Këtë vit, Bashkimi Evropian do të përqendrohet në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, që do të zhvillohen në të gjithë bllokun 27-anëtarësh nga data 6 deri më 9 qershor.
Janë kryeministrat dhe presidentët e vendeve anëtare ata që i zgjedhin kandidatët për këtë rol, duke përzgjedhur shpesh në mesin e grupit të tyre.
Gjithashtu, duhet të ketë një shtrirje të mirë gjeografike, që do të thotë se pozitat u shpërndahen njerëzve nga pjesët veriore, jugore, perëndimore dhe lindore të BE-së.
Ky sezon i zgjedhjes së posteve, si në prapaskenë ashtu edhe në publik, nisi në fillim të këtij viti me Charles Michelin – presidentin e Këshillit Evropian, i cili përcakton drejtimin politik dhe prioritetet e BE-së – i cili, më 7 janar, njoftoi se do të garojë si kandidat për zgjedhjet e Parlamentit Evropian.
Ky njoftim i papritur do ta rrisë vëmendjen e liderëve të BE-së, pasi hap mundësinë që kryeministri hungarez, Viktor Orban – i cili është i përfshirë në mosmarrëveshje të ndryshme me bllokun sa i përket sundimit të ligjit në vendin e tij dhe shpesh nuk është treguar bashkëpunues me Brukselin, sidomos për Ukrainën – të bëhet president i Këshillit. Orban nuk do të ishte një zgjedhje e dëshiruar në Bruksel apo në shumicën e shteteve anëtare.
I padisponueshëm – Sfidat kalendarike të Orbanit për skenarin e Këshillit Evropian
Orban mund të bëhet president i Këshillit vetëm në bazë të një teknike. Sipas rregullave të BE-së, nëse nuk ka një president të përhershëm të Këshillit Evropian – pozita aktuale e Michelit – vendi që mban presidencën e radhës gjashtëmujore të BE-së, merr përsipër funksionet e presidentit. Dhe, Hungaria është shteti që do ta ketë presidencën e radhës nga 1 korriku.
Megjithatë, kjo ka pak gjasa të ndodhë. Michel, nëse zgjidhet në Parlamentin Evropian, vendin e tij pritet ta marrë në mes të korrikut. Dhe janë dy samite të BE-së, të planifikuara tashmë për në qershor, për t’u pajtuar për tri pozitat e larta, dhe shanset janë të mëdha që të gjendet një pasardhës.
Në votimet e Këshillit Evropian, nuk ka mundësi vetoje për Hungarinë apo ndonjë vend tjetër. Vendimet merren nëpërmjet votimit me shumicë, duke u mbështetur kështu në 55 për qind të shteteve anëtare të BE-së, që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së.
Normalisht, presidenti i ri i Këshillit do ta merrte pozitën e tij në fund të vitit. Mandati i Michelit, për shembull, zgjat deri më 30 nëntor. Por, ky vakum i mundshëm i pushtetit midis përzgjedhjes së mundshme të pasuesit në qershor dhe marrjes së detyrës në fund të vjeshtës, nuk ka gjasa të krijojë një derë të pasme për Orbanin, pasi pasardhësi i zgjedhur mund ta nisë mandatin që në verë. Nisja e hershme do të kërkonte vetëm një ndryshim në rregullat e procedurës, që mund të arrihet me një shumicë të thjeshtë.
Çka tjetër?
Lënë mënjanë politikën e brendshme, janë disa çështje të tjera që do të kenë vëmendje këtë vit, sidomos në lidhje me Ukrainën, dërgesat e armëve, zgjerimin e bllokut dhe sanksionet kundër Rusisë.
Më e ngutshme nga këto çështje është ndihma financiare për Ukrainën, sidomos pasi Hungaria ka bllokuar një paketë prej 50 miliardë eurosh të destinuara për Kievin.
Domethënia “e fshehtë” e dy fjalive të BE-së për Ukrainën
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se vendi mund të mbijetojë pa para në tremujorin e parë të vitit 2024. Zyrtarë të BE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se paketa ka të ngjarë ta marrë dritën jeshile kur udhëheqësit e BE-së të takohen për një samit tjetër në Bruksel më 1 shkurt.
Ajo ka të ngjarë të shkojë përpara për disa arsye. Si fillim, shumë besojnë se Hungaria e ka tepruar në dhjetor të vitit 2023 kur ka bllokuar paketën e ndihmës për Ukrainën. Hungaria ka qenë atëkohë kundërshtarja e vetme. Sllovakia – nën sundimin e populistit të krahut të majtë, Robert Fico, që nga tetori i vitit të kaluar – nuk është rreshtuar me Budapestin siç kanë pritur disa. Duket se gjendja e rëndë ekonomike e vendit dhe fakti që është vend i Eurozonës e kanë moderuar reagimin e Bratislavës.
