26 nëntor 1912, si u shpall Pavarësia në Tiranë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ndërtesa historike ku u ngrit flamuri dhe u shpall Pavarësia më 26 nëntor 1912, në Tiranë. Ajo ka qenë ndërtesa e nënprefekturës dhe më vonë Kryeministri dhe Ministri e Brendshme; aty u vendos qeveria që shpalli Tiranën kryeqytet të përkohshëm, në 11 shkurt 1920. Kjo godinë është prishur rreth vitit 1930 për rregullimin urbanistik të zonës.

Më 26 nëntor 1912, në mëngjes, tellalli njoftoi popullin për t’u mbledhur tek sheshi i nënprefekturës

Muajt e fundit të vitit 1912 ishin vendimtarët për shqiptarët. Në tetor 1912, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Greqia i shpallën luftë Turqisë dhe në këtë mënyrë Lufta e parë Ballkanike kishte filluar. Më 24 tetor 1912, ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Shkupit dhe pjesës perëndimore të Kosovës, serbët kaluan luginën e Drinit dhe iu drejtuan Shqipërisë së Mesme. Ndërkohë, forcat malazeze kishin pushtuar Shëngjinin dhe kishin rrethuar Shkodrën bashkë me serbët, ndërsa trupat greke kishin pushtuar Himarën.

Në kushtet e rrezikut të copëtimit të Shqipërisë nga fqinjët ballkanikë, patriotët shqiptarë ndërmorën shpalljen e Pavarësisë. Ndërsa trupat e ushtrive ballkanike ishin sulur mbi trojet tona, një mbledhje e gjatë u zhvillua në nëntor, në shtëpinë e Abdi bej Toptanit. Aty morën pjesë Abdi Toptani, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Mit’hat Frashëri dhe Sali Gjuka. Ata vendosën të mbledhin krerët e Shqipërisë së Mesme, dhe në bashkërendim me patriotët e tjerë të shkonin në Vlorë, për të shpallur Pavarësinë kombëtare.

Ngritja e flamurit

Në Tiranë erdhi lajmi se ushtria serbe po afrohej me shpejtësi. Më 25 nëntor, populli u mblodh në Fushën e Shallvares, për të biseduar dhe për të vendosur se ç’do të bënin. Në mesditë u mor vesh se ushtria serbe kishte hyrë në Krujë. Nuk kishte më kohë. Më 26 nëntor 1912, në mëngjes, tellalli njoftoi popullin për t’u mbledhur tek sheshi i nënprefekturës. Ishin aty të gjithë shqiptarët, por edhe turkomanët. Siç tregon H. I. Dalliu, pikërisht për të mos shkaktuar konflikt me ta, Refik bej Toptani shprehu “keqardhjen” e ndarjes nga Turqia, ndërsa shpallte Pavarësinë: “Or vllazën! Me hidhrim të madh po ju tham se e pruë puna me u ndaë prej vllaznish tonë tyrq, dhe me e zbrit bejrakun ( flamurin) e atyne qi ka valuë ktu me qindra vjetsh, edhe me ngref qeveriën komtare e me ngrejtë flamurin e Shqipniës. Dhantë Zoti e u puqshim si sod gojë ndër gojë q’ashtu të mundemi m’e rujtë atdheun tonë nga të shkelunit e anmikut. Rroftë Shqipnija në vehte! Rroftë vllaznimi! Rroftë Flamuri kombtar!”

Populli i Tiranës, ose më mirë të themi shqiptarët, duartrokitën e lot gëzimi u derdhën. Kapiteni i xhandarmërisë, Hamid Borshi ngriti flamurin kombëtar në ndërtesën e nënprefekturës. Festa vazhdoi gjithë ditën.

