Në varrezat e Dëshmorëve në Tiranë janë mbajtur dje disa ceremoni për 79-vjetorin e çlirimit të vendit. Krerët e shtetit, Begaj, Nikolla e Rama, por edhe kryebashkiaku i Tiranës Veliaj vendosën kurora me lule në memorialin ‘Nën Shqipëri’.
Opozita e djathtë si çdo vit nuk festoi, ndërsa Partia e Lirisë e Ilir Metës i qëndroi besnik traditës, duke kremtuar dje. Në Shkodër për herë të parë bënë homazhe tek varrezat e Dëshmorëve më datë 29.
Si çdo 29 Nëntor Memoriali ‘Nënë Shqipëri’ në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë priti edhe këtë të mërkurë nderimin për të gjithë të rënët për çlirimin e Shqipërisë. Është e njëjta situatë, i njëjti debat dhe po e njëjta ndarje. Të majtët e përkujtojnë çlirimin e vendit nga naizizmi më 29 nëntor, ndërsa të djathtët më 28. Ky debat sa historik aq edhe politik ka vijuar edhe ditën e djeshme. Me ceremoni dhe homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit është përkujtuar në Tiranë 79-vjetori i Çlirimit të vendit. Krerët e shtetit, Bajram Begaj, Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, si dhe kryebashkiaku i Tiranës Veliaj dhe personalitete të tjera vendosën kurora me lule në memorialin ‘Nën Shqipëri’. Opozita e djathtë si çdo vit nuk festoi, ndërsa Partia e Lirisë e Ilir Metës i qëndroi besnik traditës, duke kremtuar dje. Presidenti Bajram Begaj ishte i pari që vendosi kurorën me lule, ndërsa më pas në një postim në Facebook uroi të jithë shqiptarët. “Gëzuar festën e Çlirimit Shqipëri! Nderim përjetë atyre që me guximin, trimërinë dhe sakrificën e tyre sublime, na dhuruan lirinë!”, shkroi Begaj. Pas kreu të shtetit, ishte Kryeparlamentarja Nikolla që nderoi ndërsa në urimin e saj e quajti monumentale rolin e Shqipërisë në luftën e dytë botërore. “Çlirimi i Shqipërisë është një vepër monumentale e partizanëve shqiptarë, të mbështetur nga populli, të cilët në Luftën e Dytë Botërore e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë”, shkroi Nikolla. As Kryeministri Rama nuk foli për mediat pas vendosjes së kurorave me lule në memorialin ‘Nënë Shqipëri’ teksa zgjodhi dhe ai të uronte përmes postimit në Facebook. “Mirëmëngjes dhe bashkë me urimin për festën e madhe të çlirimit, ju uroj të gjithëve një ditë të paqtë”, shkruan Rama. Pas krerëve të shtetit vendosën kurora me lule edhe zv. ministri i Mbrojtjes i shoqëruar nga Shefi i Shtabit, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj etj. Të rënët që e renditën Shqipërinë në krahun e fituesve në Luftën e Dytë Botërore, u nderuan edhe nga trupi diplomatik në Tiranë. Edhe këtë herë mungoi në festime opozita e djathta, e cila i qëndron besnike 28 nëntorit si edhe ditën e Çlirimit të vendit, duke mbajtur gjallë debatin e vjetër. Besnik nga ana tjetër nga opozita të kaluarës së tij të majtë i ka qëndruar Ilir Meta, i cili bashkë me drejtuesit më të lartë të partisë ka bërë homazhe një orë më vonë në memorialin ‘Nënë Shqipëri’. “Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare do të mbetet gjithmonë një frymëzim për të gjithë brezat që duan një Shqipëri të lirë, europiane, të zhvilluar dhe të begatë”, shkruan Meta. Për herë të parë pas 32 vitesh, përfaqësues të pushtetit vendor në Shkodër u bënë pjesë e ceremonive përkujtimore. Ka qenë vetë kryetari i bashkisë Benet Beci, i cili ka vendosur kurora në nderim të të rënëve ne luftën për çlirimin e vendit. Ndërkohë si çdo vit në ceremoni nuk munguan komunistët, idhtarët e ish diktatorit komunist Enver Hoxha. Shqipëria u çlirua 29 nëntorin e vitit 1944, kur nga Shkodra u larguan nga vendi edhe forcat e fundit të Gjermanisë naziste.