NGA EDUART GJOKUTAJ
Qendra altax.al
Të gjitha qeveritë, në një mënyrë apo tjetër, përpiqen të plotësojnë nevojat e njerëzve me kalimin e moshës, të cilët dhe nuk mund të sigurojnë më të ardhura për veten e tyre.
Shqipëria, si një vend në zhvillim përpiqet të rritë ekonominë, qytetarët e saj ndërkohë përballen me çështje të vështira se sit ë përballojnë rritjen e shpenzimeve dhe të kostos së jetesës nëpërmjet të ardhurave që përfitohen nga puna, kapitali apo nga buxheti i shtetit.
Aktualisht në Shqipëri po diskutohet shumë për pensionet duke përmendur edhe skema të ndryshme për të përballuar pikërisht presionin social të shtuar në vite, por edhe për të arritur që të ndikojnë mbi skemën aktuale, e cila vuan nga ngushtimi i bazës së kontribuesve (emigracioni dhe shtimi i ulët i popullsisë), si dhe nga evazioni në deklarimin e saktë të pagave dhe kontributeve respektive.
Por, në diskutimet e muajve të fundit ne kemi sugjeruar se duhet të planifikohet me shumë kujdes edhe kalimi nga planifikimi qendror në politika më të orientuara nga tregu që përfshijnë skemat private të pensioneve.
Kjo qasje merr një kuptim edhe më të madh, kur shihet se edhe në botën e zhvilluar, sistemet e pensioneve (publike dhe private) funksionale prej kohësh dhe që kanë mjaftuar për dekada, tani kërcënohen nga një popullsi pensionistësh që po zgjerohet me shpejtësi me një bazë në tkurrje të punëtorëve produktivë për t’u siguruar atyre fondet e ardhme.
Kjo bombë demografike me sahat ka ndezur një debat intensiv rreth reformës së pensioneve në përgjithësi dhe veçanërisht nëse është e nevojshme apo e dëshirueshme tashmë po mendohen edhe skema planifikimi agresive, ku qasja e decentralizimit të skemave publike është transferimi i përgjegjësisë nga pensionet qeveritare drejt planeve private apo të financuara nga publiku.
Me kaq shumë vende që tani janë të angazhuara me këto çështje është koha e duhur për diskutim reflektues të ekonomisë së thjeshtë të pensioneve dhe parakushteve që sugjeron ekonomia shqiptare për krijimin e sistemeve të reja si dhe për përshtatjen e atyre të pjekur e më të vjetër.
Hartimi racional i politikave fillon duke rënë dakord mbi objektivat dhe më pas vazhdohet me diskutimin e instrumenteve për arritjen e tyre.
Në përgjithësi, objektivat e të gjitha sistemeve të pensioneve janë të trefishta:
– të sigurojnë siguri kundër varfërisë në pleqëri;
– të zbutin shpërndarjen e shpenzimeve për konsum gjatë një jetëgjatësie, duke zhvendosur një pjesë nga vitet më produktive në vitet më të vogla; dhe
– një aspekt garancie, për të siguruar kërkesat e jetës për ata me jetëgjatësi të madhe.
Mirëpo, diskutimet aktuale në Shqipëri për pensionet përfshihen në argumente, nëse premtimet e qeverisë janë më të sigurta se asetet e zotëruara ose të mbajtura në emra të individëve, dhe sa do të paguajë një brez punonjësish për faturën e pensioneve të të moshuarve. Mosmarrëveshjet politike dhe populizmat e qeverisë dhe opozitës rritin konfuzionin dhe bazat ekonomike të skemës së pensioneve, publike apo private.
Disa tema tashmë duket se lidhen jo më me mjaftueshmërinë e skemës për të siguruar burimet e nevojshme për individët në fund të jetës së tyre, por me mjaftueshmërinë e modelit ekonomik dhe sistemit politik për të përmbushur nevojat e tyre.
Këto tema janë të nevojshme që të jenë pjesë e konsultimeve kombëtare (në vend të referendumeve që janë munguese në vend).
