Mbrëmjen e djeshme stadiumi “Air Albania” u shndërrua në altarin magjik të Kombëtares Shqiptare, e cila mposhti me rezultatin 3-0 Republikën Çeke, në një ndeshje elektrizuese. Sfida nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për të besuarit e trajnerit Sylvinho. Në minutën e nëntë, Jasir Asani lëshoi një nga predhat që zotëron në repertorin e tij dhe mposhti portierin Pavlenka, për të vijuar më pas me një aksion model të kuqezinjve që nisi nga Asllani, kaloi te Hysaj dhe më pas Taulant Seferi nuk gabon dhe ndëshkoi sërish portën çeke. Por, lojtarët shqiptarë nuk u mjaftuan me aq pasi shënuan edhe të tretin në minutën e 73, i dyti për Seferin. Pas kësaj fitoreje, Shqipëria ngjitet në kuotën e 13 pikëve dhe mbron kreun e grupit E, katër pikë më shumë se ndjekësit më të afërt, Polonia.
Magjia e fushës së blertë u parapri nga magjia e këngës “Mora fjalë”, e cila është kthyer së fundmi në himnin e ri të çdo tifozi shqiptar. Artistja e mirënjohur, Shkurte Fejza, zbriti në stadiumin “Air Albania” për ta kënduar para mijëra tifozëve dhe duket se vargjet epike për heroin Adem Jasharin, ishin ogur i mbarë për djemtë kuq’ezi.
Por si ka lindur kjo këngë?
Në një intervistë të para disa javëve Naim Gjoshi, kompozitori dhe tekstshkruesi i saj rrëfente: “Ka qenë viti 2000. Një këngëtar nga Drenica, Qazim Beka quhet, më telefonon dhe më thotë: Do më bësh një këngë për Adem Jasharin, për tre vjetorin e rënies së tij. Ai ishte shtysa. Unë kisha qenë në Kosovë, kam punuar me Ilir Shaqirin. Ai më çoi në Prekaz, kam parë edhe kullën atje, para se të bëhej biseda për këngën. Më bënte përshtypje kulla e bombarduar. Më bënte përshtypje edhe portreti i Adem Jasharit. Mu kujtua Eposi i Kreshnikëve, ‘Muji dhe Halili’.
I kisha këto ndjesi për Adem Jasharin dhe e dija që do ta bëja një ditë një këngë për Adem Jasharin. Më kanë ardhur të dyja njëherësh muzika dhe teksti. Kam menduar dy javë për ta bërë këngën dhe e kam bërë për një orë. Këto janë të përafërta më këngët veriore, Eposin e Kreshnikëve. Në origjinal kënga e ka pasur ‘Çohu Adem’”.
Me pas ai tregoi se e mori këngën këngëtarja Shkurte Fejza. “Kur e ka marrë Shkurta ia ka vënë titullin ‘Mora fjalë’. Pas një viti ky këngëtari i Drenicës ka qenë në një koncert në Prishtinë. Aty ka qenë edhe Shkurte Fejza, ajo e ka dëgjuar dhe i ka thënë Naim Gjoshi ta ka bërë këtë këngë. Sa do i ka thënë, që të ma japësh këngën. Unë s’dija gjë. Vetëm kur shkova në Kosovë në fund të 2001-shit dëgjova këngën ‘Mora Fjalë’ nga Shkurte Fejza, dhe më tha ia kam dhënë unë këngën. Ai bëri mirë sepse Shkurte Fejza e ngriti në piedestal këngën”, -u shpreh ai./E.Ç