Pandeli Gëllçi: “Dashuritë e mia; familja, Korça dhe pasioni për volejbollin”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një intervistë e rrallë e zhvilluar para një dekade në Quincy Boston, Massachuset, me një nga korifejtë e volejbollit spektakolar të viteve ’70-t, ish – tranierin historik të Ekipit të volejbollit, “Skënderbeu” të Korcës Profesor Pandeli Gëllci.

 Bisedoi: Raimonda Moisiu

E kush nuk do të dëshironte të përligjte sot, të sillte në kujtesë, elitën e shquar historike të sportit shqiptar, ata që bënë historinë e futbollit shqiptar, si legjendat, Arben Minga, Ilir Përnaska. Foto Strakosha, me armatën e tyre nga pas, -apo -në historinë e lojrave me dorë, për femra e meshkuj, si tranierët historikë: Kreshnik Tartari, Pandi Gëllci, Vangjel Koja, Th. Kuke, -apo legjendën Asllan Rusi-e shumë të tjerë -të cilët -me mprehtësi e zell, talent e përkushtim, me njohuritë dhe eksperiencën e tyre ekstensive në taktikat e lojës -na dhanë volejbollin spektakolar të viteve ’70, -një volejboll me përmasa jo vetëm europiane -por në shkallë botërore.
Me “fenerin internetik”, në dorë -gjeta një nga këta korifetj e volejbollit shqiptar, aty – në Quincy Boston, Massachuset, USA, -bashkëqytetarin tim korcar -Profesorin e nderuar Z. Pandeli Gëllci, – ish- tranierin historik, të skuadrës së volejbollit, për femra,:”Skënderbeu “të Korcës- me të cilin zhvillova një intervistë.  Bashkëkohasit e tij shqiptarë e kanë cilësuar:”Shkolla e volejbollit shqiptar”, “Kollosi i Volejbollit, “Mbreti i Volejbollit ” dhe ish -Presidenti Rexhep Mejdani – i jep titullin “Nderi i sportit shqiptar”
Ndërsa të huajt:”Një nga tranierët më të mirë që ka Europa”,
Rusi Karpol: -është vështirë të gjesh në botë një tranier kaq të talentuar që të dijë të stërvitë njëheresh fillestarë e të rritur ‘,
Ndërsa amerikani Terry Condon -Head Volejball Coach, UMass, Boston: – Pandeli Gëllci është një njeri jashtëzakonisht i përkushtuar me njohuri, plot talent e tregon një interes gjenial. Ai është një tranier ekstensiv.
Por mbi të gjitha Professor Pandi Gëllci karakterizohet nga një modesti e fisnikëri e vecantë.
Cilat janë sakrificat, dashuria, pasioni për sportin e bukur të volejbollit, sfidat, konseguencat, mbijetesa, -dhe si arriti ai ta ngrejë volejbollin korcar në lartësinë europiane e botërore, në një kohë kur Shqipëria ishte nën rregjimin komunist dhe e mbyllur totalisht nga bota e jashtëme. Kush janë dashuritë e Profesorit: Familja-Dashuria e jetës sime,  Korca-shprehet Profesori, Jam korcar në gjak e shpirt! Pasioni për Voliejbollin-është jeta dhe profesioni im! Më shumë rreth tyre do t’i mësojmë nga kjo intervistë.

