Nga: Bujar Meholli
Përplasja e qytetërimeve, gjegjësisht konfliktet, siç thotë Samuel Huntington, janë midis popujve që u përkasin tërësive kulturore të ndryshme. Ndaj dhuna është përherë evidente dhe kurdo gati të shpërthejë e të përshkallëzohet ngase qytetërimet rreken drejt “afrive” që potencialisht mund të gjenden midis tyre, kështu luftojnë tjetrin. Kur i hedh një vështrim kritik më të thelluar gadishullit ballkanik, problemet përshkallëzohen. “Perëndimi është e do të mbetet për vitet e ardhshme qytetërimi më i fuqishëm në botë”, (Samuel Huntington, Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror, Logos-A, 2004, përkthyer nga Xhevat Lloshi) por si do të integrohet Ballkani aty? Dhe a do të mund, fundazi, të integrohet? Paradigmat konspirative mbi tjetrin ballkanas kanë shtrirë thurimën e tyre të fortë e cila zor të griset. Këtë mentalitet meskin e mitoman ballkanas, Ismail Kadare, e skalittë përmes një grotesku të fuqishëm alla gogolian në romanin “Dosja H”. Grotesku, veçan në letërsinë e shekullit XX, presupozon një karizëm humoristik, shfytyrues e tallës, karikaturë e satirë. (cit. nga The Grotesque in Art and Literature, Wolfgang Kayser, translated by Ulrich Weisstein, Indiana University Press, Bloomington, 1957) Ismail Kadare ndërton narracionin bazuar në dy personalitete reale që, në roman, i nënshtrohen groteskut dhe i përshtaten tablosë tragjikomike. Epilogët amerikanë Milman Perry dhe Albert Lord, janë homeristët Maks Roth e Vili Norton në “Dosjen H”. Ekspedita e tyre nëpër Shqipërinë zogiste, veçan në pjesën veriore në qytezën N. ka një qëllim madhor: ata vijnë për misterin homerik, gjenezën e krijimit të epeve legjendare. “Është një ditë e mërzitshme, nga ato që dimri dukej sikur i kishte sajuar enkas për kryeqytetet e shteteve të vogla, të prapambetura…” (të gjitha citimet e “Dosjes H” janë nga botimi i Rilindjes në Prishtinë, 1990) hapet sipari i dy amerikano-irlandezëve në tokën e shqiponjave. Tabloja monarkike i shkon përshtat skenave të filmit “Koncert në vitin 1936”. Ngado mbretëron meskiniteti, lustra, e rrejshmja, kompleksi i inferioritetit që shtrihet gjer në institucionet provinciale ku variojnë llojlloj snobësh, diletantësh e dallkaukësh. Të huajt menjëherë nisin të shihen si spiunë, kjo hipotezë s’përjashtohej assesi – pale aparatet e çuditshme, për incizimin e zërave, që kishin me vete. Autoritetet shqiptare, siç e zë shteti lepurin me makinë, duhej t’i zinin me presh në duar këta ngatërrestarë që vinin në emër të një ideje të pakapshme, shtrirë ndër shekuj, për më tepër njai Homeri s’kishte as sy, ç’ne të vihej pas tij?! “Dosjen H” e përshkon satira fund e krye, grotesku është primordial, Kadare e krijon gamën e personazheve në një lojë që i ngjason thrillerit, spiunazhit, gjithsesi në kuptimin arkaik të fjalës. Toka shqiptare për studiuesit perëndimorë ishte bash terreni i përshtatshëm, sipas tyre, për të rendur drejt vërtetimit të hipotezës për krijimin e epeve homerike këtu e tremijë vjet më parë, ndryshimet që kishin pësuar, transformimet, relacionet me harresën-kujtesën.
