Depozitat kanë përshpejtuar ndjeshëm tendencën rritëse në janar, si në monedhën vendase ashtu dhe në valutë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se në muajin janar, stoku i kursimeve në lekë arriti në 593 miliardë lekë, me një rritje prej 2.43% me bazë mujore, ose 14 miliardë lekë më shumë.
Shtesa e kursimeve në lekë ka ardhur tërësisht nga likuiditetet e bizneseve. Kursimet pa afat të korporatave të tjera financiare arritën në 108 miliardë lekë, me një rritje prej 18.3% në krahasim me muajin e mëparshëm. Kjo është rritja më e madhe mujore e depozitave të bizneseve e regjistruar ndonjëherë që kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat nga viti 2006.
Vetëm në një muaj, depozitat e bizneseve u shtuan me 16.7 miliardë lekë, ose rreth 160 milionë euro më shumë.
Në të kundërt ecuria e depozitave të individëve në monedhën vendase ka shënuar rritje të lehtë, me vetëm 0.95% me baze mujore. Në krahasim me një vit më parë, depozitat në lekë janë zgjeruar me 6.7%, ecuria më e mirë e viteve të fundit. që nga muaji tetor 2023, kursimet në lekë po rriten me shpejtësi.
Rriten edhe kursimet në euro
Ndryshe nga muaji dhjetor, kur kursimet në euro qëndruan në vend, pavarësisht se dhjetori tradicionalisht ka tendencë rritëse për shkak të prurjeve të emigrantëve, muaji i parë i këtij viti ishte më pozitiv.
Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në monedhën e përbashkët arritën në 7.4 miliardë lekë, me zgjerim prej 1.% me bazë mujore, ose 96 milionë euro më shumë. Ndikimin kryesor në këtë tendencë e kanë dhënë kursimet e individëve.
Me bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur me 16%, ose rreth 1 miliardë euro më shumë./Monitor