Graviteti i dialogut kombëtar nuk duhet të jetë objekt diskutimi n ga përgjegjësit e saj (klasa politike aktuale) por nga shoqëria civile dhe gjithë grupet e interesit që nuk janë pjesë e politikës së sotme dhe të kaluar.
Tema kryesore e diskutimit duhet të nxitet nëpërmjet ndihmës së teknologjisë rreth faktit nëse mjafton prodhimit kombëtar për realizueshmërinë e të gjitha premtimeve për pensionet duke e parë në këndvështrimin e pasigurisë së përhapur me të cilën përballen të gjitha diskutimet aktuale.
Përgjigja jonë paraprake për gjithë adresimet afatgjata është diversifikimi i strukturës së ekonomisë. Sot për sot ekonomia është lënë të rrjedhë, e paorientuar nga asnjë vizion politik drejt shërbimeve, tregtisë dhe investimeve të parave nga burime informale në sektorë që po rriten përtej nevojës dhe kërkesave të tregut.
Pra, ne mendojmë se ekonomia duhet të ecë tashmë drejt rrugës së vështirë të prodhimit, pasi është rruga e sigurtë drejt kthimit të ekonomisë dhe tregut drejt gjithë përmbushjeve të premtimeve të parealizuara për mirëqenie, punë dhe prosperitet.
Në fund të fundit, prodhimi dhe konsumi i mallrave dhe shërbimeve është thelbësor për çdo plan efektiv pensioni. Nëpërmjet akumulimit nga prodhimi edhe pse në kushtet e një sistemi politik të bazuar te idetë socialiste, skema e pensioneve në atë kohë ishte efektive dhe u trashëgua e sigurtë edhe shumë vite pas rënies së sistemit të kaluar politik.
Ndërkohë, zhvillimi i prodhimit dhe rritja e kapitaleve (jo vetëm në ndërtim) do të merrte një kuptim të madh për përdorim të tyre në të ardhmen. Pra, prodhimi arrin të krijojë rezerva kapitale të cilat vlejnë për tu shkëmbyer në të ardhmen për përfitime më të larta për garantimin e skemës së pensioneve.
Me modelin aktual ekonomik dhe me gabimet e qeverive në mënyrën se si ato e trajtojnë politikën rregullatore dhe fiskale për ekonominë që kemi krijuar deri më sot, natyrisht që nuk arrihet të kursehet një pjesë nga fitimet për të krijuar një grumbull parash për të zgjeruar ekonominë për të ardhmen.
Në këto kushte nuk është problemi vetëm informaliteti i pagave edhe pse ai është problem mjaft i konsiderueshëm që grryen politikat e sistemit. Në fakt, informaliteti, i toleruar nga mosveprimi i institucioneve dhe vullneti i mangët politik është një argument i fortë për të kuptuar që skema aktuale e pensioneve, sado modifikime që ti bëhen nuk arrin dot të përmbushë objektivat për pensione më të larta dhe një qëndrueshmëri të skemës në planin afatgjatë.
Është ky argument, që duke konsideruar se korrupsioni i shtuar prej patronazhimit politik, si dhe administrimi i dobët i burimeve ekonomike dhe njerëzore nuk mundëson garantimin prej skemës së financuar nga mjetet financiare të krijuara gjatë një periudhe vitesh. Ja pse tashmë qeverisë i ka mbetur në dorë vetëm ta garantojë vazhdueshmërinë e skemës nëpërmjet rritjes së pagave që paguhen nga taksat dhe borxhet, e cila konsumon të ardhurat aktuale tatimore.
Të dyja burimet e financimit (pagesa e kontributeve aktuale për pensionistët dhe pagesa nga taksat aktuale) nuk janë të dobishme për pensionistët nëse vendi nuk prodhon mallra dhe shërbime të mjaftueshme për të përmbushur këto kërkesa nga burime shtesë që dalin përtej tregut brenda vendit.
Ja pse tashmë ka një rëndim të mëtejshëm të financimit të skemës së pensioneve dhe politikave sociale, pas zhvlerësimit të euros dhe valutave të huaja. Cilido që ka menduar se kjo qasje e lejimit të zhvlerësimit përtej kërkesës dhe ofertës së tregut valutor nga hyrjet dhe daljet e ekonomisë tashmë duhet të mendohet se si të japë këshilla për antidotën e helmimit të ekonomisë nga infeksioni i forcimit të lekut.
