Je në një dhomë plot me njerëz, zhurma dhe bisedat vazhdojnë, por ti ndihesh larg? Kjo ndjesi është më e zakonshme nga sa mendohet dhe shpesh nuk lidhet me mungesën e pranisë fizike të njerëzve, por me mungesën e lidhjeve të thella emocionale.
Vetmia emocionale VS vetmia fizike
Vetmia nuk vjen gjithmonë nga të qenit vetëm fizikisht. Shumë njerëz janë të rrethuar nga miq dhe familjarë, por sërish ndihen të vetmuar. Kjo ndodh kur mungojnë lidhjet kuptimplota emocionale. Mungesa e një personi me të cilin mund të ndash mendimet dhe ndjenjat më të thella është një nga arsyet kryesore që shkakton këtë ndjesi.
Rrjetet sociale, shkak i vetmisë?
Pavarësisht se jemi të lidhur virtualisht, rrjetet sociale shpesh krijojnë lidhje sipërfaqësore, që nuk mbushin boshllëkun emocional. Ndërveprimet si pëlqimet dhe komentet nuk zëvendësojnë bisedat e sinqerta. Kjo krijon një ndjenjë izolimi, pasi shumë prej nesh përfundojnë duke krahasuar jetën e tyre me atë që shohin online, ndonëse është një imazh i kuruar dhe jo i vërtetë.
Frika nga intimiteti emocional
Shumë njerëz kanë frikë të ndajnë ndjenjat e tyre të thella, për shkak të frikës nga gjykimi ose refuzimi. Kjo mungesë e sinqeritetit emocional çon në lidhje sipërfaqësore, që thellojnë më tej vetminë.
Si ta luftosh vetminë moderne?
Shpreh ndjesitë e tua – Tregoji emocionet që ndjen me njerëz të cilëve u beson. Kjo të ndihmon të krijosh lidhje të vërteta.
Krijo kohë për biseda kuptimplota – Kalo më shumë kohë me njerëzit që kanë rëndësi për ty dhe zhvillo biseda të sinqerta.
Mos ki frikë të ndash mendimet – Ndaji mendimet e tua. Kjo do të krijojë lidhje më të thella.
Investo në marrëdhënie cilësore – Kur vjen fjala te miqësitë, cilësia e mposht sasinë. Më mirë pak miq cilësorë sesa shumë miq “sipërfaqësorë”./E.Ç