Belgjika, Holanda dhe Franca kanë hapur dosjet që pritet të tronditin Shqipërinë.
Zbërthimi nga autoritetet e huaja të aplikacionit “Sky ECC”më të përdorur nga grupet kriminale, pritet të sjellë arrestime të bujshme në Shqipëri.
Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për grupe kriminale, por edhe për politikanë, prokurorë, gjyqtarë e policë.
Sipas të dhënave nga Europol, bëhet me dije se në vendin tonë në këtë aplikacion janë të regjistruar 16 mijë abonentë.
Nga ana tjetër drejtësia e re ka filluar bashkëpunimin me agjencitë e huaja për të zbardhur të gjitha përgjimet. Dy ekspertë punojnë aktualisht në Hagë për llogari të Shqipërisë.
Por nëse do kthehmi një vit pas, do kujtojmë se e gjitha kjo ishte paralajmëruar më herët nga analisti Lorenc Vangjeli.
Në një dalje televizive në maj të 2022, Vangjeli paralajmëronte se në vendin tonë shumë shpejt pritet të zbarkojnë prokurorë nga Belgjika, Franca dhe Holanda.
Ai deklaronte se bëhej fjalë për akuza ndaj personazheve që përdornin metodat e encrochatit, pa e ditur se mund të përgjoheshin.
“Ka një diferencë mes asaj që dihet dhe asaj që mund të provohet. Shumicën e krimeve dihet se kush i kanë bërë. Pas disa kohësh në qeli, të burgosurit vetë që dinë më shumë se organet ligjzbatuese, rrëfejnë me njëri-tjetrin. Ajo çfarë pritet nuk është se sa arrestohen, por aftësia që ka SPAK për të provuar fajësinë e tyre.
Unë e ritheksoj se në Tiranë sot ka shumë më tepër frikë. Frika është aromë, ndjehet. Duke perifrazuar një film të famshëm, drejtësia nuk është si postieri që troket vetëm një herë. Drejtësia troket dy dhe më shumë herë. Sot, nëse ndiqet rruga e parasë kuptohet shumëçka tjetër, që nga politika deri në botën e krimit.
A ka ndonjë mundësi të verifikohet se sa deputetë flasin me një telefon të dytë me këto sistemet e inkriptuara? Nuk janë pak. Po ju them se janë në poztë dhe në opozitë. Kanë qenë dje, janë edhe sot. Prokuroria e Francës e ka mbajtur sekret këtë mënyrën e encrochatit dhe ka qindra mijëra biseda të përgjuara, mes tyre edhe shqip. Njerëz që kanë menduar se nuk përgjoheshin.
Pritet të zbarkojnë në Tiranë prokurorë nga Belgjika, Franca dhe Holanda me të dhëna drithëruese” – theksonte Vangjeli asokohe.