Ekzistojnë disa hipoteza për prejardhjen e emrit Tiranë. Njëra hipotezë është që emri Tiranë vjen nga fjala Theranda, e përmendur në burimet e lashta greke dhe latine, që vendasit e quanin “Të ranat”, meqë fusha ishte formuar si rezultat i materialeve të ngurta që sillnin ujërat nga malet përreth.
Në një nënversion të kësaj hipoteze Tirana ose Tirônë, siç quhet në dialektin e vendit, e ka origjinën nga mënyra se si thirreshin banorët e këtij vendi.
Duke qenë se popullsia e vendosur në këtë territor vinte kryesisht nga malet e zonës përreth atëherë nga vendasit ato quheshin “Të rônë” (të rënë).
Edhe sot, në gjuhën e përditshme, për familjet që vijnë nga zonat malore përdoret shprehja “kanë rënë (psh) në Durrës” (apo diku tjetër).
Hipoteza e dytë është që emri Tirana vjen nga Tirkan. Tirkan ka qenë një kështjellë në shpat të malit të Dajtit.
Akoma ekzistojnë rrënojat e kësaj kështjelle të lashtë që daton në fillimin e shekullit të parë para lindjes së Krishtit dhe mendohet të këtë qenë kështjella që historiani bizantin Prokop (shek.VI), e quan kështjella e Tirkanit.
Hipoteza e tretë është që emri Tirana vjen nga Greqishtja e Vjetër Tyros (Τuροc) që do të thotë bulmet.
Në fushën e Tiranës, bëhej tregtimi i bulmetrave nga barinjtë e zonave përreth.
Me siguri dihet që për herë të parë emri i Tiranës përmendet në vitin 1418 në një dokument të Venedikut./ S.M