Jo më me objektiv për miliona turistë, por oferta turistike e Shqipërisë 2030, do të orientohet drejt vizitorëve elitarë. Draft strategjia e turizmit 2024-2030, me në fokus “Shqipëria, Destinacioni më emocionues dhe i ri në Evropë”, përfshin masa stimuluese për më shumë investime, lehtësi në taksa, përmirësim të ofertës turistike, marketing dhe disiplinim të ndërtimeve në turizëm.
Përtej ofertës turistike të detit dhe diellit, Shqipëria do të synojë të kthehet në një atraksion të ‘pazbuluar’ ku do të ndërthurur pasuritë natyrore, me ato të aventurës dhe më tej drejt kampingjeve të luksit.
“Krahas zhvillimit të produkteve të specializuara turistike, Shqipëria nuk do të jetë thjesht një destinacion, por një zbulim, duke ofruar një aventurë po aq të larmishme dhe dinamike sa vetë peizazhi. Kjo përpjekje pritet të rrisë reputacionin e Shqipërisë si një destinacion kryesor për t’u vizituar, duke e bërë atë një pjesë thelbësore të përvojës së udhëtimit në Evropë”, thuhet në strategji.
Për të arritur në këtë stad vendit i duhen më shumë investime për të shtuar kapacitetet akomoduese, që me strategjinë e re nuk do të jenë më në fokus ‘fshatrat turistikë’ me vila 2-3 katëshe që po shtrihen në të katër anët e vendit, por resortet me hotele dhe struktura multifuksionale. (Pishina, restorante, shërbimet SPA, aktivitete argëtuese etj)
Kjo masë frenuese e resorteve aktuale që në qendër kanë vilat, dhe jo hotelet, sipas Ministrisë nuk i ka shërbyer turizmit, por vetëm tregut të pronave për shitje.
“Projektet në shkallë të gjerë janë të fokusuara më së shumti në komponentin rezidencial, çka do të thotë se perspektiva për zhvillim është e orientuar drejt ndërtimit masiv të pronave të paluajtshme si “resorte” dhe jo në zhvillimin profesional të resorteve turistike të shfrytëzimit të miksuar”, thuhet në strategji.
Vendi do të kalojë në fazën e resorteve me hotele, që ofrojnë edhe më shumë shtretër e kapacitete akomoduese, përmes një skeme të re investimi, që përfshin subvencione për mbulimin e normës së interesit të kredisë që marrin bizneset për këto investime, lehtësirat tatimore, proceset e thjeshtuara të dhënies së lejeve, e deri tek mekanizmat financiarë të tillë si PPP-të.
“Përfshihet përcaktimi dhe zbatimi i kuadrove më të përshtatshëm të partneritetit publik-privat (PPP) për shfrytëzimin e përbashkët të tokave dhe pasurive publike, sipas rastit. Ky hap është thelbësor për të siguruar bashkëpunime të dobishme dhe të qëndrueshme, duke shfrytëzuar burimet publike për të tërhequr investime dhe ekspertizë private”, vijon strategjia.
Po ashtu në strategji theksohet se duhet të punohet më shumë për të rritur cilësinë e shërbimit, ku ndihmë për këtë fazë do të jetë sistemi arsimor, që duhet të përshtatet me nevojat e tregut të shërbimeve thotë Ministria e Turizmit.
Për të garantuar standard në shërbim, pjesë e këtij drafti është edhe një plan masash për të mbajtur punonjësit sezonal edhe jashtë sezonit. Propozimi është që shteti të kompensojë punonjësit edhe gjatë kohës që nuk janë në punë për shkak të mbylljes së sezonit.
“Ky kuadër duhet të fokusohet te punonjësit sezonalë në industrinë e turizmit, duke siguruar që ata të marrin kompensim të përshtatshëm kur nuk janë duke punuar në mënyrë aktive, si dhe duhet të stimulojë punëdhënësit që të mbajnë forcën e tyre punëtore për sezonet pasuese. Në këtë mënyrë, Shqipëria mund të rrisë sigurinë në punë për punonjësit sezonalë dhe të ruajë një forcë punëtore të kualifikuar për industritë sezonale”, thuhet në strategji.
Për të përmirësuar ofertën turistike të Shqipërisë, strategjia ka planifikuar ndarjen e territorit në 6 rajone, ku në secilin prej tyre identifikohen të përbashkëtat dhe të veçantat, me qëllim shtimin e aktiviteteve, atraksioneve turisike por edhe për të fuqizuar turizmin e aventurës.
1. Klasteri i bregdetit të Adriatikut
2. Klasteri verior i brendshëm
3. Klasteri i qytetit të Tiranës
4. Klasteri qendror
5. Klasteri i bregdetit të Jonit
6. Klasteri jugor i brendshëm
Me gjithë këto investime, Ministria e Turizmit thotë se do të bëhet i mundur shtimi i numrit të shtretërve nga 270 mijë në vit, në 477 mijë në vitin 2030./ S,M