Zoti Albin Kurti, pyeteni historinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Zeno Jahaj

Që përreth jush kultivohet, madje edhe institucionalisht, një klimë dyshimi, madje, me keqardhje dëgjojmë, edhe urrejtjeje ndaj Shqipërisë, ndaj institucioneve shqiptare, ndaj diplomacisë shqiptare – kjo tanimë nuk mund të mbahet sekret. Por është më mirë ta themi hapur, sesa ta fshehim, gjoja “për hir të vëllazërisë”. Sidoqoftë, kombi shqiptar, kudo që ndodhet, ka tjetër raport me veten, tjetër amanet, frymë dhe formim. Jo atë që po frymëzohet përreth jush. Prandaj besojmë absolutisht që kjo klimë që ushqehet përreth jush, do të jetë e përkohëshme. E përhershme do të mbetet vetëm në platformat serbe.

Por, dëmi më i madh, i përhershëm, i pakthyeshëm, është një raport tjetër i juaji: ai me mësimet e historisë, me  përzgjedhjet strategjike që burojnë nga orientimet apo çorientimet në gjeopolitikë. Dhe strategjia, gjeopolitika, kanë rregulla të arta, të cilat, nëse i njeh dhe i zbaton, del i fituar. Nëse nuk i njeh, apo i injoron dhe nuk i zbaton, del i humbur.

Jeni shpallur kundër të gjithëve: edhe kundër SHBA-së, edhe kundër Europës, edhe kundër Shqipërisë, madje, përkundër etikës së kujtdo shtetari, edhe me epitete fyese ndaj personaliteteve të tyre. Po largoni kështu aleancat natyrale të kombit shqiptar, duke injoruar kështu një rregull të artë të strategjisë dhe gjeopolitikës: “Lidhu vetëm me aleanca natyrale, sepse aleancat jonatyrale mund të të joshin, por do të të tretin brenda vetes.”

Nuk është e tepërt t’ju kujtojmë se Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, u lidh vetëm me aleatët natyralë të shqiptarëve, me Europën. Në ato kohë, shqiptarët u flijuan për të shpëtuar Europën, duke identifikuar veten si shqiptarë, rrjedhimisht si europianë. E obliguan, kështu, moralisht Europën, që t’i mbante shqiptarët shënim si pikë referimi, ngase ata i dhanë vetes emër, individualitet dhe një hero të përmasave europiane. Nëse do të kishin vepruar ndryshe, shqiptarët do të treteshin me ngadalë dhe përfundimisht, pa identitet.

E megjithatë, Europa mbajti shënim, por nuk e bëri të vetën në atë kohë. Për ta bërë të vetën, në kohët moderne, në fund të shekullit të kaluar, kur bashkë me SHBA-në, bënë për shqiptarët, jo vetëm për Kosovën posaçërisht, luftën më të madhe për të shpëtuar vlerat perëndimore dhe për të identifikuar shqiptarët si  aktorë të barabartë stabiliteti dhe sigurie në Ballkan. Ta hedhësh poshtë këtë vlerë dhe këtë aleancë, nuk është vetëm apo thjesht mosmirënjohje: është një gabim, jo, më tepër, një faj strategjik, me pasoja të rënda dhe afatgjata.

Le të supozojmë se mund t’ia dilni edhe pa aleanca natyrale, por ka një rregull tjetër, po kaq të artë, për t’u mbajtur në këmbë: “Bëju aktor i barabartë rajonal, duke u faktorizuar me fuqi ekonomike e ushtarake! Nëse nuk e arrini dot këtë fuqi, atëherë do t’i dorëzoheni vakumit strategjik, domethënë i keni dërguar ftesë armikut që ta mbushë vakumin”.

Edhe për këtë e kemi një mësim nga historia: kombi shqiptar u faktorizua politikisht në fillimshekullin e kaluar, duke shpallur pavarësinë, por nuk formoi dot as fuqi ushtarake, as fuqi ekonomike. Pra, krijoi vakum dhe mbeti në vakum. Pasojat dihen: në Luftën e Parë Botërore, trojet shqiptare u bënë shesh lufte i fqinjëve dhe i përtejfqinjëve, në atë masë sa humbi çfardo identiteti shqiptar, çfardo institucion shqiptar. E prandaj, shkuam te buza e greminës, për t’u shpëtuar prej saj vetëm nga parimi dhe angazhimi uillsonian në Konferencën e Parisit më 1919 ku ndërkombëtarët u detyruan të bëjnë njohjen e dytë të Shqipërisë!

