Rrëfimi i pabotuar/ Alush Majko, si i ruajti varret e 3 gjeneralëve në Vranisht të Vlorës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Sefer Pasha

Të udhëtosh nëpër Lumin e Vlorës këtë pranverë është kënaqësi. Me Namik Jahaj çapojmë për në fshatin Vranisht. Buzë lumit të Kaurit me porosi të Kadri Hazbiut ish kryetari i koopertativës Alush Majko i njohur për instiktin e tij të fortë varrosi nën dritaren e dhomës së gjumit të tre gjeneralët, Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hita Çakon. Trupat e gjeneralëve i mbështollën me qese plasmasi aty ku i pushkatuan në Dajt dhe me një makinë të  frigoriferike i çuan në Vranisht të Vlorës. Kadri Hazbiu që ishte mik i heshtur i tre gjeneralëve e thërret në zyrën e tij në Tiranë Alush Majkon. E këndell dhe e porositë që të tre miqtë e tij t’i varroste në baçen e shtëpisë në Vranisht. Natën e varrimit të largonte familjen. Të mbetej i vetmi dëshmitar. Gjithashtu e porositi që kufomat t’i ruante që të mos ja rrëmbenin. Ka pasur ndonjë mendim që trupat e gjeneralëve të coptoheshin me dinamit dhe të hidheshin ne det. Dhe Aliush Majko veproi sipas porosisë së Kadri Hazbiut. Për të tre gjeneralët dhe me ndihmën e atyre që i prunë kufomat, një natë pa yje dhe hënë, ai hapi një gropë të gjerë buzë lumit të Kaurit. Dritarja e dhomës së gjumit të Alush Majkos ishte tre metra larg në baçen, ku u varros ministri i mbrojtjes Beqir Balluku, Hita Çakua dhe Petrit Dumja.                                                                                                                              Së bashku me Namik Jahajn e takuam Alush Majkon. Ishte 95 vjeç. Namik Jahaj mbushi një bllok me shënime. Atë vit që u varrosën në avlli tre gjeneralët e shoqja i thoshte Alush Majkos. Po më luan fiqiri more burrë! Këtë sene qepët, domatet, laboti, hudhrat, spinaqi, specat, patëllxhanet e fasulet janë bërë si asnjëherë tjetër. Avllia ngjan me një pyll. Nuk e di se çfarë emri t’i vë? Na ruajt zoti. Nuk ka rënë asnjë pikë shi. Aq i madh është bërë kungulli sa kokrrrat e varura anës lumit të Kaurit janë të mdhenj si shkëmbinjtë e Stogoit. Do ta zënë ndonjë çoban nën vete.

Alush Majo e dëgjonte të shoqen dhe sytë i mbusheshin me lot. Perimet ishin bërë pyll në baçe se nën tokë ishin trupat e tre gjeneralëve. Ishte plehu i tyre prandaj kokrra e domates ishte bërë sa një kokë lope. Që kur u varrosën tre gjeneralët Alush Majon nuk e zinte gjumi. Kur e pushkatuan Petrit Dumen kali i tij që quhej “kaprolli” kishte ikur nga Pasha Limani dhe ashtu i egër vraponte nëpër livadhet e Orikumit dhe të Tragjasit. Alush Majkos i dukej sikur anës lumit të Kaurit, ku ishin dhe varret “kaprolli” hingëllinte dhe kërkonte të zotin. Ai përgjonte në dritaren e shtëpisë. Kadri Hazbiu e kishte porositur që t’i ruante mirë “tre vëllezërit e tij”. Prandaj një pjesë të natës e kalonte në fund të varreve. Po të frynte era e fortë e Malit të Stogoit kujtonte se kusarët me kazma e lopata po ja hapnin varrin e madh dhe po ja mernin gjeneralët.