-I nderuar Profesor, së pari Ju faleminderit që pranuat të intervistoheni  Kush është Profesor Pandeli Gëllci dhe dicka nga fëmijëria e Juaj?
Kam dashur, dëshiroj e do të dua që për fëmijërinë time të theksoj: Qarjen e parë, të ardhjes në jetë e lëshova në Korcë, duke përkëdhelur gëzimin e dy prindërve të mij, Dhoksi e Vasil. Vdekja shume shpejt, pas lindjes sime, e babait tim, më coi në Dardhë, fshatin e mamasë, për të zgjidhur vështirësitë e jetës ekonomike të kohës. Kështu gjatë 13 viteve të fëmijërisë, përfshi edhe pubertetin u ndodha, jo vetëm në kudhrën autoritare të dashurisë, sakrificës, punës së gjithanëshme dhe të shumëllojshme, predikimit fetar, këmbënguljes, pranimit të së vërtetës, dhe kundërshtimit hapur të së keqes, nga ana e mamasë sime, por edhe në dhuratat intelekt-formuese -organizuese të komunitetit të Dardhës. E kam për nder që të mësuarit tim filloi dhe hodhi shtat në shkollën moderne të këtij fshati, nën drejtimin e mësuesve fshatarë dhe nxënësve, -zor që e njihnin grindjen. Ky formim, ishte stimulimi i prezantimit në shoqërinë e Korcës, së lindjes, në të cilën përparova si një nxënës dhe një aktivist i shumë-anshëm, midis tyre edhe i sportit. Kam mbaruar Institutin e Lartë Pedagogjik, në Tiranë, në vitin 1957, U diplomova si ” Mësues i gjuhës ruse, kam qënë Pedagog dhe zv/drejtor në Pogradec, më vonë pedagog dhe zv/drejtor në shkollat e mesme të qytetit tim, Korcës, e më vonë në Institutin e Lartë Bujqësor, Sot Universiteti Fan S. Noli.

-Ndonjë kujtim nga jeta e shkollës së mesme apo e lartë?
Kam shume kujtime nga shkolla e mesme, do ju përmënd njërën, që më ka mbetrur në kujtesë.
Flitej se midis Korcës e Shkodrës, ruhej një miqësi e vjetër. Kjo edhe në linjën e sportit. Në vitin 1952, nëntor -dhjetor, kam qenë dëshmitar dhe aktor i një prezence të tillë mbresëlënëse. Në muajin Nëntor erdhi në Korcë një ekip i gjërë e komlpeks i Shkollave të mesme të Shkodrës. I pritëm shumë mirë, duke zhvilluar aktivitete sportive, biseda, veprimtari të tjera argëtuese. Unë u aktivizova në basketball, dhe volejboll. Ishte kënaqësi e madhe. Fushat u mbushën me nxënës e qytetarë. Mezi pritej kthimi i vizitës. Ajo u vendos në ditët e fundit të dhjetorit. Megjithëse pragu i vitit te ri, ne e ndjemë veten si në shtëpinë tone. Ndeshjet u shoqëruan me vizita të ndryshme. Në to gufonte jo thjesht përpjekja për fitore, por solidariteti i ndërsjelltë në mënyrën e realizimit. Ndërsa për jetën e shkollës së lartë do të doja të kujtoja dhimbshëm një moment, të ndryshëm nga i pari. Shumëkush e dinte që une dëshiroja të ndërroja fakultetin për diferenca në vite, që kishte mësim-dhënija e kësaj lënde në Korcë. Mos pranimi i kërkesës më bëri të mbyllem në vetvete e të pasigurt, mbasi unë vija aty me cilësi studimi shumë të mira. Ndërsa iu vura rusishtes, duke neglizhuar lëndët e tjera, një pjesë e kolektivit, më afroi dhe inkurajoi për aftësitë e mija. Shënjë vlerësimi -shërbeu kalimi shumë i mirë i gjuhës shqipe me profesorin kopetent por edhe rigoroz.

-C’mund të na thoni për incidentin me drejtorin e konviktit, në momentin e diplomimit?
Por ndërsa puna po jepte frytet e veta dhe virtytet e mija po shfaqnin personalitetin tim “e keqja pergatiste metodat “demoniane” -6 Nëntor 1956.
Duhet të futeshim në dhomë gjumi prej 4 vetash, si diplomistë. Të gjithë u rregulluan, ndërsa ne jo. Drejtori i konviktit erdhi në dhomën tonë, ku ndodheshin 11 veta të Fakultetit tonë për të na komunikuar vendimin e tij. Të gjithë shokët po diskutonin. Në mbrritjen time dëgjova që iu tha se ai kishte sistemuar disa studentë të viteve të tjera pa të drejtë. Mora fjalën duke përsëritur porosinë e drejtorit me shumë qetësi. Përgjigja ndaj meje ishte sa e papritur aq edhe e ulët. Ai u shpreh:-Kunderrevolucioni ne Hungari kishte marrë fund, se Imre Nagi vdiq, kështu që edhe Koha e Pandi Gëllcit, kishte mbaruar. U largua duke marrë më vehtë fjalët ofenduese nga unë, gjë që më kushtoi me përjashtimin nga konvilkti, por jo nga Fakulteti, falë ndërhyrjes së prindërve të mij, te Ministri i Drejtësisë të asaj kohe, Ramiz Alisë.

