Fero (Feronit Shabani), ia ka dalë të fitojë kujdestarinë e së bijës për 1 vit, sipas një akt-vendimi të dhënë nga Gjykata Themelore e Gjilanit. Ai konfirmoi lajmin gjatë intervistës së tij në “Nacionale”, ku ndër të tjera u shpreh:
“Falënderoj Gjykatën Themelore të Gjilanit për drejtësi dhe korrektësi. Po, mua më është besuar vajza, për një vit”.
Sipas vendimit, vajza e tij dhe Arbenitës, Nina, mund të qëndrojë gjatë javës me të atin dhe gjatë fundjavës me të ëmën. Fero ka postuar një seri me video në Instagram, ku vogëlushja duket e lumtur teksa luan me lodrat e saj.
Vendimi vjen pas akuzës publike që Fero ka bërë në Instagram dhe në emisionin “Compass”. Ai u shpreh:
“Unë si prind i vajzës time ka kohë që më bëhet padrejtësi si në aspektin e vendimeve, po ashtu edhe në aspektin e mospërfilljes dhe të asaj që vetë Gjykata ka marrë vendim dhe ka kohë që pres ta shoh vajzën time. Befasohem se vajza e ime udhëton nëpër shtete të ndryshme pa lejen time dhe pa u njoftuar se në cilin vend ajo gjendet. Dhe më tragjike ka qenë ndodhia e sotme, ku unë e konsideroj se vajza më është rrëmbyer në një lloj mënyre, për shkak se enti social më ka njoftuar se në orën 4:00 të shkoja të merrja vajzën e në momentin që kam shkuar në orën e caktuar, që ata më kanë caktuar, nuk më japin asnjë detaj se ç’drejtim ka marrë vajza. Vetëm më thonë se vajza ka ikur”./E.Ç