Ndryshime në draftin e qeverisë për bastet online

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryetari i komisionit, Eduart Shalsi, prezantoi riformulimin e disa neneve që, sipas tij, kanë ardhur nga një proces konsultimi i grupit të punës së ngritur nga Ministria e Financave dhe stafi teknik i parlamentit dhe pas konsultave me grupet e interesit.

Sipas këtyre ndryshimeve, dhënia e licencave për kompanitë që do të operojnë në këtë treg do të bëhet me prokurim publik dhe do të ngrihet një mekanizëm i ri për sigurinë e sistemit.

“Elementi shtesë i propozuar është që të organizohet me garë, me kritere vlerësimi, në ofrimin e ofertës më të mirë ekonomike”, tha Shalsi, ndërkohë që në propozimin fillestar përzgjedhja e tyre bëhej nëpërmjet një komisioni të veçantë.

Një pikë shtesë në draft lidhet me sigurinë e sistemit duke vendosur një mekanizëm kontrolli nga shteti përveç monitorimit nga kompania konçensionare për të cilën ka një kontratë në fuqi.

Shalsi e quajti këtë mekanizëm “mirroring” ose efekti pasqyrë, ku çdo veprim që bëhet në platformat e basteve të ruhet dhe një server paralel në Ministrinë e Financave.

“Për të shtuar garancitë për moslejimin e ndërhyrjeve në platformat”, shpjegoi ai duke shtuar se, “sa më strikt kontrolli ndaj kompanive aq më e pamundur është ndërhyrja në koefiçentët e basteve”.

Zëvendësministrja e Financave, Vasilika Vjero, tha se drafti ka pësuar shumë ndryshime duke vënë theksin tek shtimi i anëtarëve të komisionit të dhënies së licencave, me synimin për të verifikuar burimin e financave të kompanive të interesuara.

Ajo tha se, “duke marrë parasysh se shpeshherë të ardhurat apo burimet e financimit nuk janë burime shumë të pastra, për këtë arsye është shtuar përfaqësuesi nga drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave”.

Sipas saj janë forcuar dhe kriteret për kompanitë fituese duke vendosur një shifër limit aksionesh për aksionerët e huaj në kompanitë që do të licencohen.

Gjithashtu ministria e Financave propozon dhe uljen e normave të fitimit që i shpërndahet lojtarëve për bingon televizive dhe llotarinë kombëtare në masën 50 përqind, por komisioni pas dsikutimesh nuk mori një vendim për këtë pikë.

Lexo edhe :  Malltezi: Rama i bëri thirrje SPAK-ut të hetonte Berishën

Vjero theksoi se drafti i përpunuar garanton uljen e informalitetit, por deputetët socialistë kërkuan që ndryshimet e re të japin më shumë garanci për legalizimin e sektorit dhe të përcaktojë mekanizmat mbrojtjës për lojtarët.

Deputeti Erjon Braçe tha se “këto nene nuk janë të mjaftueshme që sektori të shkriminalizohet” dhe vuri në dukje se propozimet e tij nuk ishin reflektuar në ndryshimet e reja.

Ndërsa deputetët Alban Xhelili dhe Pranvera Resulaj ngritën shqetësimin për mbrojtjen e lojtarëve duke kërkuar që ligji të japë më tepër garanci për dekurajimin e tyre për të luajtur. “Qëllimi nuk është të lozin sa më shumë”- tha Xhelili, ndërsa Resulaj shtoi se “po i japim kompanive më shumë mundësi për të fituar dhe prapë lojtarin nuk jemi duke e mbrojtur”.

Por, sipas Shalsit, nuk mund të ketë një formalizim 100 për qind të tregut dhe pse qëllimi i ndryshimeve të ligjit ky është.

Dokumenti i ri i përpunuar nga komisioni nuk është bërë ende publik, ndërkohë që pritet të votohet në seancën plenare të datës 8 shkurt.

Ky projektligj është kundërshtuar nga opozita si një rrezik potencial për pastrimin e parave, ndërsa shoqata e basteve shprehu rezerva për lënien jashtë sektorit të kompanive të vjetra që kanë operuar në këtë treg.

Qeveria shqiptare e targetoi tregun e paligjshëm të lojërave të fatit përmes operacionit “Fundi i Marrëzisë” në vitin 2013, dhe në vitin 2015, miratoi një ligj që u komentua si radikal për frenimin e kësaj industrie.

Megjithatë, lojërat e fatit lulëzuan edhe më shumë pas miratimit të ligjit të ri, çka e shtyu qeverinë të vendoste ndalimin e plotë të tyre në vjeshtën e vitit 2018./O.S

Të fundit

Mero Baze: Salianji bëri dy operacione me diagnozë false

rezulton se është shtruar dy herë në një spital privat në Tiranë gjatë qëndrimit në burg, në një interval...

Lajmi i fundit: Prishet ndërtesa e fundit e paligjshme në Theth

I ka ardhur fundi operacionit të IKMT për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit. Pas një aksioni që zgjati për më shumë...

Dosja e plotë e përplasjes me armë te PSD, zbardhen dëshmitë

Përplasja fizike, që më pas u shoqëruar me përdorimin e një automatiku “Scorpions”, e ndodhur në 29 Prill 2025 në ambientet e zyrës elektorale...

Gazetari: Rama shkatërroi 15 mln euro investime në Theth

Gazetari Artan Hoxha duke folur për situatën në Theth, tha se Kryeministrin Edi Rama ka shkatërruar 15 mln euro investime në Theth. Hoxha u shpreh...

Benet Beci hap dyert për të rinjtë: Ata që e duan Shkodrën, aplikoni!

Pas shkarkimit të administratorëve të njësive bashkiake, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, fton të gjithë të rinjtë për tu bërë pjesë e...

Lajme të tjera

Web TV