Operacioni Barbarossa, në të cilin trupat italiane luftuan përkrah ushtrisë naziste kundër Bashkimit Sovjetik, rezultoi një dështim në të gjitha frontet. Rreth 84 mijë nga afro 300 mijë ushtarë italianë humbën jetën, një humbje e paprecedentë për Italinë në aspektin e jetëve të humbura. Me 22 qershor 1941, Hitler nisi sulmin kundër Bashkimit Sovjetik, me mbi tre milionë ushtarë gjermanë të përfshirë. Rreth 700 mijë trupa nga vendet aleate iu bashkuan Gjermanisë, dhe Musolini vendosi të kontribuonte në frontin lindor, duke besuar në një fitore të shpejtë dhe të sigurtë. Në korrik, Italia dërgoi rreth 62 mijë trupa në Rusi.
Në vitin 1942, Armatën Italiane në Rusi (ARMIR) e përforcuan deri në 230 mijë burra për të mbështetur Wehrmacht-in në betejën e Stalingradit. Mirëpo, ofensiva sovjetike “Saturni i Vogël” në dhjetor të atij viti shkatërroi linjat italiane. Mungesa e pajisjeve dhe uria i lanë italianët të pambrojtur në dimrin rus, ndërsa gjatë tërheqjes dramatike në betejën e Nikolaevka-s në janar 1943 shumë ushtarë mbetën të zhdukur. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, hapja e arkivave zbuloi se shumë italianë kishin vdekur nga uria në kampet sovjetike të burgimit.