Telegrami

Në 26 nëntor 1912, në orën 15.00, shpallja e Pavarësisë në Tiranë iu njoftua Ismail Qemalit në Vlorë, dhe firmëtarët ishin 11 vetë. Teksti i telegramit ka qenë si vijon: “Përfaqësuesvet të Shqipniës edhe Sh. Tija Ismail Qemal Beut, Vlonë. Tashti shpallëm independencën n’emën të Shqipniës. Kërkojmë e lutemi të ruhen të drejtat e pamohueshme t’independencës tonë. Nga përfaqësuesit e gjithë popullit të Tiranës: Fuat Bej Toptani, Refik Bej Toptani, Abdullah Gjinali, Xhelal Bej Toptani, Myderis Sulejman, Sheh Ahmet Pazari, Isuf Aqif Banka, Myderis Hysein, Myslim Beshiri, Selim Petrela, Papa Nikokolla Papajani” ( L. Nosi, Dokumenta Historike për t’i shërbye historiës tonë kombëtare, Nr. 2, Elbasan, prill 1924, f. 38).

Në orën 20.00 të asaj dite, përfaqësuesit e popullit të Tiranës nisën një telegram tjetër: “Popullit të ndershëm të Lushnjes, Peqinit, Beratit, Gjirokastrës e të gjithë Shqipniës. Ju apim lajmen e gëzueshme, se sot Tirana ngriti flamurin kombëtar edhe shpalli independencën n’emën të gjithë Shqipniës. Për me i premun hovin rrezikut të math në të cilin ndodhemi, me të shpejtë të shpallni independencën edhe aty, edhe t’i drejtoheni konsujvet të Shtetevet të Mëdha në Durrës. Presim me padurim t’a shpallni shpejt edhe të na epni lajmen e gëzushme tuajën. Përfaqësuesit e popullit: Fuat bej Toptani, Myderis Sulejman…, Xhelal bej Toptani, Myderis: Hysein…, Myderis: Ismail Ndroqi, Myslim Beshiri, Jusuf Elezi, Ali Shyqri…, Hysein…, Nikollë Nishku, Papa Nikolla Papajani ( Po aty, f. 39). Po ashtu, më 26 nëntor, u formua një Komision prej pesë anëtarësh: Fuat Toptani, Xhelal Toptani, Sheh Ahmet Pazari, Myslym agë Beshiri dhe Nikollë Nishku, për të shkuar tek komandanti serb në Krujë. Me një protestë të shkruar në frëngjisht, kërkohej që trupat serbe të mos marshonin për në Tiranë, sepse “është shpallur vetëqeverisja dhe Shqipëria është shtet neutral”.

Lexo edhe :  16 dhjetor 1941, ndërroi jetë studiuesi dhe patrioti Kristo Dako

Komandanti serb nuk e pranoi kërkesën e tyre dhe u tha se do të marshonte drejt Tiranës ( H. I. Dalliu, f. 88).

Rëfimi i Sheh Ahmet Pazarit

26 Nentori 1912 – Dita e flamurit në Tironë –

“Pikërisht, në seline turke, sot filiali i Bibliotekes Kombetare, në mes të një entuziazmi të paparë, ulet flamuri turk dhe ngrihet flamuri shqiptar. Populli i Tirones shtohej ne numer gjithnje edhe më shumë. Sheshi u mbush plot e për plot me njerez te ardhur edhe nga fshatrat perreth. Data 26 Nentor 1912 ishte për Tironën ngjarja me e rëndësishme dhe jetësore, pas 500-vjetesh të pushtimit otoman. Selia Turke pak nga pak po boshatisej dhe ush-taret turq po e linin Tironën për të shkuar drejt Semanit, te Fierit. Vendin e tyre po e zinin shqiptarët patriote, qe i bashkonte nje ideal, pavaresia e vendit te tyre. Ishte nje ngjarje rrenqethese, qe te mallengjente. Burrat shqiptarë, në sallë, derdhnin lot gezimi ne mes te ushtareve turq te armatosur deri ne dhembe, që po largoheshin. Keto momente ishin sa te gezueshme, aq dhe te guximshme nga ana e shqiptareve. Kokat e te gjithe te pranishmeve rrezikoheshin nga 17,000 forca turke dhe serbe. (Këtë ngjarje historike dhe kaq emocionuese, ma tregon babai im, Sheh Ali Pazari, prezent në atë sallë patriotesh.) Kryetar komisioni zgjidhet Sheh Ahmet Pazari. Anetare te tij jane: Myslym Ag Beshiri, Myslym Myderrizi, Fan Koja, Nikoll Nishku, Spiro Politoqi”.