-Si trokiti te Ju dashuria për sportin, në mënyrë të vecantë pasioni për volejbollin?
Fshati Dardhë ka patur vlera të gjithanëshme. Me lojrat e verës, ajo na bëri të shkathët, me ato të dimrit na bëri të fortë, të guximshëm, dhe rezistentë. Në Korcë unë spikata në përdorimin e “hekurushkave”, në tatëpjetën e rrugës së ngrirë prej nesh. Me rritjen në moshë, lindi mundësia e përdorimit të skive. Ndërsa cdo ditë luaja futboll, shpesh herë merresha me volejboll. Të luajturit volejboll, më ka joshur qysh në klasën e tretë të shkollës fillore. Mësuesi yne Dh. Kere ishte i pari që na njohu me rregullin kryesor të saj. Lënia e rrjetës gjithmonë në oborrin e shkollës dhe struktura e fshatit na ndihmuan që ta shfrytëzojmë si mjet argëtimi. Prandaj, me zhvendosjen time në qytetin e Korcës, që në shkollën unike, kam luajtur volejboll. Në vitin 1951, duke qënë në shkollë të mesme. kam marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar të Volejbollit, nën drejtimin e Mjeshtrit të Lojrave me dorë F. Meka. Në shkollën e lartë u aktivizova në tre sporte, por volejbollin e stërvita cdo ditë me shokët. Merrja pjesë në Skuadrën e Institutit të Lartë. Më vonë kur u formua skuadra “Studenti”, për herë të parë, luajta me të në kampionatin e kryeqytetit. Duke qënë në prag të profesionit të mësuesit, mendova se mjeti më i mirë për të mësuar nxënësit lëndën, që do u jepja, do të ishte ngritja e një ekipi volejbolli, në shkollën ku punoj. Për të qënë më i saktë në pergatitjen e tij, u paisa me materiale në gjuhën ruse, për këtë sport. Nxënësit e mij, pogradecarë, të dashuruar pas volejbollit, sapo panë tek unë pasionin për këtë lojë, u mblodhën rreth meje. Pa e kuptuar stërvitja mori formën dhe ekipi u bë i njohur. Në përfundim të vitit të parë, ekipi i shkollës me tre të jashtëm, mori barrën e përfaqësimit të rrethit, dhe zumë vëndin e tretë. Në vitin 1960, u shpallëm kampion për Kategorinë e dytë, duke i dhënë Ekipit Kombëtar të të rinjve tre lojtarë. Këto tre vite stërvitje dhe vetmohimit praktik të djemve pogradecarë, janë diploma ime autodidakte të Volejbollit të Madh.

-C’mund të na thoni si u gjendët trainer i skuadrës së volejbollit, “Skënderbeu”?
Isha në Korcën time të zemrës që nga gushti i vitit 1962. Megjithëse transferimi im u pranua në kushte të vështira kuadri, për vlerën si tranier, deri në maj të 1965-ës nuk u pa ndonjë interes për mua. Një ditë të bukur Maji, të vitit 1965, kur po zhvillohej një lojë e femrave të volejbollit, ishte edhe titullari i rrethit. Përgjegjëia e tij mesa u pa, u ndje nga mënyra e të luajturit dhe nga humbja e cila e shpuri ekipin në kategorinë e dytë. Të nesermen, u thirra në Komitetin Ekzekutiv, për të marrë këtë ekip. Fillova të mendoj se si mund të organizohej ky ekip i vështirë. Dikujt i deklarova praninë e vështirësive, por kurresesi nuk do të lejoja diskreditimin.