Alush Majko dremiste në fund të varrit të gjerë. Fasulet që i kishte mbjellë e shoqja u ishin qepur herekeve të domateve. I brengosur i thoshte vetes: – Këtu është varri i Beqirit. -Në mes është Hito Çakua. Dhe ai në krahun e dritares së dhomës së gjumit është Petrit Dumja. O zot! Natën gjeneralët bisedojnë? Dëgjoj zëra. Petrit Dumja flet më zë të lart sikur jep komanda. Ka merak për vajzat dhe gruan e bukur. Beqir Balluku kërkon Baki Kongolin që të vijë tek varri e t’i bjerë vjolinës se mbase qetësohet. Kërkon që ta çojnë tek vila e tij në ishullin e Sazanit dhe t’i dëgjoj sërish qyqet që vijnë nga deti. Natën Beqir Balluku fliste më zë të ngjirur. Kurrë nuk ja kam pasur me hile Enver Hoxhës mërmërinte me një theks tiranasi. Kur mora një informacion të sigurt se Enver Hoxhës donin që t’i bënin atentat me snajper që nga shpati i Shashicës e vura në djeni. Ai e verifikoi dhe kur u bind se e dhëna qe e sakt u largua nga vila në Ujin e Ftohtë të Vlorës dhe kurrë nuk u kthye më aty. Në Vlorë Enver Hoxha shtonte në peshë. Ç’është kjo hata? Si do të rrethoja unë me tanke Komitetin Qëndror?! Kurse Hita Çako përsëriste, edhe kur binte borë në Çipin, fjalët që i tha para skuadrës së pushkatimit: – Frikacak! Plumbat nuk më shpojnë dot. I thoni Mehmet Shehut se dardha e ka bishtin prapa. Shyqyr që mëmë zeza nuk është gjallë. Si do bënte kur ta merte vesh se mua më pushkatuan?! Hidhni një gur në Progonat që ai të jetë i lirë. Nga krismat rreth kësaj grope nuk do të vijnë kurrë zogj. Bari i egër do pushtojë livadhe e male. Lulet do të kenë ngjyrën e plumbit. Hëna e trëmbur kur të dëgjoj krisma do ta kthej kokën nga koria në fund të Dajtit.

Kadri Hazbiu i erdhi befasisht në shtëpi Alush Majkos. Ishte natë. Alush Majko nxori një tavolinë në avlli. Aty ku kishte vendosur këmbët ministri qe varri i Beqir Ballukut. Gruaja e Alush Majkos i dha dorën mikut të natës, por nuk e njohu. Ministri në kokë kishte ngjeshur një kapele me strehë si të bunkerve. Do të pimë nga një gotë raki nga kjo që kam sjell unë i tha Kadri Hazbiu. Na sill një çikë djath dhe qepë të njoma. Foli vetëm Kadri Hazbiu. Zbulimet e huaja po i kërkojnë varret e gjeneralëve. Enver Hoxha nuk e di që “vëllezërit” janë varrosur në Vranisht. Sa qe gjallë Beqir Balluku nuk ruhej. Ta ruajmë të vdekur. Nuk do t’i lësh kurrë vetëm. Kur të kesh ndonjë hall do të lësh si roje Çobo Shakën. Alush Majko i kërkoi Kadriut që t’i dërgonte disa pako me fishek belxhiku. Qëllonte shpesh. Ishte larg fshatit dhe krismat nuk dëgjoheshin. I druhej lumit të Kaurit se mos nga grryerjet merrte me vete dhe varrin me tre gjeneralët. I shkreti Beqir tha më dhimbje Kadri Hazbiu. Nuk besonte se do ta pushkatonin. Kur Sigurimi i Shtetit i mori të tre dhe po i fuste në makinë për t’i pushkatuar Beqiri i tha Hitos me të cilin ishin të lidhur dorë për dore: -Hito! -Ku po na çojnë këta? – Në dasëm, në dasëm! – u përgjigj Hita Çakua. Atëherë Beqir Balluku e mori vesh se do të pushkatoheshin.                                                                                        Hita Çako në burg ka mundur që të mbaj dhe një ditar. Një nga gardianët e burgut të cilin gjeneral Hitua e kishte futur në punë e ka ndihmuar. Edhe atë mesnatë kur e pushkatuan ditarin ai e ka pasur në xhepin e rrobave të burgut. Ky detaj është përshpëritur. Nuk dihet nëse kur i prunë kufomat në Vranisht Hita Çako e kishte pasur ditarin me vete. Është mjergull. E pyta Alush Majkon dhe ai më tha se këtë fakt e kishte përmendur dhe Kadri Hazbiu kur i kishte shkuar fshehtas për vizitë në shtëpinë e tij dhe të dy pinin raki sikur të ishin kusar.