Hierarkia institucionale, sikur te “Revizori” i Gogolit, në N., përbëhet nga snobistë që pleksen me banalitete nga më të ndryshmet. Nënprefekti, një snob në thelb, personalitet tipik grotesk bashkë me Dullë Baxhanë që merret për super spiun, hamalli Cute Arapi, Mukadezi, gruaja e nënprefektit, që shndërrohet në Dezi nga komplekset e aurës orientale. Ajo mishëron prapambeturinë fatale, sipërfaqësinë e banalitetin, simbiozë e provincializmit në N., komplekset e së cilës përfshijnë karakterin e saj delikat-dinak, shtrojnë rrugën gjer në aktin e tradhtisë bashkëshortore, krejt spontanisht, peshqesh i përmbushjes epshore e mungesës seksuale, me një përgjues anglishteje që pajtohet për t’i “spiunuar” dy të dyshimtët që seç katranosnin mbi mbretin Zog dhe monarkinë shqiptare, përfundon në krahët e Dezit që me nënprefektin s’pati fëmijë, por ngeli menjëherë shtatzënë me përgjuesin. Arritja e tyre në hotel “Globi” pasohet nga ca valixhe e arka tejet të rënda, sa mend, hamallit Cute Arapi i doli shpirti, pse s’kishte bartur diçka të tillë kurrë. Ç’dreqin ishin këta magnetofona? Ceremonia e pritjes, monotonia e qytezës së amullt me shndritjen e njati dielli që pak nxeh, ftesa oficiale e të huajve për brixh, takimet, pyetjet, zhgënjimi i Dezit, pse kishte pritur dy të huaj ndryshe në fantazitë e saj erotike, pale pastaj ata të dy s’ishin as për brixh e as s’ishin të gojës, ani pse kishin mësuar sado pak shqip, qëndronin heshtur e me kortezi i shmangnin këta provincialë të çuditshëm. Nga “Globi”, homeristët, marrin rrugë drejt hanit të Shtjefnit, han i vjetër, unik, me emrin karakteristik “Rrashti i Buallit”.
Hani “Rrashti i Buallit” për studiuesit e huaj është vend i menduar mirë, taktik. Ky lokacion kadarean ka krijuar hamendësime që lidhen me fshatin e Rrashbullit, afër Durrësit, ku strehoheshin rapsodë shqiptarë, konsideruar problematikë për regjimin shovinist, sa merret si “fshat rapsodësh”. Maks Rothi e Vili Nortoni zënë vend aty me shpresën se do t’i takojnë lahutarët që vinë si bujtës e luajnë në këtë han mesjetar verior, midis Shkodrës dhe Tiranës. “A ekziston ndonjë vend apo ndonjë rajon në botë ku mund të krijohet ende epos i tillë? kishin pyetur veten para së te ndërmerrnin hapin drejt kësaj ekspedite ekzotike. “Unë stazhieri i zakonshëm, Vili Nortoni, bashkë me mikun tim, Maks Rothin, kishim ardhur që nga Irlanda për të bërë doktoratën për çështjen homerike, duke u përpjekur (por pa ndonjë besim) të thoshim një fjalë të re në debatin e lashtë; neve nuk na intereson eposi shqiptar në vetvete sesa teknologjia e prodhimit të tij, po të përdorim një term të kohës. Prej saj ne do të përpiqemi të nxjerrim një të vërtetë universale: si lind ky lloj eposi, rrjedhimisht enigma homerike…” Nëse kultura shqiptare, me eposin, me lahutarët, me vlerat, idealet, artin e moralin, qëndronte si diademë mbi Ballkanin, përkundrazi, qytetërimi shqiptar ishte i amullt, larg teknologjisë, faktorëve materialë, zhvillimit infrastrukturor, që krijonin simbiozën e një ngecje në vendnumëro, bile me përmbysje të dhimbshme pleksur me injorancën e neglizhencën nga vetë shqiptarët që as nuk e njohin e as nuk s’dinë ta çmojnë të veten. Rapsodët e lahutarët vej e vinin në han, bunin e luanin, homeristët në delir përjetësonin zërat dhe lojën e tyre në magnetofon. Epilogët sikur arrijnë pikën kulminante të studimit të tyre, nga hapësira modeste e atij hani ku derdheshin vargjet epike, po rendnin drejt asaj enigme homerike… tokës së lashtë shqiptare.
Kadare krijon modalitetet e rrëfimit policor që sikur i përngjason prozës së Dürrenmatt-it me dinamikën e lakonizmin shprehës; “Dosja H” merr trajtat e një thrilleri ku akterët të piketuar përbrenda skenave të tyre ngjizen në një seri kapitujsh e ngjarjesh gjer në përfundim… Qëndrimi i të huajve në Shqipëri plekset me kontraste shoqërore, burokraci e inerci, aq sa Vili në një diskutim rasti, në një ballo ku qenë ftuar, (!) me Dezin e teletisur, mendjebosh, nis e përsiat duke pyetur veten: “Si është e mundur që në të njëjtën hapësirë dhe kohë të bashkëjetonin dy Shqipëri të ndryshme? Njëra e përjetshme e tragjike në dinjitetin e saj, ashtu siç e kishte njohur ai jo vetëm nga eposi, por edhe atje te bujtina buzë rrugës, dhe tjetra, e këtushmja, që le ta falte zonja për cinizmin, i ngjante një farse.” Dhe Maksi, po ashtu vrojtues i mprehtë, në një nga bisedat e tyre në han deklamon: “Ti thua se si është e mundur që një popull me përmasa të tilla të administrohet nga një regjim qesharak… në një familje malësorësh do të gjesh ndoshta më shumë seriozitet se në parlamentin e tyre; ndoshta ngaqë popuj të tillë si shqiptarët, me fantazma dhe delire të mëdha, ashtu të fandaksur e me kokën në re, siç janë, kur është fjala për formën e regjimit apo të qeverisjes së brendshme, mund të kapen lehtë në befasi, si njeriu që kapet në gjumë.”