-Falë kontributit të cmuar energjik, i jashtëzakonshëm, brilant, plot talent e profesionalizëm, një ekpsert – mund të shprehem, -në sportin e lojrave me dorë, c’mund të na thoni se ku qëndronte forca e suksesit Tuaj, në volejbollin korcar,  që me inteligjencë e pasion të vecantë arritët të ngrinit një skuadër në nivel kombëtar e botëror?
Pak më lart iu shpjegova, se në Korcën time, unë isha kthyer si një trainer i Kategorisë së Parë, vendase. I rëndësishëm ishte fakti se praktika e stërvitjes ishte një zbërthim dhe evidentim i asaj që rekomandonte teoria dhe teoria mbi volejbollin e ndjekur prej meje ishte ajo e shkollës më të mirë botërore, për kohën. Momenti më ndihmoi të kapercej inferioritetin e ndjerë nga mbivlerësimi i tranierëve të cilët vinin nga të qenët kuadro të edukimit fizik. Praktika krahasuese tregonte se pesha e njohjes rëndonte në favorin tim. Me fillimin e stërvitjes provova të tërheq mendimin e trainerëve më të mirë të Shqipërisë, për të parë ku isha unë ndaj njohurive të tyre. Përgjigjet e tyre shprehnin njohuri të krahasueshme me të mijat. Mbetej si domosdoshmëri, fillimisht, organizimi i stërvitjes korrekte. Dëshiroj të mësoni një dukuri, ditët e para disa nga vajzat, që rrëzuan ekipin, refuzuan të mësuarit metodikisht drejt. Si pedagog, vendosa të zë lepurin me qere. Ato u lodhën duke luajtur, por pa fituar kënaqësinë e gjuajtjes, për të cilën, përpiqeshin. Ditën tjetër u organizua mbrapsht, motodikisht, por e ashtuquajtura gjuajtje sigurohej prej meje. Iluizioni, se ato dinin të sulmonin, u rrëzua. Kërkuan t’i nënshtroheshin, organizimit stërvitje-mësim, lojë kontroll-shprehish.
Një sekret tjetër i punës sonë është njohja e së resë botërore, sa më shpejt, që në lindje dhe vënia e shpejtë në praktikë. Në këtë mënyrë, ne u njohëm, me konceptet e Periodizimit, të Etapave, dhe përmbajtjes së tyre, të llojeve te Mikro, Messo, Makrociklieve,  të relatives, midis Volumit dhe Intensitetit, në etapë e mikrocikël. Kjo ndihmoi zgjerimin e vazhdueshëm, të të gjithave koncepteve, të nevojshme, duke përdorur metodikën e posacmë. Gjithë ekipet e volejbollit të femrave të vëndit u stërvitën 2 orë në ditë. Ekipi ynë kaloi tre orë më 1973, në 5 orë dhe tre herë në javë, stërvitje mëngjezi dhe lojë zyrtare mbasdite. Sepse, jo vetëm D. Matsu, një “arkitekt” i volejbollit, bëri 4 deri 8 orë në ditë, por edhe mjeshtrat botërorë, teoricienët, Matvejev, Smirnov, Angelman, dhe Ozolin, qysh më 1971, na rekomanduan, metodat e stërvitjes funksionale.
Në rrugë ngjitëse stërvitja u mbështet në shtyllat: Stërvitje e fortë-Periodizim -shkencor me praktikë funksionale: Teori- Edukim-Riaftësim.
Këtu qëndron esenca e punës së fortë me femrat qysh sa mbushin moshën 15 vjecare, këtej lindën talentet në një periudhë 3-4 vjecare: Dhorkë Koco, Myska, Vali, Tamara, Kalemi, Aliko, Ropi, Ismaili, Duni, Qirici, Tasho, Mico, Mati e pas tyre, Stavre e Burda.

-Profesor, më kujtohet që ndeshjet me klubin e volejbollit të “Dinamos” për femra, të udhëhequra nga një tjetër korife, të mirënjohurin, ish -Profesorin tim Z. Kreshnik Tartari, ishin “shumë ndeshje të forta”. Si ishin marrëdhëniet Tuaja kur humbnit apo fitonit me skuadrën kundërshtare?

Një fitore me ‘Dinamon”, sillte kënaqësi jo vetëm të mundësisë së klasifikimit maksimal, por edhe të epërsisë të metodave të stërvitjes. Në mënyrë si është ushtruar influenca e M.P. se Brendëshme në volejbollin për femra, fitorja ishte një “grusht”, mbi të keqen. Me të gjithë kolegët e mij ruaja e ruaj marrëdhenie miqësore. Për Zotin Kreshnik Tartari dëshiroj të sjell shprehjen e tij shprehur Zj. Ibrahimi(sekretares së tij):-A e njihni është Pandi Gëllci, rivali im më i madh, kemi mbetur miq falë qëndrimit të tij. Kolegët e mij në Korcë cuditeshin kur më shihnin në stërvitje të nesërmen e humbjes, më aktiv. Unë synoja cilësinë, humbjen ja lija keqdashësve.

