Zveçani i qetë, “lufta” kalon tek diplomacia

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

24 orë pas “luftës” mes forcave të policisë së Kosovës dhe grupeve paramilitare terroriste serbe, situata dje ka qenë e qetë. Një tjetër terrorist është gjetur i vdekur, duke e çuar në katër numrin e të vrarëve nga radhët e paramilitarëve serbë, ndërsa në Prishtinë polici Afrim Bunjaku u shpall Dëshmor i Atdheut. Sekuestrohen mijëra armë, municione dhe mjete tjera luftarake të ushtrisë serbe. Nis “lufta” e fortë diplomatike. Në lojë edhe përballja Perëndim-Rusi.

Një tjetër pjesëtar i grupeve paramilitare serbe, që ka mbetur i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Njësinë Speciale të policisë së Kosovës, është gjetur mesditën e djeshme gjatë kontrolleve në Zveçan. Personi i vrarë është i katërti anëtar i grupit paramilitar që ka mbetur i vdekur pas ngjarjeve që pasuan sulmin e ndodhur herët mëngjesin e së dielës ndaj policisë së Kosovës, prej të cilit humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa dy policë të tjerë u plagosën. Trupi i pajetë është gjetur rreth 1.5 km larg manastirit të Banjskës. Dy ditë më parë Policia e Kosovës u sulmua nga persona të maskuar në orët e hershme të së dielës pasi shkoi për t’i larguar barrikadat e vendosura në Banjskë, të cilët u strehuan në manastirin e fshatit më vonë. Si pasojë, zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën. Ngjarja e së dielës ka sjellje edhe “përplasje” diplomatike ku SHBA ka bërë përgjegje Kosovën për vrasjet në kufi. Po ashtu Rusia po ndjek nga afër situatën në Veri të Kosovës, ndërsa Europa duke dënuar sulmin është në pritje të rezultateve të hetimeve.

Situata në Veri të Kosovës

Situata në veri të Kosovës është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga Policia e Kosovës. Njësia Speciale e Kosovës e ka vendosur një automjet të blinduar dhe vetura të tjera në kryqëzimin Ballaban, i cili dërgon në Banjskë. Prokurori i Prokurorisë së Kosovës, Naim Abazi, tha se ka informacione të pakonfirmuara se në rrugën për këtë fshat dyshohet për disa mjete që janë të rrezikshme, që mund të jenë shpërthyese. “Janë edhe disa automjete që janë rrugës që dërgojnë tek vendi ku ka ndodhur aksidenti,” tha Abazi. Pikat kufitare Jarinjë edhe Bërnjak janë ende të mbyllura. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se një “formacion terrorist dhe kriminal prej 30 vetave” mori pjesë në sulm. Autoritetet kosovare thanë se katër sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Abazi theksoi se është duke u punuar në identifikimin e personave të përfshirë të dielën në sulmin kundër Policisë se Kosovës dhe për këtë tashme kanë marrë DVR e kamerave. Njëri nga sulmuesit, i cili u arrestua dje në veri, po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica. “Është operuar për kërciri e majtë, plagë e hapur me armë zjarri. Gjendja e tij është stabile. Po vazhdon të trajtohet në klinikë”, deklaroi Jashanica. Policia e Kosovës e mori kontrollin e manastirit duke e siguruar fshatin. Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga Bashkimi Evropian. Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës. Sulmi erdhi rreth dy javë pasi kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan në Bruksel për rundin e ri të bisedimeve të nivelit të lartë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 14 shtator, por nuk arritën asnjë pajtim për normalizimin e marrëdhënieve. Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar. Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejmë dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës.

 

Ministri Svelça: Vuçiçi të dorëzojë 6 terroristët

 

 