Pensionistët nuk janë të interesuar për valutën, por për ushqimin, ngrohjen, shërbimet mjekësore, dhe gjithë ato që përbëjnë jetesën e tyre sa më dinjitoze dhe të përballueshme pa asnjë ndihmë nga familjarët dhe vetëpunësimi.
Në fakt pensionistët vuajnë problemet që ka prezantuar reforma e vitit 2015, ku pensionet që janë përfituar kanë një përpjesëtim të zhdrejtë me kontributet. Ndërkohë që skema duhet të financonte nga taksimi progresiv pensionet dhe kontributet proporcionale me të ardhurat duke e bërë skemën në këtë mënyrë më rishpërndarëse të përfitimeve se deri më sot[1] .
Tashmë kërkohet që skema e pensioneve publike të harmonizohet me planet e financuara nga privatët. Argumenti se skemat private janë subjekt i rrezikut dhe i pasigurisë vlen njësoj edhe për skemën publike.
Në terma afatgjatë, rreziqet përfshijnë ndryshime demografike, si p.sh. plakja e shpejtë e popullsisë që tani paraqet probleme serioze për skemën e pensioneve. Në terma afatshkurtër, po shihet se skema publike po lëngon nga keqmenaxhimi dhe paaftësia e qeverive, për të përmbushur premtimet e rritjes së pensioneve.
Këto pasiguri, të cilat mund të jenë edhe te skemat private kërcënojnë qëndrueshmërinë e të gjitha skemave të pensioneve, sepse ato ndikohen nga pasiguri që përcillen nga politika e ditës duke u varur, në mënyrë kritike nga qeverisja efektive.
Qeveria edhe mund të subvencionojë premtimet e pensioneve në këtë fundviti 2024, pasi politika fiskale mund të arrijë të mbrohet nga inflacioni përkohësisht nëse arrijnë të hedhin më shumë lekë për pensionistët dhe shtresat sociale, pasi një pjesë e lekëve që do të jepen do të merren mbrapsht përmes taksave.
Por, qeveria krahas reformimit të skemës së pensioneve duhet të dijë si të qëndrojë përballë dilemës demografike. Derisa realitetet themelore ekonomike të presioneve të popullsisë nuk do të adresohen plotësisht, zgjidhjet e kufizuara në qasje të ndryshme ndaj financimit duket se do të jenë të papërshtatshme.
Nëse qeveria do të dojë të mbahet mend për përballjen demografike më të madhe që ka Shqipëria në këto 3 dekada, atëherë do të duhet së pari të riformatojë ekonominë, ku më e rëndësishmja është rritja e prodhimit.
Kjo është mënyra e vetme për të siguruar që pretendimet financiare për prodhimin e ardhshëm mund të konvertohen në mallra dhe shërbime të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e pensionistëve. Prodhimi është qasja e vetme dhe kryesore për të ndryshuar tendencën aktuale për pensionet e ulta.
Mënyra se si është gjendja e burimeve të financimit të pensioneve është rrjedhojë dhe jo arsye kryesore. Argumenti se reformimi i skemës aktuale (edhe me ndihmën e ekspertëve të huaj) në vetvete zgjidh demografinë e pafavorshme është një alibi dhe politikë e pamjaftueshme
Zgjerimi i bazës së kontribuesve nëpërmjet prodhimit duhet që të mbështetet edhe në lehtësi për formalizimin e tregut të punës, në përmirësimin e kushteve për kujdesin e fëmijëve, përmes politikave tatimore që nuk penalizojnë punësimin me kohë të pjesshme. Por, natyrisht, për të zgjeruar tregun e punës dhe numrin e kontribuesve duhet përdorur me përgjegjshmëri dhe jo populizëm edhe importim i fuqisë punëtore.
Së fundmi, duke pasur parasysh perspektivat demografike, pensionet duhet të inkurajojnë daljen në pension të mëvonshëm dhe të sigurojnë që perceptimet e marrëdhënies aktuariale midis kontributeve dhe përfitimeve të përputhen me realitetin.