Bashkia e Shkodrës do t’i nënshtrohet një transformimi në strukturën e saj që do të shoqërohesh me shkurtim vendesh pune.

Lajmi është bërë me dije nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili nënvizon se bëhet fjalë për persona që marrin rrogën pa ofruar shërbim. Sipas tij, specialistë kanë analizuar situatën dhe kanë dalë në përfundimin se në Bashkinë e Shkodrës rezultojnë të punësuar persona që në fakt nuk japin asnjë kontribut.

Sipas kryebashkiakut të Shkodrës janë përzgjedhur vetëm personat që shërbejnë me profesionalizëm, të cilët do të vijojnë të punojnë në këtë bashki.

“Dita e hënë shënon një hap të ri në funksionimin dhe angazhimin e të gjitha strukturave të Bashkisë Shkodër me vizionin që banorët duan, bashkinë në punë! Nga dita e nesërme, në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak të datës 29.12.2023, hyn në fuqi struktura e re e bashkisë Shkodër e përqendruar te shërbimi, si kryefjalë e funksionit dhe miradministrimit të Bashkisë Shkodër. Struktura e bashkisë, veçanërisht në institucionet e varësisë, kishte shumë pozicione të dubluara dhe specialistë që vetëm kishin emrin në borderotë e rrogave, por nuk ofronin asnjë shërbim për banorët e Shkodrës.

Sigurisht nuk është e lehtë të shkurtosh vende pune. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Por nuk mund të vazhdohet më të paguhen me rrogë njerëz që nuk japin asnjë kontribut në zhvillimin e bashkisë sonë. Qytetarët e Shkodrës nuk e kanë luksin të mbajnë me taksa nga të ardhurat e tyre të fituara me punë e sakrifica asnjë punonjës të tepërt në organikën e bashkisë.

Prej më shumë se dy muajsh administrata e Bashkisë Shkodër është në një proces riorganizimi. Të gjitha drejtoritë e Bashkisë Shkodër kanë analizuar me shumë përgjegjshmëri performancën dhe produktivitetin e punonjësve të varësisë dhe ekipeve që u shërbejnë qytetarëve, duke përzgjedhur ata që shërbejnë me profesionalizëm, ndershmëri, përkushtim dhe dëshirë për punë të mira për Shkodrën. Për administratën e Bashkisë Shkodër nga e hëna fillon një etapë e re, në të cilën puna e motivimi për t’u shërbyer qytetarëve është dhe do të jetë kriteri i vetëm i vlerësimit.”– shkruan Beci.

/O.S