Paketa prej 50 miliardë eurosh, që pritet të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027, është gjithashtu pjesa më e madhe e rritjes afatmesme të buxhetit të BE-së. Disa miliarda janë caktuar për të menaxhuar migrimin, për të ndihmuar bllokun që t’i luftojë fatkeqësitë natyrore dhe për të ofruar më shumë ndihmë ekonomike për Ballkanin Perëndimor – të gjitha këto nisma që mbështeten nga Budapesti.
Për këtë arsye, zyrtarët në Bruksel dhe disa shtete anëtare duan t’i mbajnë të gjitha së bashku – ose miratohen të gjitha, ose asgjë.
Pesëdhjetë miliardë eurot përbëhen nga 33 miliardë euro kredi të garantuara nga buxheti i BE-së dhe 17 miliardë euro grante.
Por, në vend të Ukrainës, Hungaria mund t’i përqendrojë përpjekjet për veto në procesin e zgjerimit.
Mes bujës, udhëheqësit e BE-së kanë vendosur në dhjetor t’i nisin bisedimet e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Për Bosnje e Hercegovinën kishte një dritë të pjesshme jeshile për fillimin e bisedimeve, por vetëm pasi Komisioni Evropian të raportojë – më së voni deri në mars – për përparimin e reformave të ndryshme.
Çështja këtu është se bisedimet de facto të anëtarësimit në BE me Kievin dhe Kishinjevin nuk kanë filluar ende dhe askush nuk e di se kur do të fillojnë.
Sipas disa diplomatëve të BE-së, që kanë folur në kushte anonimiteti, sepse nuk kanë qenë të autorizuar të flasin për këtë çështje, komisionari i zgjerimit të BE-së, Oliver Varhelyi – një hungarez i afërt me Qeverinë në Budapest – nuk është shumë i etur për ta përshpejtuar anëtarësimin e Ukrainës në BE.
BE-ja vendos t’i hapë bisedimet për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë
Për më tepër, edhe disa vende anëtare të BE-së nuk duken të gatshme për të proceduar me shpejtësi, pasi thonë se blloku duhet t’u nënshtrohet reformave institucionale përpara se të ndodhë ndonjë zgjerim i mëtejshëm.
Sa u përket sanksioneve kundër Rusisë, BE-ja ka miratuar paketën e saj të 12-të pak para Krishtlindjeve dhe ekziston mundësia që një paketë e re të miratohet rreth përvjetorit të dytë të pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit.
Por, meqenëse industritë ruse bërthamore dhe të gazit ka të ngjarë të mos jenë në shënjestër, nuk ka shumëçka tjetër që mund të sanksionohet.
Një mundësi është që BE-ja të konsiderojë një ndalesë më të gjerë të produkteve që nuk lejohen të kalojnë transit nga Rusia, ta ndalojë ose ta zvogëlojë ndihmën shtetërore për kompanitë e BE-së që ende bëjnë biznes në Rusi, ose ta përdorë instrumentin – deri tani të paprekur – për të sanksionuar kompanitë e vendeve të treta që bëjnë biznes me Moskën.
Janë, gjithashtu, rreth 300 miliardë euro asete të ngrira ruse në bllok. Në dhjetor të vitit 2023, Komisioni Evropian ka paraqitur një plan për t’i konfiskuar ato dhe për t’i shfrytëzuar për rindërtimin e Ukrainës. Pavarësisht shqetësimeve të anëtarëve të Eurozonës se një lëvizje e tillë mund ta minojë pozitën e euros si monedhë ndërkombëtare, G7-ta, apo grupi i shtatë vendeve më të industrializuara, është duke i vazhduar bisedimet.
Dhe, në fund, BE-ja do të përpiqet t’i vazhdojë dërgesat e armëve në Ukrainë. Megjithatë, kjo nuk ka gjasa të bëhet përmes Mjetit të përbashkët Evropian të Paqes, pasi Hungaria vazhdon të bllokojë një këst prej 500 milionë eurosh dhe Gjermania ka vënë në dyshim ligjshmërinë e mbushjes së fondit me më shumë para. Në vend të kësaj, rritja e ndihmës dypalëshe duket se është rruga përpara, për momentin.
Provë e madhe për BE-në do të jetë nëse arrin të dërgojë 1 milion fishekë municionesh 155-milimetrash në Ukrainë deri në fund të marsit, siç ka premtuar vitin e kaluar. Ka pasur disa raporte që BE-ja nuk do ta përmbushë afatin. Kjo do të varet kryesisht nga kapaciteti i BE-së dhe nga presioni që Brukseli mund të ushtrojë në industrinë e mbrojtjes në muajt e ardhshëm./ REL