Gjykata e Apelit vendosi dje t’i japë grupimit Berisha vulën dhe logon e Partisë Demokratike. Pas një beteje 3-vjeçare ligjore, tashmë partia më e madhe opozitare është zyrtarisht në në duart e Sali Berishës. Festë të grupimi i ish-kryeministrit, por Basha paralajmëron: “tani nis beteja”.
Gjykata e Apelit vendosi që vulën, logon dhe simbolet e Partisë Demokratike t’ia dorëzojë grupimit të drejtuar nga Sali Berisha. Dje, Apeli me treshen e gjyqtarëve Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bezati dhanë vendimin e formës së prerë se vula do të jetë në dorë të Berishës, duke e bërë atë ligjërisht kryetar të Partisë Demokratike dhe Lulzim bashën, ish-kryetar dhe tashmë vetëm një deputet i thjesht. Apeli dje dha të njëjtin vendim që ka dhënë më parë ish-gjyqtari Agron Zhukri i cili u komentua për një kohë të gjatë nga demokratët e Lulzim Bashës. Në sallën ku do të jepej vendimi ishin Gazmend Bardhi, Agron Gjekmarkaj si dhe Flamur Noka. “Ftojmë gjithë demokratët të kthehen në shtëpinë e tyre”, tha ai, duke nënkuptuar se nuk do të ketë më Rithemelim dhe se të gjithë do të shkojnë tek shtëpia e tyre. Kështu, pas më shumë se 3 vitesh, merr fund konflikti brenda demokratëve se kush e drejton partinë më të madhe opozitare në vend. Këtë vendim Berisha e priti në banesën e tij, pasi ndodhet në “arrest në shtëpi” që prej 30 dhjetorit 2023.
Reagimi i Berishës
Ish-kryeministri Sali Berisha iu është drejtuar me një mesazh të rëndësishëm strukturave të Partisë Demokratike të Rithemelimit, pasi Gjykata e Apelit i dha vulën e partisë. Ai tha se tashmë është në misionin e PD-së së Rithemelimit që të hapë zemrën me 100 mijë mbështetës të PD-së. Ish-kryeministri tha se demokratët duhet të kthehen në shtëpinë e tyre. “Vendimi është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm që t’ju shtrijmë dorën dhe të hapim zemrën edhe për 100 mijë demokrate dhe demokratë e mbështetës të PD që me 14 maj 2023 votuan për Flamurin e Partisë Demokratike. Është mision i një rëndësie të veçantë për secilin prej jush që të bëni çdo gjë që keni në dorë që vllezërit dhe motratë e familjes tonë të madhe politike të kthehen me dinjitet në shtëpinë e tyre. Aktualisht kjo është detyra jonë më kryesore. Kjo është prova jonë. Jam i bindur e besimplotë se në emër të idealeve tona demokratike, të interesave jetike të vendit do të përmbushim me nder këtë mision. O sot o kurrë! Fitore!”, ka shkruar Sali Berisha në profilin e tij në Facebook.
Lulzim Basha
Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pasi është bërë publik lajmi se kujt i takon vula ka mbledhur në mënyrë urgjente strukturat drejtuese të saj që deri më sot quhej Partia Demokratike Zyrtare. Para mediave Lulzim Basha nuk ka dashur ta komentojë vendimin e Gjykatës së Apelit, por nënvizoi se do ta vazhdojë luftë politike në Parlament. “Nuk komentoj vendimin e gjykatave, ky është një standard i imi, i yni si PD për të cilin kemi thënë që do ti përmbahemi edhe në rastin e vendimit të Gjykatës së Apelit. Ajo që dua t’u them demokratëve që janë mërzitur me këtë vendim, pasi prisnin një vendim tjetër, ju them që të mos mërziten, të mos dëshpërohen sepse në fund të fundit këtë betejë as nuk e kemi nisur, as e vazhdojmë për logo, për vulë, apo për karrige. Jemi bërë bashkë për një betejë më të madhe. Kjo është një betejë shpirtrash të bashkuar për idealet e dhjetorit. Sot është më e qartë se kurrë që Shqipëria meriton, ndryshe, meriton më mirë dhe më shumë. Ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që të mos shpërdorojmë këtë besim shpirtrash, të qindra mijëra njerëzve. Do të vazhdojmë betejën tonë për një Shqipëri më të mirë.”, është shprehur Basha, duke mos kujtuar luftën për karrigë dhe as diskursin politik që përdori ndj babit të tij politik. Për vendimet që do të merren në vijim, Basha tha se do të diskutojë me kolegët. “Hapat do t’i diskutojmë me kolegët. Të gjitha vendimet që do të marrin do të jemi në përputhje me angazhimi për ata qindra demokratë dhe synimi është largimi i kësaj qeverie një hap e më parë”, është shprehur Lulzim Basha para mediave. I pyetur se si ndihet tani që nuk gëzon më postin e kryetarit të PD dhe është vetëm një deputet, Basha tha se kurrë nuk e kanë ndryshuar ofiqet apo titujt. “Nuk e kam ndjerë veten ndryshe prej titujve dhe ofiqeve. Kam qenë Lulzim Basha para se të hyja në politikë, jam Lulzim Basha sot dhe do të jem në çfarëdo pozite tjetër. Ajo që më lidh me njerëzit nuk është titulli, ofiqi apo logoja, por është përkushtimi për një Shqipëri më të mirë që meriton më shumë.”, nënvizoi ai.