Lexo edhe :  Andrea Marko analizon shortin: Grup 'karakteri' për Kombëtaren, ja si shkojmë në Botëror

-Ju arritët të grumbullonit në skuadrën Tuaj, volejbolliste nga më të mirat në historinë e lojrave me dorë, që mund t’i quaj me plot gojë “Gjigandet” e volejbollit shqiptar spektakolar të viteve ’70, si: të ndjerën Tamara Nikolla, apo shuteren më të mirë të vëndit Dhorkë Kocon, Myzejen Hoxhën, Kalemin, Foton, Qiricin etj. Si arritët i nderuar Profesor ta realizonit këtë?
Më vjen mirë që volejbollistet e mija i quani “Gjigande, të tilla janë. Unë numurit të atyre që sapo përmënde do ju shtoj edhe te tjera, duke i krahasuar me simotrat e tyre, të ekipeve kombëtare. Të tilla janë Duni, Silva Turdiu, Tasho, Mico, Aliko, Burda, Stavre, Eva Kavaja, Ela Tase, Mati. E lashë në fund emrin e Ismailit, jo se e harrova. Ajo është super-talent i pasimit shqiptar. Nëqoftëse është nënvlerësuar, e kam për nder, detyrë e krenari unë ta kujtoj. Fitorja e ekipit Kombëtar në Turqi, ajo me Kinën, në Shqipëri, janë gëzime të nivelit shëmbëllor të organizimit të lojës prej saj. Këto u bënë talente në sajë të diferencimit të aftësive të tyre drejt talentit. Një pjesë i takon grupit me aftësi të mira fizike, edukative, dhe intelektuale, me të cilat ato udhëhoqën veten e tyre, ose fizike, intelektuale, në procesin e stërvitjes për të fituar një talent të vecantë. P. Sh.
Kalemi nuk luante një lloj me lojtaret Tamara e Duni, në të njëjtin pozicion, por ajo paraqiste veten të tillë me ato elemente teknike që kishte mundur, te ngritur në talent, duke e bërë të pakapshme nga kundërshtari.

-Ju jeni martuar me ish mësuesen time të fillores, të dashurën e nderuarën Roza, sa ju kanë mbështetur bashkëshortja dhe familja, në atë kohë, të bukur por shumë punë, stres, edhe kur shijonit gëzimin e fitores e kur humbnit?
Sukseset e punës sime dhe cilësinë profesionale, të verifikuar në ballafaqimet botërore ia dedikoj, Rozës, bashkëshortes sime. Ajo përballoi nevojat familjare për të patur kohë të mjaftueshme për tu marrë me stërvitje deri në atë masë sa ajo pranoi të mbajë rreth 8 muaj një volejbolliste në shtëpi.

-Cilat kanë qënë ndeshjet që të kanë lënë më shumë mbresa?
Ndeshja me ekipin Kombëtar të Kinës, në Korcë, me atë jugosllav në Rumani, me “Dinamon” në Vlorë dhe me Kampionen polake në Korcë. Ndeshja e parë ka qënë e një cilësie të krahasuar në nivelin botëror. Ela Tase në ndihmë, ka bërë lojën më të bukur, Pronjari po ashtu, i dha përgjigje cudisë sime përse unë e mora. Katër korcaret e talentuara të lojës, Tamara, Kalemi, Ismaili dhe Aliko, ishin dëshmi e gjallë e punës së bërë me ngarkesa të larta. Në Rumani, Tase kulmore, refuzoi nderrimin e propozuar nga traineri i klubit të saj, në momentin që jugosllavet, ishin vënë poshtë, katër korcaret, e përmëndura më lart, e zbërthyen bllokun e lartë me lojë të shpejtë. Shaka dhe Iftiu, në ndërrim, midis tyre i shërbyen fitores. Në Vlorë, “Skënderbeu”, fitoi, ndaj “Dinamos”, por përfaqësuesit e Mnistrisë së Brendëshme, thirrën artbitrin, para setit të pestë, për t’i dhënë fitoren”Dinamo”. Ndeshja me polaket u fitua, Duni, Ismaili, Tasho, Mico, Burda, e Mati. Llogaritje matematikore e forcë në sulm, dhe mbrojtjen e dyanëshme. Loja-Konfirmim, e perllogaritjeve, shkencore, të marrjes së Formës Sportive.

