Kryeministri Edi Rama do të mbajë takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Greqi, në masa të forta sigurie, por edhe kundështitë politike atje. Çështja “Beleri” për Athinën zyrtare dhe komuniteti shqiptar në Greqi për Ramën… Reagimet që priten sot!
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama do të jetë nesër në Greqi në një prej stadiumeve të rëndësishme në Athinë ku do të mbledhë elektoratin e saj për përgatitjen e zgjedhjeve që do të mbahen në pranverën e vitit 2025. Pasi u sigurua dhe u morën masat nga ana e institucioneve helene, për socialistët gjithçka është gati dhe e vetmja gjë para se të hyjnë në tubimin e madh është të qartësojnë disa gjëra në marrëdhënie me shtetin fqinjë. “Ftesa ka edhe një adresë”, shkruajti në “Facebook” kryeministri Edi Rama më herët, duke ju bërë thirrje shqiptarëve të Athinës dhe rrethinave të saj që të bashkohen në vendin e takimit, stadiumi Galatsi. Si një “rastësi”, më datë 12 maj të vitit të kaluar u arrestua në në Hirarë Fredi Beleri, kandidat i opozitës për kryebashkiak dhe një “grekofil ekstrem” i vetëshpallur prej kohësh. Ndalimi i tij u bë me akuzën e shitblerjes së votave, por për Athinën zyrtare ishte arrestim politik dhe një goditje për atë që ata e quajnë “minoriteti etnik grek”. Shqetësimeve të politikës dhe medias helene që ky takim mund të jetë një hakmarrje politike e kryeministri shqiptar për shkak të kandidimit të Fredi Belerit për zgjedhjet europiane në siglën e Kiriakos Mitsotakis, u mundua t’i jepte përgjigje Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi në një konferencë për shtyp nga selia rozë. “Asnjë lidhje me datën e një vjetorit të arrestimit të kandidatit të opozitës së bashkuar në Himarë, apo asnjë tendencë që ky tur të ndikojë në politikën e brendshme”, është shprehur Blendi Klosi, duke shtuar se “Nuk ka asnjë tendencë që takimi i Athinës të ndikojë në politikat e brendshme të vendit”. Drejtuesit politik në Greqi e kanë parë me shumë skepticizëm vizitën e Ramës në këtë kohë, edhe pse ata nuk kanë marrë asnjë masë për ta ndaluar tubimin e organizuar nga Edi Rama. Por Klosi këtë e ka arsyetuar duke hequr një paralele me çfarë takimesh kanë pasur krerët e institucioneve të larta greke në Shqiëpri, e kryesish në Himarë. “Mos të harrojmë se kryeministri i vendit fqinj ka qenë në fushatë elektorale në Dropull. Vetëm dje kreu i opozitës i vendit helen ka qenë për vizitë në Dropull dhe është mirëpritur nga autoritetet.”, tha Klosi.
Takimet
Turi i Ramës në diasporë përkon edhe me atë të rienergjizimit të Partisë Socialiste të përfshirë nga një proces i brendshëm zgjedhor. Ndërkohë numri dy i PS mohon që në këto momente do të ketë ndryshime të drejtuesve politikë të mazhorancës. “Nuk kemi asnjë situatë për të cilën ne të vlerësojmë punën e drejtuesve politikë.”, tha Sekretari i Përgjithshëm në PS. Klosi foli edhe për zgjedhjet dy ditore që do të zhvillohen sot dhe nesër në 5200 organizata socialiste, ku 95 mijë anëtarë aktivë do të zgjedhin delegatët e Kongresit të PS. “PS përcaktoi një sërë etapash në kuadër të rienergjinizmit, e cila në ditët e sotme ka momentin final. 5200 organizata socialiste në shkallë vendi thërret sot plot 95 mijë anëtarë aktivë për të votuar për delegatët e Kongresit të PS. Kjo vjen për zgjedhjen e kryetarëve të çdo organizate të PS. Kemi një ristrukturim të plotë të organizatave të PS. Delegatët e kongresit do të zgjidhen me parimin një anëtar një votë”, tha Klosi ndërsa theksoi se procesi ka nisur dje pasdite.
Vota e emigrantëve
Në një deklaratë për mediat teksa foli për rienergjenizimin e partisë, ai foli për votën e emigrantëve, për të cilën partia e tij ka shprehur vullnetin, por duhet që komisioni të diskutonte për kushtet teknike për realizimin e saj. “Vullneti i PS për votën e emigrantëve është i shprehur. Është sanksionuar vota e emigrantëve. Vizota e Ramës ka të bëjë edhe me këtë dimension kontaktet e shtetit amë me diasporën për të pasur një rienergjizim të raportit të emigrantëve me shteti shqiptar. Përsa i përket raportit me votën e emigrantëve, ne këtë vullnet e kemi shprehur dhe komisioni bipartizan ta diskutonte gjerësisht këtë temë dhe të zbatonte kushtet teknike që kjo votë të realizohej sepse ka nevojë për një procedurë standarde”, tha Klosi.