Monitor / “Forma më e keqe e padrejtësisë është drejtësia e pretenduar” është një shprehje e filozofit të lashtë grek, Plutonit.
Shpërdorimi i pushtetit, që sjell përfitime të padrejta për individët, organizatat ose qeveritë, ka qenë gjithnjë shqetësim, sidomos në vendet në tranzicion dhe me demokraci të dobët, duke nxitur nisma të shumta për ta frenuar këtë fenomen.
Shqipëria, fatkeqësisht, duket si shembulli klasik i një vendi me drejtësi problematike, që nuk po gjen dot rrugën e korrektimit. “World Justice Project”, institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e renditi Shqipërinë të fundit në Europë, në indeksin e zbatimit të ligjit për vitin 2022.
Madje, vlerësimi 0.49 është përkeqësuar në krahasim me vlerësimin 0.52 në vitin 2015 (sa më i ulët indeksi, aq më keq është renditja).
Pra në shtatë vjet që kanë përkuar edhe me kryerjen e Reformës në Drejtësi, duket se dhe reforma nuk ka dhënë efekt në përmirësimin e zbatimin të ligjit, drejtësinë penale, reduktimin e nivelit të korrupsionit e kufizimin e fuqive të qeverisë, treguesit ku kemi pikët më të ulëta.
Është e qartë se pavarësisht përpjekjeve, drejtësia nuk po funksionon. Përndryshe:
-Sikur drejtësia të kishte funksionuar, projektet e inceneratorëve do të ishin sqaruar me kohë, duke u kursyer taksapaguesve shumë para.
Dy kontratat e Fierit dhe Elbasanit u vunë nën hetim vetëm pasi ato kishin mbaruar dhe ishin disbursuar të gjitha fondet e parashikuara në buxhet. Inceneratori i Fierit ka marrë, deri në fund të prillit 2023, një shumë prej 3.5 miliardë lekësh, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ose rreth 33 milionë euro.
Për impiantin e Elbasanit janë bërë pagesa 1.9 miliardë lekë, rreth 18 milionë euro, duke i marrë pothuajse të gjitha fondet e planifikuara përpara se të viheshin nën sekuestro. Tirana vijon ende punën dhe ka arkëtuar deri tani rreth 53 milionë euro.
Paradoksalisht, Bashkia e Tiranës dhe Durrësit, që i çojnë mbetjet tek inceneratorët, kanë shtuar pagesat për mbrojtjen e mjedisit, kur shërbimi i pastrimit të mbeturinave është përkeqësuar.
Durrësi mund të jetë një rast unikal në botë, ku një Bashki shpenzon mbi 60% të të ardhurave të veta për shërbimin e pastrimit të mbeturinave. Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbuluar skema të shumta fiktive pagesash, që tregojnë hapur keqpërdorimin e fondeve buxhetore në Elbasan e Fier.
E sërish pagesat për inceneratorin e Tiranës vazhdojnë, duke rrezikuar të fusin të paktën një bashki në krizë, ndërsa çdo ditë bëhet më e qartë se projekti kryen të njëjtat shërbime si më parë (vetëm depozitim mbeturinash), pa incenerim, duke helmuar dhe ujërat e lumenjve përreth!
-Sikur drejtësia të kishte funksionuar, koncesionet e dhëna në mjekësi duhet të ishin ndërprerë, në momentin e parë që u konstatua se raporti kosto-përfitime ishte në disfavor të parave të taksapaguesve dhe përgjegjësit duhet të ishin vënë përpara përgjegjesisë vite më parë.
Por shërbimi i check-up mori për shumë vjet pagesa pa kryer shërbimin, sepse kështu e parashikonte kontrata. Sterilizimi përfitoi shumë më tepër fonde sesa parashikohej, duke dalë jashtë kontrollit.
Sikur të mos mjaftonte kjo, u miratua më pas edhe koncesioni i laboratorëve, po me të njëjtat kushte. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2022, numri i analizave që u kryen nga ky laborator ra me 17%, ndërsa financimet nga buxheti u rritën 46%.
Në vitin 2022, financimi i tre kontratave PPP në shëndetësi arriti në 4.1 miliardë lekë, ose 14% e buxhetit spitalor, duke privuar qytetarët nga shërbime shumë më të domosdoshme që mund të ishin mbuluar nëse këto fonde do të ishin kanalizuar me eficiencë.
-Sikur drejtësia të kishte funksionuar, individët do të kishin besim tek institucionet e nuk do të përpiqeshin të kërkonin të bënin vetëgjyqësi, duke rrezikuar dhe jetën (rasti i fundit në Fushë-Krujë), krimi nuk do të hynte në Kuvend, fluksi i parasë informale, që nuk po lejon ngritjen e një ekonomie të qëndrueshme e që funksionon sipas rregullave, do të ishte frenuar, bizneset serioze nga SHBA e Gjermania (dy shtetet që e kanë ngritur më shumë zërin për mjedisin jo të mirë për të bërë biznes) do të ishin më të pranishme, besimi te qeverisja do të ishte rritur, duke ulur sadopak ritmin e migrimit, të ardhurat do të ishin përmirësuar, varfëria do të ishte ulur dhe Shqipëria, me potencialin e saj, nuk do të renditej e fundit në Europë për gjëra elementare, si sigurimi i një vakti të mjaftueshëm ushqimor.
Me kaq skandale dhe shpërdorime të dukshme të parave të taksapaguesve, çështja nuk shtrohet më se kush do të shkojë në burg, as sa koka do të priten.
Problemi real është që sistemi i drejtësisë dhe institucionet nuk po funksionojnë, përderisa nuk arrijnë të godasin abuzimin që në fillesë, pa lejuar të shumohet e keqja dhe shpërdorimi e vjedhja.
Drejtësia, sa për të kaluar radhën, nuk i hyn aspak në punë këtij vendi, që gjithnjë ka vuajtur nga pasojat e keqqeverisjes, e tani i shtohet dhe çekuilibrimi në ushtrimin e të drejtave