Pensionet do të indeksohen me vetëm 4.1% në muajin tetor. Vendimi është miratuar nga Këshilli Administrativ i Instituti të Sigurimeve Shoqërore dhe javën tjetër pritet të miratohet edhe në qeveri.
Burime nga Ministria e Ekonomisë pohojnë se inflacioni për mallrat e shportës për pensionistët nga viti 2023 deri më tani ka rezultuar 4.1% dhe për pasojë indeksimi do të jetë në të njëjtën masë.
Më shumë se 770 mijë përfitues të kategorive të pensioneve, do të përfitojnë nga indeksimi, që do të bëhet në muajin tetor. Me këtë indeksim, pensionet urbane të pleqërisë rriten me afro 752 lekë, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të pensionit urban të pleqërisë që në fund të 2023-shit ishte 18.341 lekë. Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 453 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,051 lekë.
Fondi për indeksimin e pensioneve për këtë vit është 4 miliardë 137 milionë lekë dhe bonusi i pensionistëve 3 miliardë 650 milionë lekë.
Ndërsa vitin e kaluar pensionet u indeksuan me 8.6% aq sa ishte Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët nga gushti i 2022- gusht 2023.
Por këtë viti inflacioni është ulur, dhe për pasojë indeksimi është në një shifër më të vogël se vjet./e.t