-Aktualisht ndodheni jashtë atdheut, në USA, A i ndiqni zhvillimet në sportin shqiptar, c’mund të na thoni për volejbollin sot në Shqipëri?
Tregoj shumë interes për volejbollin, vecanërisht atë korcar. Më vjen keq që ende, është larg, asaj që duhet. Korca ka elemente, adapt femëror, Universitetin dhe para. Duhet kthyer së pari, dashuria për Korcën. Për këtë është e pamjaftueshme të qënit korcar, fizikisht. për të qënë i tillë duhet të ekzistojne brenda vehtes, virtyte morale madhore.

-Ka rastisur që të kanë kritikuar?
Në sport ka shumë të tilla, unë i ndaja kritikat, respektoja ato që dilnin nga thelbi i zemrës, të shikuesve, të shumtë, të cilët, mbushnin këndin sportiv apo Pallatin e sportit. Te tjerat të cilat dilnin nga mediokriteti profesional, bëja sikur nuk i dëgjoja. Ndërsa ato që mbanin erë përfitimi profesional, aq me keq antikorcarizëm, ju qëndroja përballë me aftësi llogjike e kurajo qytetare.

-Një fenomen i shëmtuar sot në sportin shqiptar është shitja e ndeshjeve. A ndodhte kjo në atë kohë?
Po ndodhte, disa persona e përdornin si kumar. Ndonjë sportist e përdorte për interesa personale. Kishte kohë që një volejbollistja ime vepronte në këtë mënyrë, oreksi i madh e bëri të bjerë viktimë e atyre që deshën të përfitonin. U gabua duke më akuzuar se unë e akuzova pa arësye. Por ndodhja para titullarit të rrethit rrëzoi “të keqen “. Frymëzuesit mezi morën frymë kur unë u shpjegova me fakte qëndrimin esaj.

-A është i kënaqur Profesori me atë c’ka ka arritur në atë kohë?
Jam shumë i kënaqur, studiova shkencë -Punova për të krijuar shkencë në bukuri-Luajta me Model shkencor që i takon shekullit të 21. Aktivizimi si tranier në Greqi, Kroaci, dhe USA, me cilësi stërvitore rezultative ma jep këtë të drejtë.

-Si ndjeheni kur lexoni dhe dëgjoni se ka korrupsion në sportin shqiptar? Dhe nuk ka më volejboll spektakolar si dikur? Si mund të ndihmojë shoqëria shqiptare për reduktimin e këtij fenomeni të shëmtuar?
Është një problem me të cilin nuk mund të pajtohet karakteri im, është korrupsioni që u bë shkaktar, për largimin tim, nga Ekipi “Skënderbeu”, në vitin 2002. Në rast se do të vazhdojë ta drejtojë sportin korrupsioni, volejbolli shqiptar do të mbetet, mbrapa. Le të mos fryhet dikush se mund të fitojë me Qipron, apo Gjibraltarin, volejbolli shqiptar ka fituar ndaj “shkollave më të përparuara në botë”, si me Italinë, Rumaninë, Poloninë, Kinën, etj, Por në c’gjëndje është sot krahasuar me to, /A e mposhtim sot volejbollin e klubeve greke e turke?
Më vjen keq ta them, por volejbolli është pjesë e jetës së përgjithshme se ajo është mbërthyer keq. Unë mendoj se duhet të fillojë edukimin e vetvetes në dy drejtime: Duke vendosur tranierë dhe drejtuesa të verifikuar për figura të pastra. Të zbulohet e dënohet cdo rast shkeljeje, në USA, kohët e fundit u konstatua se një fituese olimpike përdorte drogë. U dënua nga gjykata dhe u detyrua të kërkojë falje publike. Ju hoq medalja.