 Nga libri i Sheh Muamer Pazarit: Gjeneza e Tarikatit te Larte Halveti – Sheh Ahmet Pazari.

26 Nëntor 1912 – Tirana shpall pavarësinë!

Fragment – Patriotizma në Tiranë (1930) nga Hafiz Ibrahim Dalliu

Në 26 të Nanduerit, dulë tellalli në mëngjes e u mblodh populli në fushë të prefekturës, ku majti Z. Refik Toptani, këto fjalë të mallënjyeshme: ”Or vllazën! Me hidhërim të madh po ju tham se prue puna për me u nda prej vllaznish tone tyrq(*) dhe me zbrit bejrakun e atyne qi ka value ktu me qindra vjetsh, dhe me ngref qeveriën komtare e me ngrejt flamurin e Shqipnis. Dhantë zoti e u puqshim si sod goj ndër goj, q’ashtu të mundemi m’e rujtë atdheun t’onë nga të shkelunit e anmikut. Rroftë Shqipnia më vehte! Rroftë Vllaznimi! Rroftë flamuri komtar!”

Shqiptarët e duertrokitën me lot gëzimi, dhe halldupët(1) me vaj në buzë gërthitën: Rroftë…

Mbasi e vari flamurin kapidan i xhandarmariës Z. Hamid Borshi, me nji drue dyngjzerësh, u lajmërue me telegraf, Durrësi, Elbasani, Berati dhe Vlona. Populli u sullë qark tregut tue ba shënllëk me aheng dhe e priti liriën si shpëtimtare e u betue dhe lidhi besë te Rrapi i Tabakhanes mos me bartë armë, mos me vjedhë, mos me vra dhe mos me i perkrahë vrassit dhe kusarët”.

 

Të fundit

“Dush i ftohtë” për qeveritarët skocezë, u ndalohet përdorimi i Whatsapp

Skocia ndërmori vendimin drastik duke ndaluar përdorimin e aplikacioneve të mesazheve virtuale duke përfshirë edhe WhatsApp. Ky kufizim do...

Skadon “Air Albania”/ Stadiumi i Kombëtares shumë shpejt me një emër të ri

Në ditën e sotme, stadiumi i Kombëtares Shqiptare ka pastruar shkrimin "Air Albania", emri me të cilin titullohej arena e skuadrës sonë. Siç shihet nga...

Myrto Uzuni bën “ligjin” me Granadën/ Sulmuesi shqiptar dopietë ndaj Cartagjenës

Myrto Uzuni po vazhdon të impresionojë në fushën e lojës duke prodhuar gola të rëndësishëm për skuadrën e tij Granada. Sulmuesi shqiptar ka shënuar një...

Idajet Beqiri: Berisha s’duhet të lirohej nga arresti në shtëpi, mund të prish provat

‘Dumani u shpall ndër më të mirët për luftën kundër korrupsionit dhe SHBA e ka marr në mbrojtje’, kështu është shprehur avokati Idajet Beqiri lidhur me...

Italia me “dorë të hekurt”/ Nga viti 2025, në Milano ndalohet duhani në vendet e hapura

Duke nisur nga viti 2025, Milano do të ndalojë qytetarët që konsumojnë duhan në ambiente të hapura. Sipas medieve kombëtare, bashkia e Milanos, në kuadër...

Lajme të tjera

Web TV