteve evropiane.
Në janar shkrova një artikull me titullin “Udhëheqësit e Evropës po dështojnë në detyrën e tyre për t’i mbajtur njerëzit të sigurt”. Ai u nxit nga një valë sulmesh brutale në Francë, Spanjë dhe Gjermani. Burra dhe gra të goditur pa asnjë arsye nga një algjerian, maroken dhe një palestinez.
Azilkërkuesi palestinez, i cili është në pritje të gjyqit për vrasjen e 2 shtetasve gjermanë në një tren, ka një histori të gjatë dhune ekstreme. Ai duhet të ishte dëbuar pas një dënimi të mëparshëm për akte dhune, por paaftësia e gjyqësorit e lejoi të qëndronte në liri.
Një nga viktimat e tij të supozuara ishte një vajzë 17-vjeçare, Ana-Maria, e cila, ashtu si Grejs Kumar dhe Barnabi Ueber, dy studentët e vrarë në Notingem të Anglisë në fillim të këtij muaji, ishte në prag të një të ardhmeje të ndritshme dhe emocionuese.
Babai i saj e rriti vajzën e tij me vizionin që të ishte e hapur dhe tolerante, dhe një ndër miqtë e saj më të mirë ishte një refugjat sirian. Por siç tha ai për revistën “Der Spiegel” pas vdekjes së saj: “Në vendin tonë diçka është thelbësisht e gabuar”.
Si mund të lejohej një njeri kaq i rrezikshëm të qëndronte në Gjermani dhe në liri, pyeti ai? Ai fajësoi për këtë rast Ministrin e Brendshëm dhe kërkoi një hetim të thelluar: “Duhet të ketë një rivlerësim të qasjes. Vajza ime nuk është vetëm një rast i izoluar”.
Pasi 4 fëmijë të vegjël u goditën me thikë teksa ndodheshin në karrocat e tyre në një shesh lojërash në qytezën Anesi këtë muaj, politikani francez i krahut të djathtë, Erik Zemur, e përshkroi sulmin si “frankocid”. Ky term shkaktoi reagimin e ashpër të Filipo Grandit, Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, që e cilësoi atë një “gjuhë urrejtjeje, të cilën unë shpresoj se nuk do ta përdorë askush tjetër”.
Sa i përket vetë aktit mizor, që dyshohet se u krye nga një refugjat sirian, Grandi e quajti atë “një akt të izoluar”. Në fakt këto sulme nuk janë “të izoluara”. Për shembull në Gjermani, sulmet me thika në trena dhe stacione u dyfishuan në vitin 2022, dhe mbi 50 për qind e tyre u kryen nga njerëz të kategorizuar nga policia si “jo-gjermanë”.
Nëse Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe e majta vazhdojnë me qasjen e tyre të mohimit të realietit, nuk do të kalojë shumë kohë përpara se e djathta të sundojë të gjithë Evropën.