Buxheti 2025
9.6 miliardë lekë për burgjet, risia sistemi Anti-Dron
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose ishte dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë për të folur mbi buxhetin e vitit 2025. Qose tha se investimi në infrastrukturë është shumë e rëndësishme për të rritur sigurinë. Buxheti për sektorin e burgjeve pritet të rritet me 457 milionë lekë më shumë se një vit më parë.
Buxheti për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për vitin 2025 është parashikuar të arrijë në 9.6 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 5.2%, ose 457 milionë lekë më shumë krahasuar me vitin 2024. Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, bëri të ditur se 92% e këtij buxheti do të përdoret për shpenzime korente, ndërsa 7.4% do të jetë për shpenzime kapitale. Ndër projektet kryesore për vitin 2025 është parashikuar instalimi i një sistemi anti-dron me një fond prej 160 milionë lekësh, si dhe ndërtimi i paraburgimit të Kukësit me një investim prej 240 milionë lekësh. Qose theksoi se janë parashikuar gjithashtu 700 milionë lekë për investime kapitale, që përfshijnë pajisje të ndryshme për sistemin e burgjeve me vlerë 31.1 milionë lekë, blerjen e automjeteve dhe ambulancave me një fond prej 77 milionë lekësh, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës nëpër burgje me një investim prej 161 milionë lekësh. Janë planifikuar gjithashtu 15 milionë lekë për studime dhe projektime, si dhe 12 milionë lekë për mirëmbajtjen e serverëve. Qose shtoi se për të përmirësuar sigurinë në burgjet e Drenovës dhe Peqinit është kërkuar një fond limit prej 812 milionë lekësh. Gjithashtu, për sistemin e mbrojtjes ndaj tentativave për arratisje përmes pajisjeve teknologjike është kërkuar një investim prej 550 milionë lekësh, i cili do të ndahet në dy faza, ku faza e parë do të mbulojë 6 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale, ndërsa faza e dytë do të mbulojë 9 të tilla. Për periudhën 2025-2027, tavanet buxhetore të parashikuara për sistemin e burgjeve janë 9.6 miliardë lekë për vitin 2025, 9.1 miliardë lekë për vitin 2026 dhe 9.2 miliardë lekë për vitin 2027. Sipas Qoses, tavanet aktuale janë të ulëta, si për shpenzimet operative ashtu edhe për ato kapitale, duke kërkuar një shtesë mbi tavane për shpenzimet kapitale në vlerën e 1.90 miliardë lekëve. Në fund, sistemi anti-dron do të vendoset në burgjet me siguri të lartë si Burgu 313, Shkodër, Peqin, Korçë, Burrel dhe Fushë-Krujë, për të përmirësuar sigurinë dhe parandalimin e tentativave për arratisje.