Ish-kryeministri i shpallur “non-grata” Sali Berisha, ka folur për median shtetërore italiane, RAI, në një dokumentar investigativ rreth marrëveshjes Rama-Meloni për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri.
Berisha ka theksuar në intervistë se ndodhet në arrest politik.
Më tej, ai ka folur për marrëveshjen për refugjatët për të cilën ka thënë se e ka kundërshtuar për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut.
“Po. Jam në një arrest shtëpie për proces totalisht politik. Unë nuk jam i akuzuar për korrupsion, por jam vënë nën hetim, por për arsye politike, për frikën që Edi Rama ka nga rikthimi Sali Berishës dhe që ka adoptuar këto masa”. Janë këto fjalët që lideri demokrat, Sali Berisha, tha në emisionin “Report” të RAI 3 dhe që trajtoi çështjen e marrëveshjes Rama – Meloni për emigrantët.
Dokumentari ngriti shqetësimin se milionat e hedhura nga qeveria italiane mund të shkojnë dëm pasi nëse opozita vjen në pushtet ajo nuk do ta rinovojë marrëveshjen pas 5 vitesh kur edhe skadon.
“E kam kundërshtuar këtë marrëveshje për problemin e të drejtave të njeriut. Nuk mund të pranosh që policë shqiptarë apo italianë janë gardianë të të drejtave të njeriut. Jo. Këto kampe duhet të ishin mbikëqyrur nga parlamentar, nga OKB-ja…
Qeveria ime nuk do ta pranojë këtë marrëveshje. Ndoshta qeveria italiane nuk është e lumtur me këtë, por kjo duhet sqaruar” – thotë Berisha./ S.M