Vitet kishin rrjedhur si Shushica. Koha sikur po fundosej. Edhe Kadri Hazbiu qe pushkatuar. Gjatë bisedës Alush Majko më tregoj se atë natë që më erdhi në shtëpi Kadriu qe shumë i mërzitur. Pasi piu nja dy – tre gota me raki nisi të këndoj me zë të ulët këngën e tij të preferuar: – /Kur ngjitesh malit përpjetë//Xhinde mushka, xhinde vetë!/. Edhe unë ja bëra pak iso se e kisha mik në shtëpinë time. Isha aq i trullosur sa më dukej sikur dhe të tre gjeneralët që i kishim tek këmbët po këndonin që nga thellësia e varrit. Dhe ndërsa këndonim i thosha vetes: – Më duket se Shushica do kthehet nga rruga. Nuk i ka mirë punët Enver Hoxha. Retë e zeza të Çipinit çoç më thonë.

Lexo edhe :  "Ndodhi ajo që Hitleri kishte frikë"/ Ministria e Mbrojtjes publikon dokumente arkivore

Fatin e tij Alush Majko nuk e ndante dot me familjen dhe u detyrua që të marë shtëpi të re në Vranisht. Tek varret e gjeneralëve shkonte natë për natë. Perimet në baçe u zëvedësuan me driza, shelgje e lisa. Bobo thoshte Alush Majko. Gjeneralët janë varrosur pa arkivole. Dhe rrënjët e pemëve u janë pleksur me kockat. Edhe Kadri Hazbiun e pushkatuan. Sa mirë do të qe që edhe trupin e tij ta kisha në krah të Beqir Ballukut. Nuk dihet se ku e kanë varrosur mikun tim? Ai ishte në siklet. Tragjedinë e gjeneralëve e vuante në vetmi. Ishte në ankth e pasiguri. Shikonte ëndrra të frikëshme. Era e lumit kuiste si ujk. Një gjëmë po e kanoste Shqipërinë. Fjalimet e Enver Hoxhës shkëlqenin si borërat e malit të Çipnit. Por ishte një shkëlqim i rremë. Bukë misri hanin në Vranisht. Nuk arrinte ta kuptonte pse duhej të pushkatoheshin gjeneralët? Çdo të ndodhte pas shkrirjes së dëborës në Çipin? Edhe Enver Hoxhën do ta mar përpara lumi i Shushicës thoshte si i mallkuar. Pse vetëm Enverin? Të gjithëve. E megjithatë kufomat i mbronte. Duhet të vihen në djeni familjarët. Unë e Çobua u plakëm. Lisat mbi varr po bëhen për t’i sharruar.                                                                                                                                                              Në vetminë e thukët në mes të varreve Alush Majkos i dukej vetja si i vdekur. Era e Çipinit shpërndante lajme kobëzeza. Për dreq në baçe mbin ca lule ngjyrë gjaku. Po t’i prekje ato të “kafshonin” dhe nuk të lëshonin si të ishin qen. Shtëpia e vjetër që filloj të çahej gumëzhinte nga kukumjaçkat. Me fshatarët nuk takohej. I kishte lënë të gjallët. Jetonte me të vdekurit. Pas varrimit të tre gjeneraleve nuk hëngri më fruta dhe perime. Në kokrrat e domateve, të specave e të paterxhaneve ishte “dhjami” i miqëve të tij, të cilët ishin nën tokë. Me të larguar familjen në baçen e gjeneralëve nuk mbolli asgjë. Një bojë njeriu bëhej bari i egër dhe gjëmbi. Çdo natë dëgjoheshin kuisjet e ujqërve të Stogoit.                                                                                                                                            Që kur u varrosën tre gjeneralët Vranishti u bë me dy varreza. Por varrezën e fshatit nuk e ruante njeri. Të vdekurit ishin të qetë. Kurse varreza në baçen e tij që shndërruar në poligon luftimi. Ruhej si të qe bankë shteti.

