Bojkotin e komisioneve kuvendore, që e nisin me arrestimin e Ervin Salianjit, demokratët po e ndërpresin.
Shenjën e parë e dhanë me praninë e deputetes së PD-së, Emilia Koliqi, që këtë të martë mori pjesë në Komisionin Hetimor për koncensionet në shëndetësi.
Vendimi u bë kolegjial, kur u mblodh në mesditë grupi parlamentar demokrat, për të vendosur mënyrën si do e kundërshtojnë projektbuxhetin 2025, për të cilin ka nisur debati në kuvend.
Oponencën për buxhetin demokratët vendosën ta bëjnë duke zënë karriget e tyre, në çdo komision parlamentar, në një rikthim jo për bllokim por debat.
Demokratët deri më tani kanë dorëzuar në Kuvend, në kuadër të diskutimeve për projektbuxhetin, dy propozime, atë për minimumin jetik 200 euro dhe një amendament për minatorët.
Me këtë qëndrim demokratët mesa duket shmangin përsëritjen e skenave të një viti më parë, kur buxheti, ligji më i rëndësishëm që përcakton shpërndarjen e fondeve, u miratua si asnjëherë tjetër, pa diskutim vetëm në 7 minuta, mes një seancë kaotike, bllokimit të foltores, zhurmës së kapsollave dhe tymuesve blu./E.T