Lexo edhe :  Pushteti nuk është paçavure

Nuk është sekret që Kosova nuk e ka as forcën e vet ushtarake, as fuqinë ekonomike për për t’u bërë faktor, pa le më të bëhet edhe aktor. Siç nuk është sekret që Serbia nuk e ka luksin të hedhë “xanxa” kundër NATO-s

në kushtet kur tërë kufirin e saj shtetëror e ndan me shtete antarë ose partnerë të NATO-s; kur rreth 30% të eksport-importeve i realizon me Perëndimin dhe vetëm 5-9%  me Rusinë; kur rreth 20% e bashkëkombasve të vet jetojnë në Perëndim, 20 % në vende të Ballkanit dhe 60% në Serbi. Prandaj, zbaton pikërisht këtë rregull të artë të strategjisë dhe gjeopolitikës: e ka ndërtuar fuqinë e vet ushtarake, e cila, krahasimisht, renditet përpara Bullgarisë, Sllovakisë, Belgjikës, Kroacisë, e të tjera shtete antare të NATO-s. Madje, këtë vit, Serbia u bë pjesë e Stërvitjes Shumëkombështe “Platinum Wolf 23 and Defender 23”, e cila, u zhvillua, si për ironi, në rrethinat e Bujanovacit e Preshevës, ku morën pjesë ushtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë së bashku me pjesëtarët e Forcave të Armatosura nga nëntë vende të tjera, tetë prej të cilëve anëtarë të NATO-s, ndër to SHBA. Përkundër, si për ta bërë më therëse ironinë, Kosova u përjashtua nga të gjitha llojet e stërvitjeve të NATO-s!

Dhe tani, një rregull tjetër i artë në gjeopolitikë: SHBA dhe Europa nuk e kanë luksin që të merren pafundësisht me vatra konflikti rajonale, siç është Kosova, në një kohë kur janë angazhuar në vatra lufte me rreziqe kontinentale e botërore, sikurse është Ukraina. Shqipëria, antare e NATO-s, ka boll probleme dhe halle brenda vetes, por po bën të sajën për t’i mbajtur ende në lojë vëmendjen, kohën, përpjekjet dhe energjitë e aleatëve për ta shpëtuar atë që NATO bëri dhe po bën për Kosovën. Përçmimi i këtij angazhimi, pëveçse mosnjohje apo mosmirënjohje, është, në radhë të parë, përçmim i vlerave Perëndimore e, ashtu, edhe i kulturës sonë kombëtare.

Dhe në fund, por jo e fundit, të ndërpresësh komunikimin strategjik, është primitivizëm. Kur ndërpritet komunikimi, trupi i politikës ndërkombëtare shkon në vdekje dhe rezultati është ose konflikt i dhunshëm, ose atrofizim. Në Luftën e Ftohtë, ishte mbajtja gjallë dhe ruajtja e komunikimit strategjik midis Uashingtonit e Moskës që ndaloi shndërrimin e saj në Luftë të Nxehtë. Sot, mbajtja gjallë e komunikimit strategjik midis SHBA e Kinës e shkurajon konfliktin potencial midis tyre.

Shkon Sekretari i Shtetit të SHBA në Pekin. Shkon edhe Sekretari i Thesarit. E pse jo, ndoshta nesër edhe një takim presidentësh të të dy vendeve. Historia e ofron modelin edhe për këtë: në atë vit të largët 1972 do të ishte pikërisht Sekretari i Shtetit Henry Kissinger që çoi Presidentin Nixon në Pekinin komunist. Dhe ishte po në atë vit kur Zëvendës Sekretari i Shtetit Kenneth Rush i kërkoi Enver Hoxhës ta riorientonte Shqipërinë gjeopolitikisht. Mund të ishte koha e duhur për ta bërë kthesën gjeopolitike, por udhëheqësi shqiptar nuk e bëri, sepse përzgjodhi vetvendosjen, domethënë vetizolimin e mëtejshëm. Dhe dihet se çfarë kostoje pagoi Shqipëria. Gabimet strategjike bëhen vetëm një herë dhe janë me pasoja të pakthyeshme, ose, në rastin më të mirë, me kosto të rënda për t’u riparuar.

Kombi shqiptar nuk ka interes që, në nivel strategjik, politikanët kryesorë të të dy shteteve vëllezër flasin për njeri tjetrin, por jo me njeri tjetrin. Nuk është as kulturë diplomatike, as kulturë shtetërore, as kulturë zakonore. As trashëgimi historike!

Të fundit

Aksident në Laprakë/ Pas përplasjes me një automjet, ambulanca përmbyset në mes të rrugës

Mbrëmjen e djeshme, një aksident ka ndodhur në Laprakë, në zonën e njohur si “Kupola”, ku një ambulancë është...

33 mijë euro shishen e verës? Rama i përgjigjet komentuesve:Shpifja është e ndaluar në…

33 mijë euro shishen e verës? Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur dhe një komentuesi i cili i referohet një deklarate të Arben Ahmetajt në zyrën e...

‘Nuk jam tiktokist’, Rama tregon pse ka zgjedhur komunikimin ‘Sy m’sy’

Kryeministri Edi Rama deklaron pse ka vendosur të ketë komunikime të shpeshta me shqiptarët qoftë dhe ata në rrjete sociale "Puna ime nuk është punë krahu është...

Vlorë/ Vajzat përleshen në mes të rrugës, 3 kundra 1

Një ngjarje e pazakontë dhe shqetësuese ka ndodhur një natë më parë në mes të rrugës në qytetin e Vlorës. Një ngjarje e pazakontë dhe shqetësuese ka...

Çmimi Nobel për Paqe/ Trump, Guterres dhe Papa mes të nominuarve

Instituti Norvegjez Nobel njoftoi se nominimet për Çmimin Nobel të Paqes të këtij viti arrijnë në 338, nga të cilët 244 janë individë dhe...

Lajme të tjera

Web TV