Alush Majko kishte shumë frikëra. Siç e kishte porositur Kadri Hazbiu rrëmbimin e kufomave mundet ta bënin zbulimet u huaja. Prandaj sytë i bënte katër dhe veshët pipëz. Shqetësimin më të madh po ja sillnin korbat. Ato si të ishin një re e zezë “nusëronin” nëpër pemë. Çarçafi i zi i korbave u binte në sy vranishiotëve dhe sidomos barinjëve. Një bari nga Mesapliku i tha Alush Majkos si me të qeshur: -O Alush Aga! Për ditë a derëzi kërma ther që i mblodhe korbat e maleve në baçen tënde? Alush Majko megjithëse nuk i dha përgjigje u drodh si nga një godtitje rrufeje. Bobo i tha vetes. Korbat e nuhasin se në baçen time ka kërma. Janë kufomat e gjeneralëve, prandaj kakarisin rreth varrit. I kam parë kur me thonjtë e këmbëve dhe me sqep çukisin rreth e rreth varrit. Për dreq varri atë natë nuk u bë shumë i thellë. “Ekipi” që i solli “peshqeshet” nuk donte që ta zinte drita në Vranisht. Megjithëse qëllonte me belxhik korbat fluturonin dhe ktheheshin. Më në fund Alush Majko u detyrua dhe përmbi varr hodhi dhe një ilaç që i helmonte korbat. Ato filluan të ngordhnin. Po sa më shumë që ngordhinin aq më shumë shumoheshin. Kërma shtonte kërmën. O zot fliste me vete: – Mos do dyshojnë vranishiotët se unë i kam varrosur tre gjeneralët në avllinë time?                                                                                                                                                            Pas varrimit të tre gjeneralëve jeta e Alush Majkos u turbullua më keq se Shushica në dimër. Nuk shkonte dot as në dasma e as në vdekje. Edhe përpara filxhanit të kafesë nxinte si retë tek Kokorredhja e Plakës. Të gjithë vranishiotët ishin të qeshur. Kurse ai Alush Majko ishte i dërrmuar. Një periudhë kohe qe i sëmurë. Në spital në Vlorë i thanë që të kurohej disa ditë brenda regjimit të spitalit. Por nuk pranoi. U çuditën mjekët. Mos je i rrjedhur i tha një kardiolg. Por Alush Majko bëri sikur nuk e dëgjoi. U kthye në Vranisht pa humbur kohë. Nuk dihej se çfarë sillte nata? Gjeneralët ishin pa “bekshi”. Jeta e tij qe shkretuar si ato livadhet tek Guri me Qiell. Të tre gjeneralët i rrinin si shkrepëtimë mbi kokë. Hallet familjare i hodhi pas krahëve. E habitëshme i thoshte vetes. As Beqir Ballukun dhe as Hita Çakon e as Petrit Dumen nuk i kam njohur. Si u bën këta “miqtë” dhe “armiqtë” e mi. Asnjë nga të vdekurit e familjes time nuk më ka sjell ndonjë telash. Ç’është kjo hata?

