Ndikimi i një mësuesi nuk shtrihet vetëm përgjatë viteve të shkollës, por edhe përtej tyre. Gazetari Osman Stafa i cili ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të ndarë me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan historinë që e bëri të ndiqte këtë profesion, e shpjegon më së miri këtë.
Ai tregoi sesi nga një nxënës i mirë gjatë shkollës fillore, kaloi tek ata që cilësohen “të dobët” në klasë të pestë dhe vetëm një vit më vonë do të pësonte ndryshimin drastik. Mësuesi i ri i shkollës, Genc Gjevori do t’i jepte shtysën që të formësohej si nxënës e që më vonë do të pasqyrohej edhe te njeriu e gazetari që ishte. Ndryshimin Osmani e përshkruan duke kujtuar një episod të dhimbshëm të jetës.
Osman Stafa: Goditja ime më e madhe me atë që quhet pjesën emocionale apo me jetën, ka qenë humbja e tim ati kur kam qenë në klasën e tetë…
Ardit Gjebrea: E paske humbur shumë shpejt.
Osman Stafa: Kam qenë 15 vjeç dhe m’u desh që të mendoja të kujdesesha edhe për vëllain apo motrën që i kisha më të vegjël, edhe për time më dhe tek unë ka rënë gjithmonë përgjegjësia që unë patjetër duhet të shkëlqeja në shkollë, në profesionin sepse duhet të kujdesesha për ta. Gjithmonë e mendoj që nëse nuk do të kisha qenë ky nxënësi i mirë, ndoshta punën e të kujdesurit për familjarët e mi nuk do ta kisha kryer aq mirë, nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur sepse nuk mund ta parashikoj, kjo është me “nëse”, por teksa lexoj të shkuarën dhe atë se çfarë unë kam kaluar, po, e them me siguri që ajo se çfarë ka bërë ky individ që erdhi në fillim të klasës së gjashtë në shkollën tonë, më ndryshoi mua totalisht mënyrën e të konceptuarit, të të reaguarit.
Gazetari rrëfeu sesi profesori i Histori-Gjeografisë në klasë të gjashtë i tregoi se kishte më shumë potencial sesa notat në regjistër. Gazetari kujtoi ndihmën e mësues Genc Gjevorit, udhëzimet e tij dhe ndikimin që pati në zgjedhjen e mëvonshme të profesionit të gazetarisë. Mesazhin Osmani e përmbyll edhe me pak nota humori që marrin një shikim paksa ‘qortues’ nga profesor Genci.
Osman Stafa: Profesor Genci, momentin që vendosa të bëj këtë mesazh, të të falenderoj publikisht dhe të shpreh mirënjohjen time maksimale, jam ndeshur me një thënie ku “vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit s’mund të maten kurrë”. Të dytën, nuk ia di peshën, por të parës ia kam ndier vlerën.
Doja të të falenderoja paçka se në momentin tim që e kam konsideruar veten një nxënës i dobët, fatmirësisht të çoi Zoti në shkollën tonë sepse ishe pikënisja ime për të qenë një njeri që jam sot.
Është e vërtetë që ti ke dalë vitin e kaluar në pension, nuk kam dashur të të ngacmoj në këtë pjesë sepse e di që nuk është fort ndjesi e mirë t’i dedikohesh gjithë jetën tënde arsimit, por dua të dish vetëm diçka, që si mësues ti ke bërë jo vetëm si punë këtë profesion, por e ke bërë si mision, paçka se me ndikimin tënd unë vazhdoj sot të bëj një profesion që ti ma ke ngacmuar që më ke thënë në klasën e gjashtë që do të bëhem gazetar, ta bëj si mision sot kështu që unë të falenderoj dhe mësuesit si ti mos u shterofshin kurrë dhe besoj fort që edhe shokët e shoqet e klasës që kemi qenë së bashku kanë këtë mendim dhe janë me mua sot teksa unë të bëj këtë mesazh publik falenderues, por e kisha më shumë personal sepse gjatë gjithë rrugëtimit tim e kam kthyer pas kokën për të thënë ku e nisa unë dhe gjithmonë më nis çdo gjë te profesor Genci, i cili një mësues i Historisë na nxiti si me mësimet e Historisë, mënyrën sesi duhet t’i shikonim gjërat për të qenë qytetarë të mirë dhe ti këtë detyrë që e ka mësuesi, e ke kryer më së miri, të falenderoj, të jam mirënjohës.
Më fal, vetëm diçka, më fal që s’të kam lënë të flasësh shumë në orët e mësimit në atë kohë se i mbaj mend shumë mirë dhe tjetra, të kam bërë diçka.
Duke qenë se më kishe dërguar te nxënësit e mirë, kisha turp njëherë, kisha ardhur pa përgatitur dhe kam ngritur dorën kot sepse nuk rrija dot pa ngritur dorën dhe më the “ule sepse e di që ke mësuar” kështu që…/ S.M