-Kanë thënë për Profesor Pandi Gëllcin. . . . . . . .
Bashkëqyterët e mij, korcarë, më kanë shpallur tri herë fitues në anketën 10 sportitët e dy tranierët më të mire.
Sporti shqiptar në vitin 1996 -ë, në anketën më të mirë të shekullit.
Dhorkë Koco është shprehur: -Pandi Gëllci është shkolla e volejbollit shqiptar.
Ish-presidenti Rexhep Meidani, më jep titullin “Nderi i sportit shqiptar”, më 1999.
Astrit Sallakuka ka thënë: -Pandi Gellci është Kollosi i volejbollit shqiptar
Profesor B. Ishka; -Pandi Gëllci -Mbreti i Volejbollit
Te huajt Greqi
Presidenti e Federatës, te Klubit: -Kini marrë një trainer nga më të mirët që ka Europa.
Kroaci: Traineri me i suksesshëm i femrave ruse, Karpol dhe President i Klubit që unë kryesoja në Kroaci ka thënë: -“Shtrëngoheni fort këtë trainer. Është vështirë të gjesh në botë të dijë të stërvitë njëherësh fillestarë dhe të rritura.

-A ka ndonjë gjë në jetën Tuaj që ja sheh gjurmët edhe sot?
VOLEJBOLLI! Ai eshte profesioni e jeta ime. Nëpërmjet tij provova kënaqësinë e punës shkencore, të shprehur në art. Volejbolli kërkoi nga unë aftësimin e vazhdueshëm pedagogjik, psikollogjik, njohjen adaptimin dhe vendndodhjen e gadishmërisë fizike, të lidhur me shkathtësinë (ajrore e tokësore), krijimin e shprehjes origjinale zhvendosjeje në fushë, të kërcimit. Ai më bëri pronar të teknikës, duke përshtatur shpejtësinë e levizjes së topit me aftësitë bashkëkohore për të dalë në ekzekutimin taktik, elegant e spektakolar.
Volejbollit i atribuoj, njohjen fiziollogjike të njeriut, për të vjelë aftësitë maksimale të tij, në moshë e aftësi të caktuara për këto arësye e ndjej veten kopetent, të pavarur e të pa-mplakur edhe ketu ne USA, ku jetoj. Aktivizimi im në UMASS, dhe një marrëveshje e pritëshme janë diplomë e kohës. Kështu e kam parë dhe e shoh të qenët trainer.
-Casti më i vështirë për Profesorin. . . ?
Prill –Maj, 1976
Sekretari i Federatës së lojrave me dorë deklaroi në një mbledhje speciale, se “Dinamo”, nuk dëshironte të dërgonte lojtaret e veta në Ekipin kombëtar, të Th Kukes. Kuptohet pse! Ju dërgua një letër një titullari të lartë qeveritar për këtë
Kërkohej edhe mendimi im, diskutimi im që u parapri nga fjalët “Ky është qëndrim reaksionar”Sugjerova fillimin e stërvitjes, diskutohej qëndrimi i im dhe i TH. Kukes, të mos ndërpritej.
O Zot i madh! Cfarë intrigash, prapaskena deri në “terrorizëm të hapur shtetëror” duke i drejtuar letër ministrit të arsimit të kohës, për të nderuarin Thoma Kuke e qëndrimin një farë Pandi Gëllci. Falsifiteti i këtij veprimi jo vetëm u diskreditua me humbjen e ekipit, por edhe me rithirrjen time si trainer i parë.

-Jetoni në Quincy, Massachuset, USA, a e ndiqni volejbollin amerikan dhe cfarë do të dëshironit të kishte volejbolli shqiptar nga ai amerikan?

I njoh të gjitha e i ndjek të gjitha nivelet e volejbollit amerikan. ai plotëson të gjitha kërkesat e të interesuarve, në shkolla e jashtë saj. Niveli më i mirë është ai kombëtar. Ai është konkurues për top- rezultat pas këtij janë kolegët dhe Universitetet, që kanë nivel shumë të mire, Divizioni i parë quhet.  Koncepti për stërvitjen ndryshon nga ai shqiptar. As traineri dhe as lojtari nuk diskuton se sa orë stërvitje do të kryejë 3-6-apo 8 orë.

-Cilën ëndërr, nuk keni realizuar?
Kam dëshirë të punoj me një ekip të Divizionit të parë, do të vija në provë veten dhe dy tregues themelorë, që më kanë munguar:Gjatësia e lojtareve dhe në të njëjtën kohë mundësia e të qënit të tyre lojtare të pergtitura për disa vjet. Ëndërroj të ballafaqohem.