Ndonjëherë Alush Majkon e zinte gjumi buzë varrit. Ai habitej se në gjumë dëgjonte këngë. Ishin këngë vaj me oiii. I dukej sikur frynte era e Shushicës. Por çudia më e madhe për të ishte se të padukshmit nuk këndonin vetëm labçe. Ishin këngë të cilat nuk i kishte dëgjuar në Vranisht dhe as në Vlorë. I përgjumur thoshte se një këngë ishte tironçe. Vajtohej për Beqir Ballukun. Bobo! Po kjo kaba me klarinetë? E kam dëgjuar vetëm një herë në Barmash. Kabaja e vajit vjen nga vendlindja e Petrit Dumes. Çudi! Në Vranisht nuk mbahet ndonjë festival. E mblidhte veten. Këngëtarët e panjohur këndojnë për fatin e tre gjeneralëve. Zgjuhej nga gjumi dhe freskohej në ujërat e lumit të Kaurit. Jeta i qe gozhduar mes pyllit dhe lumit. Dhe vetja i ngjante si një i lajthitur. Në Vranisht ishin të rralla këngët e vajit. Kurse për gjeneralët ato nuk pushonin. Ku ka hata, ka këngë i jepte kurajo shpirtit të bërë cifla -cifla. Ai shpresonte që nga këngët me klithma të trëmbeshin çakenjtë. Korbat mbase nuk i hapin dot varret, por çakenjtë i bëjnë çarçaf belbëzonte. Do të merohet Vranishti. Kush qenka varrosur në baçen e Alush Majkos do të thonë në kafene. Si nuk di gjë fshati?                                                                                                         Takimin e dikurshëm me Alush Majkon ma kujton një fotografi. E bëra atë ditë që takova Alush Majkon. Rojtari i varreve po bisedonte me Namik Jahajn nga Mesapliku. Çoç po i thoshin njëri – tjetrit. Një ndër arsyet që Alush Majko pranoi të ta jepte të dhëna për varrimin e tre gjeneralëve ishte se ai ishte mik me babain e Namikut, Sali Mustafain. Kur Alush Majko vazhdonte t’i tregonte Namikut për mortin e varrimit të tre gjeneralëve unë me aparatin fotografik, të cilin e kisha në krah bëra vetëm një shkrepje. Në sfond është mali i Çipinit. Poshtë këmbëve të mija është varri i vetëm me tre gjeneralët. Për fatin tim të keq nuk bëra për vete së paku një fotografi me tregimtarin e paparë Alush Majkon. Kur Namiku botoi një novelë të ngjashme me një kronikë autobiografike u kujtova dhe e gjeta fotografinë. Namiku pati shkruar dhe një libër për takimin me Alush Majkon, por unë ende nuk po e gjej në faqet e kopjuterit. Do të ishte shumë intersante.

Të fundit

Presidencialet, Biden bën kërkesën e pazakontë ndaj Trump para debatit

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të debatojë me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, por me...

Veliaj në Japoni, pritet nga kryetarja e Bashkisë së Tokios

Gjatë vizitës së tij në Japoni, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është pritur në takim nga kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike. Teksa...

“Paraqitu vetë”! Juli “harron” lojën, tremb Eglën, aktorja shpërthen në ulërima

Na ndajnë vetëm pak orë nga gjysëm finalja e Big Brother Vip Albania ku do të mësohen dhe sa banorë do ta prekin magjinë...

U fut për t’u larë në ujërat e Liqenit Artificial, i riu polak përfundon në spital

Një 25-vjeçar nga Polonia është futur ditën e sotme në Liqenin Artificial të Tiranës dhe dyshohet se ka rrezikuar të mbytet. Mësohet se i riu...

‘Çmenden’ protestuesit futen në pistë, autoritetet e aeroportit bëjnë lëvizjen urgjente

Mëngjesin e së shtunës, aeroporti i Mynihut është mbyllur sepse disa aktivistë për mbrojtjen e klimës kaluan pengesat dhe u ndodhen në pistë qysh...

Lajme të tjera

Web TV