Në vorbullën e përditshmërisë, hani qëndronte stoikisht, Shtjefni me Martinin përkujdeseshin, xhandarët e mbretit, malësorët shqiptarë vinin e iknin, rapsodët po ashtu, por ja një ditë ia beh një njeri shtatmadh, me veshje gjysmëmurgu; ky është serbi Dushan, biçim agjenti. Kamuflimi i tij si murg nga mitropolia e Pejës që udhëton drejt Shkodrës për “punë murgjish” dhe interesimi mbi eposet, diskutimet me irlandezët për eposin shqiptar dhe lashtësinë e tij është karakteristik dhe sikur presupozon një qëndrim antisllav të autorit, për çka u kritikua. “Motërzimi shqiptar është më i vjetër, rrjedhimisht lidhet me punën që merremi ne; një epos s’mund të lindë njëkohësisht në dy popuj – në këtë rast shqiptarët si populli më i vjetër, autokton… në epos gjenden me shumicë elemente mitologjike të përbashkëta iliro-shqiptare-greke”, ia përplasin irlandezët serbit. Ikja e tij me kalë të zi që nga larg duket e rëndë plumb, merr konotacionet e problematikës së lashtë të konfliktit etnik përbrenda popujve ballkanas. Ky episod shënjon njëfarë uverture demoniake, ravijëzon hije të zeza që po dendësoheshin mbi kokat e dy irlandezëve, gjegjësisht punës së tyre të paçmuar studimore. Futja në skenë e eremitit Frrok nga Shpella e Qyqes është vendimtare. Dialogimi i tij me murgun serb, përgjuar nga Dullë Baxhaja, shënjon pikën kulminante të prozës kadareane te “Dosja H”. Përmbledhtazi biseda midis tyre prek mllefin e serbit për këta “gjarpërinj” që kafshojnë, ata djaj dhe vegla e satanait që kanë me vete, me të cilën po kryejnë kob në sy të të gjithëve, atë arkivol të skëterrshëm që muron këngët e vjetra, siç njeriut i murohet hija. Dushani vazhdon me mllefin për “shëmtimin që do t’i bëjnë jetës me atë aparat, me kositjen e këngëve të moçme, gëzim i jetës, pa të cilat do të ngelen shurdh, kur do të jetë vonë; mallkimet e brezave për këtë shurdhëri do të jehojnë!” Sulmi banditesk, trandës, nëpër terr, i eremitit Frrok, që mbush faqet e fundit të romanit, natyrshëm, ka si cak magnetofonin i cili shkatërrohet ndjeshëm, nxitur nga pseudomurgu serb. “Përveç që e kishin thyer në mënyrën më barbare, kishin copëtuar pjesën më të madhe të bobinave, disa i kishin shqyer, u kishin nxjerrë telat, ua kishin këputur…” Në vaporin e linjës Durrës-Bari duke u larguar të zhgënjyer e të thyer, studiuesit me shije të hidhur, pasi kishin blerë gazetat, lexojnë për veten, njëfarë doze e fatalizmit e përshkoi projektin e tyre… në gazetë shkruan: “S’është hera e parë që shovinistët sllavë goditin kështu shkencëtarët që janë marrë me studimin e lashtësisë së etnisë dhe të kulturës shqiptare. Një egërsi dhe zili barbare, nga ato që shkaktohen, veç të tjerash, prej kompleksit të inferioritetit, i kap sidomos ata sa herë që dëgjojnë të bëhet fjalë për prejardhjen e shqiptarëve prej ilirëve. Çdo shkencëtar që merret drejtpërdrejt apo tërthorazi me këtë, shpallet armik i tyre.” Rrugëtimi i përfunduar si mos më keq, me përdhunë, i dy studiuesve homerikë, mbyllë odisenë e këtij thrilleri kadarean plot grotesk, tragjikomedi, shpërfaqje realistike të situatës së rënduar shqiptare nën autokracinë monarkike (siç më vonë edhe komuniste), parë nga sy të huaj, që ngjallë pasion për veprim, ngase pasuria shqiptare është e madhe dhe e pashtershme, duhet mobilizuar e ndryshuar statukuonë e dallkaukllëkut për ta përforcuar kulturën e shtetin.