Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali shprehu sot mbështetjen për Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), për përmirësimin e legjislacionit në përballjen me të kaluarën.
Përmes një njoftimi për shtyp të AIDSSH-së, bëhet e ditur se kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula zhvilloi një bisedë me kryetaren e Kuvendit, me të cilën diskutoi për zhvillimet e Konferencës së 16-të të Rrjetit Evropian të Arkivave të Ish-Policive Sekrete.
Sula nënvizoi se konferenca kishte në qendër diskutimin e problematikave që hasin partnerët e rrjetit në menaxhimin e dokumenteve të ish-policisë sekrete dhe përdorimit të tyre në përballjen me të kaluarën dhe edukimin e brezave të rinj.
Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit, gjatë bisedës mori mbështetjen e kryetares së Kuvendit në funksion të përmirësimit të legjislacionit, si në ligjin për trashëgiminë kulturore dhe muzetë; në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike; në ligjin për verifikimin e figurave që nderohen me medalje dhe titujt të tjerë nderimi.
Me përparësi u diskutua edhe për ndryshimet ligjore për sa i përket dëmshpërblimit të ish-përndjekurve politik, ligjit të pensioneve për fëmijët e internuar, e cili është esencial për të vënë në vend një padrejtësi që i është bërë kësaj kategorie.
Sula shprehu mes të tjerash angazhimin e AIDSSH në plotësimin e detyrave të lëna në rezolutën për vitin 2024 votuar nga Kuvendi, përfshirë edhe qartësimin e fatit të të zhdukurve në komunizëm ne komunikimin me institucionet e ngarkuara si dhe krijimit të një baze të të dhënash, për personat e zhdukur, të aksesueshme për publikun.
Çështjet që shqetësojnë Autoritetin në përballje me të shkuarën janë komplekse dhe ndërsektoriale, ato kërkojnë angazhimin e të gjithë komisioneve parlamentare dhe veçanërisht edhe ato të edukimit, sidomos tani që vihet re një fushatë dezinformuese me riciklimin e disa filmimeve të vjetra të së shkuarës totalitare, e cila bie ndesh me punën e AIDSSH-së në edukimin qytetar.
Autoriteti në punën e tij për edukimin e shoqërisë me ngjarje të së kaluarës ka pasur vëmendjen e Kryetares së Kuvendit.
Në aktivitetin të mbajtur në nderim të viktimave totalitare me datën 23 gusht 2024, në ish-kampin e Porto-Palermos, Spiropali deklaroi se: “Kuvendi do të bëjë më të mirën për të plotësuar e përmirësuar legjislacionin për trajtimin, dinjitetin dhe prosperitetin e ish të përndjekurve, njohjen e trashëgimisë së tyre politike, njerëzore e kombëtare, si pjesë e historisë dhe e trashëgimisë kombëtare. Kultura e respektit, paqes dhe pajtimit duhet të edukohet te brezat e rinj, nëpërmjet sistemit arsimor dhe burimeve të tjera edukuese, aspekt të rëndësishëm të misionit të tij si edukator publik, demokratik e qytetar”. S.B