Drejtori i Policisë së Kosovës dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dolën në një konferencë për shtyp për të dhënë detaje mbi zhvillimet e së dielës në veri të Kosovës, ku 4 anëtarë të grupeve paramilitare kanë mbetur të vdekur pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, prej të cilave humbi jetën edhe rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa dy policë të tjerë u plagosën. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Serbia që 6 persona, të cilët, sipas tij, po kurohen në Novi Pazar pas shkëmbimit të zjarrit me Policinë e Kosovës, t’i dorëzohen autoriteteve kosovare për t’u përgjigjur para drejtësisë. “Policia jonë u ballafaqua me një sërë sulmesh të mirorganizuara, që u kryen nga individë jocivilë, por njësi profesionale të mbështetura nga Serbia. Ata, përveç armatimeve, kanë pasur dhe autoblinda, me të cilat zhvilluan operacionin e tyre. Falë profesionalizmit të policisë sonë, plani i tyre dështoi. Asnjë person civil nuk është lënduar. Sipas informacioneve, 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit dhe kërkojmë nga Serbia që ata të dorëzohen menjëherë tek autoritetet e Kosovës”, tha Sveçla. Ai tha se sulmi nga ana e Serbisë ka qenë e mirëmenduar. “Kemi gjetur edhe harta e plane që tregojnë për organizimin e gjatë dhe të mirëmenduar. Kjo tregon për një organizim terrorist të udhëhequr nga Beogradi. Pra, nuk është organizim i shpejtë. I gjithë armatimi i sekuestruar, që është sasi e madhe, kuptohet që ka pasur plan për përfshirjen e qindra personave. Aty ka edhe armë të vitit 2021, që janë furnizim nga ushtria e Serbisë”, shtoi Sveçla. Drejtori i Policisë së Kosovës bëri me dije se personat që sulmuan Policinë e Kosovës ishin të armatosur edhe me raketahedhës. “Kemi gjetur disa armë automatike dhe raketahedhës brenda manastirit. 24 mina kundër këmbësorisë, 54 predha, 75 granata dore, 8 mina antitank, 150 dinamit, 6 mitraloz të gjatë, 30 kallashnikovë, 6 armë me dylbi, 3 revole, 235 karikatorë kallashnikovi, 21 antiplumb, 3 dronë, 15 dylbi nate, 32 radiolidhëse, 4 kamera, 107 çanta ushtarake, 115 uniforma ushtarake, 6 harta satelitore, 23 maska, 20 lopata, 3 motosharra dhe shumë medikamente mjekësore”, tha drejtori i Policisë së Kosovës.

Lexo edhe :  Veliaj uron 29 Nëntorin: Le të nderojmë kujtimet e atyre që luftuan për liri

Afrim Bunjaku shpallet Hero i Kosovës

 

Polici i vrarë, ditën e dielë, në veri të Kosovës, Afrim Bunjaku, është shpallur “Hero i Kosovës.” Urdhri, Bunjakut i është ndarë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Nderimin e pranuan dy djemtë e policit të ndjerë. Presidentja Osmani, siç raportojnë mediat në vend, u shpreh se rreshteri policor, Afrim Bunjaku ra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. “Ai ra në mbrojtje të dinjitetit të Republikës sonë. Prandaj sot në emër të qytetarëve do t’i ndaj post-mortem urdhrin më të lartë të Republikës ‘Hero i Kosovës’. Shteti ynë nga sot ka edhe një hero, një kujtim më shumë për një njeri që me profesionalizëm dhe përkushtim iu dedikua mbrojtjes së Republikës për të cilën ra në krye të detyrës”, tha ajo në akademinë përkujtimore. Osmani tha se Kosova po nderon një hero të vërtetë, një rreshter policie trim dhe vetëmohues i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e të gjithë qytetarëve.

 Rusia po vëzhgon nga afër gjendjen në veri të Kosovës

 

Kremlini ka thënë të hënën se është duke e vëzhguar nga afër gjendjen në veri të Kosovës, por nuk e dënoi sulmin vdekjeprurës të personave të maskuar ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan një ditë më parë. Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pasi është përkrahëse tradicionale e Serbisë, me të cilën ka lidhje të ngushta kulturore dhe fetare. “Gjendja është tejet e vështirë. Në Kosovë, ne e shohim një qasje tradicionalisht të anshme ndaj serbëve… gjendja është shumë, shumë e tensionuar dhe me gjasë e rrezikshme, ne jemi duke e vëzhguar atë nga afër”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference të rregullt për media të hënën. Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator. Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij. Policia e Kosovës e mori kontrollin e manastirit të dielën vonë dhe tani është duke e siguruar fshatin. Të hënën më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko./kb

 

 

Të fundit

Greqia paralajmëron sërish Shqipërinë/ Pa u zgjidhur çështja e Belerit, nuk ka negociata

“Athina po përshkallëzon reagimet e saj kundër mbajtjes ende në burg të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri”,...

Ndryshimi i klimës, rrezik dhe kosto e lartë për infrastrukturën

Ndryshimet klimatike po bëhen më shqetësuese vitet e fundit në vendin tonë duke sjell dhe një rritje të kostove të demëve në infrastrukturë. Një dokument...

Festat shkaktojnë trafik të rënduar në Tiranë, shqetësim për drejtuesit

Edhe pse ditë feste dhe pushimi zyrtar, trafiku në Tiranë është kthyer në shqetësimin e drejtuesve të automjeteve. Paraditen e së mërkurës në shumë rrugë...

U bllokuan në një tunel për 17 ditë/ Ja si arritën të mbijetojnë 41 punëtorët

Edhe pse në spital, punëtorët indianë që mbetën të bllokuar për 17 ditë në një tunel janë tashmë të sigurt dhe të lumtur. Ata...

A jeni në listë? 3 shenjat e zodiakut që do të kthehen te ish-partnerët në vitin 2024

Ne ndërmarrim vetëm pak ditë para ndryshimit të kohës dhe siç tregojnë yjet, janë tre shenja të zodiakut që në dashuri do të bëjnë...

Lajme të tjera

Web TV