Ish-kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar deputetëve të PD-së që të përqëndrohen vetëm në çështjet e partisë, pasi me SPAK-un dhe gjykatat do të merret vetë. Nga ana tjetër, “grupimi Bardhi” dhe “Grupimi Berisha” kanë bashkuar forcat për të bllokuar bllokuar mbledhjet në komisionet parlamentare.
Duket se Sali Berisha do të luftojë vetë për çështjen “Partizani” dhe nuk kërkon të injektojë as të besuarit e vet për ta mbrojtur në këtë çështje. Të paktën kjo është treguar në takimin me dyer të mbyllura mes demokratëve në grupin parlamentar të Partisë Demokratike dhe të grupimit Berisha. Ai tha se dosja është e montuar dhe se për këtë ka prova dhe fakte. “Sa i përket çështjes sime me SPAK, do i përgjigjem çdo pyetje që mund te keni për mua për t’ju dhënë informacion. Por ju them se kjo dosje është e montuar dhe unë me prova e fakte do e ç’montoj, pasi aty ka shumë falsifikime. Dua që kjo çështje të më takojë vetëm mua, është personale dhe nuk dua të përziej asnjë tjetër, as grupin”, u shpreh Berisha. Ndryshe nga çështja “non grata” ku Berisha mori me vete partinë, në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kopleksit sportiv Partizani ku është arrestuar dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ndërsa për vetë Berishën ka masë sigurie “detyrim paraqitje”. Ndërsa për përballjen me drejtësinë Berisha ka kërkuar që ta anashkalojë partinë, të paktën publikisht, nismat gjithsesi shkojnë në një linjë me të pasi nga ana e Grupit të Rithemelimit po diskutohen reagime të forta, si bllokimi i punimeve parlamentare, apo edhe deri greva e urisë ku si kërkesë kryesore do ketë “kthimin e parlamentarizmit” dhe lejimin që opozita të ngrejë komisione hetimore parlamentare që deri më tani janë rrëzuar nga forca e kartonit të PS-së.
Rruga e bllokimit
Sali Berisha dhe Gazmend Bardhi kanë mbajtur të njëjtin qëndrim sa i takon bllokimit të komisioneve. Bardhi ka falenderuar deputetët për opozitarizmin në Parlament, pasi sipas tij ky është reagimi që duhet të marr mazhoranca. “Faleminderit të gjithëve për rezistencën ne Kuvendin e Shqipërisë dhe reagimin tuaj në mbrojtje të të drejtave tona kushtetuese. Me besoni që është jetike për opozitarizmin në vend ky reagim, pasi mazhoranca nuk na ka lënë asnjë rrugë tjetër dhe kërkon poshtërimin e opozitës. Ne nuk mund ta lejojmë këtë. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Ne duhet të vazhdojmë të vendosur në kërkesat tona. Jetë parlamentare normale nuk do të ketë, pasi na është mohuar çdo e drejtë për komisionet hetimore parlamentare ai dhe për ndryshimin e anëtarëve në komisionin e posaçëm të reformave zgjedhore. Përveç se nuk do të ketë jetë parlamentare në seanca, gjykoj që duhet ta shtrijmë edhe në bllokimin e punës në disa komisione. Në këtë drejtim kam dy propozime konkrete. Sot (dje) propozoj që në mbledhjen e Sekretariatit të Etikës të shkojmë, për të shprehur arbitraritetin e tyre. Mirë do ishte të ishim të gjithë. Do të bllokojmë punimet normale të këtij sekretariati. Personalisht nuk do të jem dot për shkak se në të njëjtën ora kam lënë një takim në Ambasadën Britanike për ti informuar për situatën. Ndërkohë nesër (sot) që në orën 9.30 do të mblidhemi këtu dhe do të marrim pjesë në Konferencën e Kryetarëve për të mos lejuar punimet normale edhe aty. Të kemi të qartë që kjo është një rrugë nga e cila nuk kemi ndërmend të tërhiqemi. Kërkesat tona janë minimaliste, janë të drejtat tona. Nuk mund të lejojmë që mazhoranca të na mohojë atë që i takon opozitës. Mbetem i hapur për çdo sugjerim tjetër”, është shprehur Bardhi. Ndërsa deputeti i Lushnjes Saimir Korreshi tha se “Duhet të bllokojmë punimet ne Kuvend. Po ashtu duhet të bllokojmë Konferencën e Kryetareve, se po miratuan ata Projektbuxhetin për vitin 2024, pastaj pse bëjmë beteje ne? Nëse ata e miratojnë do të thotë se ka normalitet ne Kuvend, ndërsa ne s’mund ta lejojmë normalitetin në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe nuk duhet të mendojmë këtu plane afatgjate, aksionet tona duhen menduar rast pas rasti”. Ndërsa deputeti Xhelal Mziu tha se duhet të merret seriozisht greva e urisë. “Unë jam i mendimit se ne duhet te mendojmë seriozisht grevën e urisë në Kuvendin e Shqipërisë, pasi mazhoranca e ka tejkaluar masën në respektimin e parlamentarizmit”, tha ai. Berisha ka shfajësuar deputetin demokrat që qëlloi Vullnet Sinën e Partisë Socialiste. “Dua te sqaroj këtu se deputeti Bledjon Nallbati nuk e ka goditur deputetin Vullnet Sinaj. Kjo është e vërteta. Nuk mund te këtë seanca normale parlamentare kur ata nuk lejojnë që të kemi një funksionalitet normal. Derisa te plotësohen kërkesat tona, nuk do të këtë jetë parlamentare normale. Nuk mund të pranojmë të poshtërohemi”, tha Berisha. fatmir Mediu ka hedhur idenë që po qarkullon për tu rigrupuar sërish në një aleancë opozitare. “Në duhet të mblidhemi tashmë dhe të organizohemi dhe të krijojmë “Aleancën Opozitare”, ku të gjithë faktorët politikë të jemi të gjithë bashkë dhe të zhvillojmë takime në 12 qarqet e vendit. Duhet ta nisim këtë aksion ne terren”, tha Mediu.