Arthur Brooks është profesor në Harvard dhe ekspert i lumturisë. Ditët e fundit, ai ishte i ftuar në një puntatë të “Today With Hoda & Jenna” në rrjetin televiziv NBC për të promovuar librin e ri “Build the Life You Want: The Art and Science of Getting Happier”. Gjatë diskutimit, Brooks u pyet nga Jenna Bush Hager për një gabim që prindërit bëjnë në lidhje me lumturinë dhe ai theksoi një çështje me të cilën përballet shumë shpesh: prindërit nuk i lejojnë fëmijët e tyre të jenë të pakënaqur.
“Një nga gjërat që shoh është se prindërit janë shumë të trembur që fëmijët janë të pakënaqur,” u përgjigj Brooks. “Ata mërziten për këtë. Shumë prindër të modelit ‘helikopter’ mendojnë për ndjenjat e fëmijës gjatë gjithë kohës dhe përpiqen të fshijnë ndjenjat e këqija dhe ky është një gabim”.
Shënim: Një prind-helikopter është një term për një prind që është i vëmendshëm dhe tepër i frikësuar nga përvojat dhe problemet e një fëmije, veçanërisht jashtë shtëpisë dhe në institucionet arsimore. Ata kontrollojnë çdo aspekt të jetës së fëmijës.
“Fëmija juaj duhet të jetë i/e gjallë,” vazhdoi ai. “Fëmija duhet të mësojë, duhet të rritet. Ju doni që fëmija të ketë një jetë të mbushur me lumturi, por jo gjithmonë ndodh kështu,” theksoi profesori.
Kur prindërit me qëllim të mirë i mbrojnë fëmijët nga pasojat (të tilla si bërja e detyrave të shtëpisë për ta, në mënyrë që ata të mos kenë probleme në shkollë), kjo u heq fëmijëve mundësinë për të nxitur pavarësinë për të përjetuar ndjenja të mëdha dhe të pakëndshme si dështimi dhe trishtimi.
Studimet kanë treguar se kur prindërit ndërhyjnë në mënyrë të panevojshme, të gjithë ndihen më mirë për një periudhë të shkurtër, por përjetojnë më shumë stres në një periudhë më afatgjatë./E.Ç