I riu që ishte votuar dikur si ‘burri më i pashëm në Itali’, ka hequr dorë nga puna me modeling-un për t’u bërë prift, raportojnë mediat .
21 vjeçari Edoardo Santini, ishte votuar si më i pashmi në Itali në 2019, në një konkurrim të organizuar nga grupi i modës ABE.
Por pasi studioi dramaturgji e kërcim me ëndrrën për t’u bërë i famshëm, tani ai bën krejt të kundërtën duke hequr dorë nga karriera për t’iu dedikuar besimit të tij.
Në moshën 21 vjeçare ai do të bëhet prift, teksa Edoardo thotë se ‘dashtë Zoti’ do të hyjë në seminarin e studimit kristian në Firence.
“Kam vendosur të heq dorë nga modelimi, aktrimi dhe kërcimi, pasi dua t’i jetoj ndryshe ato duke ia ofruar Zotit”, tha djali i lindur në Castel Fiorentino.
Duke sqaruar më tej ndjekësit në rrjete sociale ai shpjegonte: “Kam pasur mundësinë të takoj disa njerëz që më dhanë forcën të hetoj këtë çështje që e kam pasur që kur isha i vogël, por disa frika më kishin ndaluar ta eksploroja më shumë”.
“Vitet e fundit kam pasur mundësinë të njoh njerëz të mrekullueshëm që më lejuan të njoh artin e vërtetë. Unë nuk do të braktis të gjitha pasionet e mia por do t’i ridimensionoj ato në kontekste të tjera”.
Në një video të shpërndarë në faqen e tij në Instagram i riu shihej duke u lutur në kishë me komentin: “U riktheva te rruga ime”
Ndërsa në përshkrimin e vetes në rrjet ai shkruan se është “një kristian, aspirant për prift”.
Edoardo kishte marrë titullin e bukurisë në edicionin e 40-të të kompeticionit Il Bello d’Italia në Avellino në 2019.
Edoardo më parë postonte foto të vetes si model dhe gjatë pushimeve./E.Ç