 

-I ruani marrëdhëniet me miqtë Tuaj?
Sigurisht i ruaj, u njohëm në sacrifice, i kujtoj me respekt të gjithë.

-C’ju lidh me Korcën. . . ?
Së pari aty linda qava e qesha për herë të parë në jetë, jam korcar në gjak dhe shpirt, i tillë do të mbetem. Edhe në sport kam dashur të tregoj se cfarë janë në në gjëndje të bëj, jo vetëm por edhe bijtë e bijat e tjerë për Korcën tonë, Korca është gjithshka për mua.

-Dicka që doni të shtoni për veprimtarinë Tuaj?
I kam borxh atij kolektivi vajzash, i cili në shtrirje kohore është i madh dhe i ndryshëm, i paharruar. Puna, lodhja, sakrificat, kontributi, gëzimi i fitores, pjekuria si e prisnin humbjen, dhe eleganca e lojës, janë të paharrueshme. Ndjej përgjegjësi moralre ndaj volejbollit korcar e kombëtar, që eksperienca dhe historia, e cila u krijua me modele të avancuara të kohës, të vlërësohet dhe eksperimentohet, të mos neglizhohet për interesa përfitimi, si kanë bërë deri më sot.

 

-Mesazhi që doni t’i përcillni brezave të ardhshëm të sportit shqiptar, në vecanti atij korcar?
Mesazhi im është ky; -Shqipëria dhe Korca, si në volejboll edhe në degë të tjera të sportit i ka potencialet, talentet, burimet energjike, intelektuale, fizike e mendore, për aftësi konkuruese në Evropë e botë. Trainerë të mirë e të afirmuar, vendi ynë ka plot. Të jetosh e të bësh sport volejboll, përballë krijuesit e metodistit V, Koja, teoricienit të talentuar A. Kona, , trainerëve K. Tartari, Cifti Lala, LL. Llupo, I Cironaku, F. Sharofi, L. Tase, Gorenxa dhe femrave M. Hoxhalli dhe A. Demiri, ta kesh nder, meritë dhe fat. Duhet hequr dorë nga metodat burokratike për të vendosur specialistin sipas konsideratave politike e personale. Specialisti është produkt i trurit të aftë dhe investimit të madh, duke mësuar me punën e fortë dhe të madhe, nuk ka rezultat pa punë, nuk ka garë pa ndeshje pa riaftësim, të organizimit. Vonesa ka pasoja për cilësinë, shpresoj që volejbollin e Korcës ta shoh me cilësi udhërrëfyese, atë shqiptar mbi nivelin europian.
Ju faleminderit!
Ju uroj Jetë të gjatë e Suksese!
Intervistoi: Raimonda Moisiu

 

Të fundit

U asfiksuan nga rrjedhja e gazit, humbin jetën dy persona në Tiranë (EMRAT)

Dy persona kanë humbur jetën në një banesë në kryeqytet pasi janë asfiksuar nga rrjedhja e gazit. Viktimat janë identifikuar...

FOTO/ Publikohen pamje nga dasma e Lori Hoxhës dhe Vis Bajraktarit

Dasma më e përfolur e vitit padiskutim që ka qenë ajo e presidentes së Top Medias, Lori Hoxha me biznesmenin e njohur Vis Bajraktari....

Orgjia e armatimit të BE-së/ E keqja e nevojshme apo pranimi cinik i militarizmit?

Panagiotis Zafeiropoulos “Nëse duam të jemi bindës dhe të besueshëm në politikën tonë të jashtme, duhet të tregojmë çdo ditë se jemi të gatshëm të...

Të shtëna me armë zjarri në Parlament! Vritet deputeti

Deputeti Vakhtang Golandzia u qëllua me armë zjarri brenda ndërtesës së parlamentit, njoftoi shërbimi për shtyp i presidencës së rajonit sot (19 dhjetor 2024). Ndërkohë mësohet se...

Andrew Tate dhe vëllai i tij ‘korrin’ fitore të rëndësishme në Gjykatë

Influencuesi kontrovers Andrew Tate ka siguruar një fitore ligjore sot pasi një gjykatë rumune refuzoi ta gjykonte atë për akuzat për trafikim të qenieve...

Lajme të tjera

Web TV