Këshilli i ministrave dërgoi dje në Kuvend projektligjin mbi marrëveshjen Shqipëri-Itali për ngritjen e një kampi refugjatësh në Lezhë. Drafti pritet të miratohet me votat e mazhoracës pavarësisht kundërshtive të opozitës dhe një pjesë të shoqërisë civile në vend.
Në kulmin e debateve në vend për “mungesën e transparencës” dhe “të fshehta” të marrëveshjes, qeveria shqiptare dërgoi dje në Kuvend marrëveshjen e nëshkruar një javë më parë mes kryeministrit Rama dhe homologes italiane Georgia Meloni për ngritjen e një kampi refugjatësh në Lezhë. Këshilli i Ministrave i ka dhënë dritën jeshile marrëveshjes për emigrantët me Italinë dhe tashmë ajo është paraqitur në Kuvend ku pritet të miratohet nga mazhoranca, pavarësisht kundërshtisë së hapur të opozitës, por edhe një pjesë të shoqërisë civile. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave; vendosi: ‘Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi’-thuhet në vendimin e publikuar dje nga Këshilli I Ministrave. E vëçantë gjithsesi mbetet se kjo marrëveshje është nënshkruar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe nuk mban firmën e Ramës. Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj. Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët. Shpenzimet do të përballohen nga Italia dhe sipas përllogaritjeve shteti fqinj do t’i paguajë vendit tonë fondin e parë në shumën 16.5 milionë eurove brenda një 3-mujori. Kohëzgjatja e marrëveshjes do jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll. Marrëveshja pritet të kalojë dhe në kuvend.
Kundërshtitë
Kundër kësaj marrëveshjeje në fillim doli opozita italiane e cila theksoi se kjo binte ndesh me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Emigrantët kryesisht afrikanë që do të kapen në det do të dërgohen në një kamp refugjatësh në Lezhë dhe aty do të trajtohen të gjithë rastet sipas ligjeve në fuqi të Italisë. Fakt është se në vendin tonë do të mbërrijnë të rinj dhe burra, ndërsa gratë dhe të miturit do të mbesin në Itali. Gjithashtu edhe opozita shqiptare doli kundër pasi sipas saj shumë pika të kësaj marrëveshjeje janë në kundërshtim me kushtetutën e vendit. Për më shumë PD-ja zyrtare është shprehur se çështjen do e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë debat të ndezur në të dyja vendet u përfshi edhe BE. Institucioni I Komisionit Europian reagoi duke u shprehur se po eshohin me vëmendje pikat e kësaj marrëveshjeje dhe se nga konsultimi paraprak shihen disa problematika serioze në trajtimin e emigrantëve. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama u shpreh se ndonëse Italia ka kapacitet që një kamp të tillë ta ndërtojë në vendin e saj, përzgjedhja e Shqipërisë është si mënyrë për të frenuar emigracionin masiv me të cilën Italia përballët sidomos në tre vitet e fundit.
Washington Post: Pakti mund të kthehet kundër vendit që pret të anëtarësohet në BE
“Qeveria shqiptare ka prezantuar një projektligj për një marrëveshje kontestuese me Italinë për të trajtuar bashkërisht disa kërkesa për azil të emigrantëve që mbërrijnë në Itali nga deti Mesdhe”, e nis artikullin e saj prestigjozja amerikane ‘Washington Post’. Në shkrimin e saj, ‘Washinton Post’, thekson përplasjet e opozitës shqiptare si dhe asaj italiane me qeveritë përkatëse lidhur me këtë pakt. Ndërkohë, po ashtu pasqyrohet edhe kërkesa e organizatave shqiptare, për tërheqje nga ky plan, si dhe nënvizohen kritikat se si kjo marrëveshje mund t’i kthehet kundër Tiranës, e cila aspiron për anëtarësim në BE. Artikulli i plotë i botuar në median prestigjioze…
“Në fillim të këtij muaji, kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni njoftuan një marrëveshje pesëvjeçare në të cilën Shqipëria ka rënë dakord të strehojë deri në 36,000 emigrantë në vit, ndërsa Roma shpejton kërkesat e tyre për azil në Itali. Projektligji i Shqipërisë do të votohet në parlamentin prej 140 vendesh ku socialistët qeverisës të Ramës kanë 74 mandate. Ndonëse ende nuk dihet se kur do të votojë Parlamenti. Opozita shqiptare është kundër planit, ndërsa shqiptarët janë të përçarë. Rama e konsideron marrëveshjen si një gjest reciprok ndaj Italisë, e cila në vitin 1991 priti mijëra shqiptarë që ikën nga varfëria pas rënies së komunizmit. Komisioni Evropian ka kërkuar më shumë detaje. Marrëveshja është kritikuar nga organizatat e të drejtave dhe grupet e tjera dhe mund të rezultojë kundër Shqipërisë, pasi ajo aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Partitë opozitare të krahut të majtë të Italisë protestojnë kundër marrëveshjes. Italia është zotuar të paguajë për ndërtimin e dy qendrave që mund të mbajnë deri në 3000 emigrantë në të njëjtën kohë. Meloni ka thënë se pret që ato të bëhen funksionale pranverën e ardhshme. Shqipëria ofron dy lehtësira duke përfshirë portin e Shëngjinit, një pikë turistike rreth 75 kilometra (46 milje) në jug të kryeqytetit, Tiranës. Ata që do të deportohen do të dërgohen në Gjadër pranë portit të Shëngjinit, në një ish-aeroport ushtarak. Shqipëria do të merret me sigurinë e jashtme për dy qendrat, të cilat do të jenë nën juridiksionin italian. Italia ka rënë dakord të largojë personat, aplikimet e të cilëve për mbrojtje ndërkombëtare do të refuzohen, por marrëveshja nuk përshkruan se si do të riatdhesohen, që shpesh është një proces i gjatë dhe i vështirë. Marrëveshja gjithashtu nuk thotë nëse emigrantët do të kontrollohen për t’u transferuar në Shqipëri në det apo në tokën italiane”.