NATO “merr” Veriun e Kosovës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

NATO ka marrë vendimin për të shtuar forcat në Veri të Kosovës për të përmbushur mandatin e saj. Po ashtu NATO bëri thirrje për shtensionimin e situatës

 

NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, për shkak të rritjes së tensioneve. “Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i [Misioni i NATO-s në Kosovë] ta përmbushë mandatin e tij”, tha përmes një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai, po ashtu, bëri thirrje për “shtensionim urgjent” të situatës. Tensionet në veri u rritën sërish nga 24 shtatori, kur grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet që pasuan mbetën të vrarë edhe tre sulmues. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila funksionon me mbështetjen e Beogradit zyrtar. Autoritetet kosovare fajësuan direkt Serbinë për sulmin, ndërsa Serbia drejtoi gishtin kah serbët e Kosovës. Pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut të premten, ku u diskutua për situatën në Kosovë, aleatët shprehën “shqetësimin e thellë të tyre për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

“Që nga maji e kemi shtuar praninë e KFOR-it. Dje, më 28 shtator, Këshilli i Atlantikut të Veriut miratoi forca shtesë për zgjidhjen e situatës aktuale”, thekson deklarata, por nuk specifikon se sa forca shtesë janë miratuar. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht t’i ulin tensionet. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që i respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi i sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit në rajon”, thuhet po ashtu në deklaratë. Sipas saj, Misioni i NATO-s në Kosovë vazhdon të punojë ngushtë me të gjithë aktorët relevantë në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe me komunitetin diplomatik. “KFOR-i mban një prani të dukshme dhe të shkathët në të gjithë Kosovën. Ne gjithmonë do t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tone”, thuhet në deklaratën e aleancës ushtarake. Në maj, dhjetëra ushtarë të KFOR-it u plagosën në Zveçan – komunë në veri të Kosovës – pasi u sulmuan nga disa protestues serbë që kundërshtonin vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat në veri. Asokohe, KFOR-i rriti praninë në Kosovë me rreth 700 ushtarë.

 

Osmani: Serbisë t’i kërkohet llogaridhënie për veprimet kundër Kosovës

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i kërkojë llogaridhënie Serbisë për veprimet e saj kundër Kosovës, “duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste”. Osmani, gjatë një takimi me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian bisedoi për situatën e sigurisë pas sulmit kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. “Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, tha Osmani, sipas një njoftimi për media. Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Serbia ka mohuar se ka gisht në sulmin që Kosova e konsideron terrorist dhe akt agresioni kundër saj. “Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, tha Osmani. Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë. Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë. Kosova, përmes një rezolute të miratuar në Kuvend, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për Serbinë lidhur me rolin e saj në këtë sulm. Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Lexo edhe :  Lista e zezë e qarkut Tiranë, kush janë 4 opozitarët që mund të mos e gëzojnë mandatin

 

 

Familjarët kërkojnë të marrin trupat e pajetë të sulmuesve në Banjskë

 

Familjarët e tre sulmuesve të vrarë gjatë përleshjeve të armatosur në Banjskë të Zveçanit janë interesuar që të marrin trupat e tyre, thanë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës (MD). Nga MD-ja thanë se është kryer autopsia për të tri trupat e pajetë, por ata po qëndrojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, “në kushte adekuate deri sa të lirohen nga Prokuroria”. Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur dhe i maskuar, që sipas autoriteteve ishte i përbërë prej 30 personash.

Në sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe më pas autoritetet bënë të ditur se në përleshje mbetën të vrarë edhe tre sulmues. Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë, që Kosova e konsideron sulm terrorist.

Radoiçiq merr përgjegjësinë për sulmet në Banjskë

 

Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor, dhe ka thënë se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite. Ai e ka bërë këtë deklaratë të premten përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun, nga Beogradi. Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë mbetur të vrarë edhe tre sulmues. “Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

———————————

Të fundit

29 maj 1453/ Mehmeti II merr Konstandinopojën, Kruja reziston me Gjergj Kastriotin

Nga Leonard Veizi U njoh si “Fatih”, apo Mehmeti Pushtuesi. Ishte ende i ri kur hyri triumfalisht në zemrën e...

Chelsea ngre trofeun e Conference League, londinezët përmbysin Betisin brenda 45-minutave

Chelsea është fituesi i edicionit të katërt të Ligës së Konferencës, në të cilin që në fillimin e turneut ishte favoriti kryesor. Londinezët kanë...

Mahnitëse! Kur jahti 200 milionë dollarësh të kalon te dera e shtëpisë

Një superjaht luksoz në pronësi të miliarderit amerikan që e shndërroi Starbucks-in në një markë globale është parë duke kaluar nëpër një kanal shumë...

Shqiptarë, kujdes! Vesi jonë i keq në avion tani ndëshkohet me 70 euro

Turqia u ndalon pasagjerëve të ngrihen në këmbë përpara se të fiket shenja e rripit të sigurimit në avion, në të kundërt do të...

Lajme të tjera

Web TV