Tano Banushi, një legjendë humori në qytetin e humorit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Është cilësuar edhe si Shvejku shqiptar. Por njihet dhe si një prej emblemave të artit të satirës dhe humorit.

I rëndë si gur themeli, ai tregoi se me humorin mund të bëhej më shumë se sa thjesht të qeshje. Sepse dhe duhet të mendoheshe thellësisht.

-E kam shtëpinë tek ai pallati përballë që është pa balkon. Arkitekti që është burri juaj, pallatin e tij e ka projektuar me balkon. Kështu që çdo mbasdite unë do vij me gruan time të pij kafen në balkonin tuaj.

Ai ishte mjeshtër i fjalës, dhe gjithçka e thënë prej tij, po ashtu si ujët e një lumi që rrjedh lirshëm, kthehej automatikisht në një situatë komike. Sepse kishte vetinë e çmuar të interpretimit satirik, me kripë e sheqer njëherazi, por dhe me ca piper, aq sa të digjte e të përvëlonte.

-100 herë të kam përsërit që është djalë i mirë. Unë vet nuk e njoh, por ma kanë lavdëruar dhe të tjerët. Pasandaj është edhe kunati i shokut Xhemal.

Dhe këtu është babai i vajzës, që kërkon t’i mbushi mendjen së bijës që të martohet me atë… kunatin e atij shokut që ka një post të rëndësishëm në Komitet, tek skeçi i famshëm i estradës së Shkodrës “Kunati i shokut Xhemal”.

Nëse do të bëja një klasifikim personal, që padyshim do të ngrihej mbi baza krejt amatore dhe jo referuar mbi mendime specialistësh, Tano Banushin do të rendisja në krye të aktorëve të humorit shqiptar.

I rrallë në llojin e tij, ai dinte të krijonte mizanskena humori, qoftë me fjalë e batuta, qoftë me pantonimë. Sepse padyshim, ishte një talent i jashtëzakonshëm po aq sa më pas kishte punuar për ta latuar veten në çdo drejtim.

-E shef atë personin që po ec rëndë-rëndë. Ai ka një veti të rëndësishme, një fjalë e tija peshon flori.

-Kaq i mençur qenka?

-Jo, jo, nuk është puna se është i mençur. Por ai është aktor në teatër. Gjatë një viti ka dalë dy herë në skenë. Në dramën e parë ka thënë: Mirëmëngjes shoku drejtor! Në dramën e dytë ka thënë: Të mobilizohemi shokë! Për këto dy fjali ka 5 vjet që merr rrogën.

E megjithëse ka shkëlqyer si Tushi, në skeçin ku është në rolin e përgjegjësit të laboratorit të fotografive, ai nuk është roli më i mirë i interpretuar prej tij…

-Bibe ma gjej një Cen Durimmadh, domethënë një Cen, Cen, Cen… Më falni, se mos e keni rastësisht emri Can… Jo se ka dhe Cuf… Na gjej një Cen tjetër me fmij Bibe… 441 Cen. Ja ku e keni shok i dashtun, një Cen me dy fmij. S’ka nevojë me e pa hiç. Ejani herë tjetër, do t’u bëjmë një fotografi shumë të bukur. Mirë se të na vini e mirëardhçi.

Tano Banushi do të kishte kulminacionin e tij si Leo, apo më mirë të themi, si Latifi, që vinte vërdallë për të gjetur nuse, bashkë me tre mikeshat e tij ndrikulla, pikërisht tek komedia “Këshilli i ndrikullave” të shkruar nga Sheri Mita e të vënë në skenë nga regjisori Serafin Fanku.

Lexo edhe :  Kodi i ri Penal apo kodi i ri banal?

-Silva, Silva, si me than, emni juaj më kujton një aktriçe të famshme të çinematografisë mondiale…Silva, Silvana… si i thon i fjalës. Nuk kam mundësi zysh se jam nis për një çështje me shumë….

-Ju lutem… kështu po më lini mu?

-Tashti: kështu po më lini. Si i thonë i fjals… në qoftë se nuk na del gjë andej, do ta kena parasysh me u drejtu tek ti.

Ai njihej gjerësisht si Tano Banushi, por emri i tij i vërtetë ishte Athanas Banushi. Në jetëshkrimin e tij zyrtar shkruhet se u lind në Shkodër më 4 Shkurt 1927. Ndoqi gjimnazin e Shtetit në Shkodër. Ishin vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe ai kishte nisur të ushtronte kitarën dhe merrej me mësimin e këngëve patriotike. Në qershor të 1945 u përfshi në veprimtarinë e Shtëpisë së Artit dhe Kulturës ku mori dhe rolet e para në skenë.

Pas mbarimit të shkollës së mesme, Tano Banushi filloi punë si korrespondent i Radio-Shkodrës dhe po ashtu ishte edhe korrespondent i ATSH-së për Shkodrën.

Në korrik të 1958 u krijua në Shkodër Estrada Profesioniste, e përfshirë në kuadrin e teatrit “Migjeni” të porsandërtuar, ku Banushi u emërua aktor profesionist.

Në 45 vjet jetë skenike Tano Banushi interpretoi qindra personazhe. Ai ishte një aktor shumëplanësh. Dhe veç kësaj ishte instrumentist e autor tekstesh.

Dhe ashtu siç shkruan Albert Vataj në një shkrim të botuar prej tij: “Tano Banushi, i dalluar sidomos për rolet e naivit, apo një lloj Shvejku shqiptar, mund të themi se vuri në lojë, talli dhe akuzoi shoqërinë e kohës”.

Për veprimtarinë e tij Tano Banushi është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”.

Më 5 shkurt 1986 doli në pension, 4 vjet pasi kishte mbushur moshën. Megjithatë, e vijoi veprimtarinë artistike, duke shkruar e botuar edhe skeçe, tregime humoristike e anekdota.

Ndërroi jetë më 7 gusht 1993. Ishte 66 vjeç. Prej asaj kohe kanë kaluar 30 vjet tashmë. Dhe nëse dje ishte një legjendë e gjallë, tanimë emri i tij është kthyer thjesht në një Legjendë.

 

Të fundit

Jahti sekret i Bill Gates del në shitje, kushton 645 milionë dollarë

Një nga jahtet më të jashtëzakonshme të ndërtuara ndonjëherë, i quajtur Breakthrough, pritet të dalë për herë të parë...

Dikur avokati i Trump, merr në hetim dosjen “Epstein”

Todd Blanche, avokati personal i Donald Trump, ndodhet në qendër të një polemike të madhe pas vizitës së tij në burg për të intervistuar...

Spahiu: Debati për Kodin e ri Penal mund të zgjidhet me referendum nga populli

Juristi Kreshnik Spahiu tha për Report TV se debati për Kodin e ri penal mund të zgjidhet edhe me referendum popullor. "Duhet që të hartohet...

Starmer vijon thirrjet: Situata në Gaza duhet të ndryshojë rrënjësisht

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Sier Keir Starmer ka bërë sërish thirrje për situatën në Gaza, duke thënë që duhet të ndryshojë rrënjësisht. Dje ai...

Regjistrohet rrufeja 829 kilometra e gjatë

Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) ka vendosur një rekord të ri botëror për rrufenë më të gjatë një rrufe e jashtëzakonshme prej 829 kilometrash në...

Lajme të tjera

Web TV