Kryetari i PD-së, Sali Berisha, pasi fitoi lirinë, duke lënë pas “arrestin shtëpiak” për 331 ditë tashmë do i duhet të bëjë një betejë të fortë politike sa në Parlamnt ashtu edhe në takim me qytetarët. Cila pritet të jetë strategjia e Berishës dhe “mungesa e justifikimit” nëse opozita humbet zgjedhjet.
Ish-kryeministri Sali Berisha, pas lirimit nga masa e arrestit do t’i kthehet jetës normale, edhe pse nuk i ka mbyllur llogaritë me institucoinet e drejtësisë. Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka lënë të lirë, duke i hequr masën “arrst shtëpie” dhe caktuar “detyrim paraqitje”, por SPAK po bëhet gati për të dërguar çështjen e “lirimit” të tij në Apelin e GJKKO-s. Gjasat janë që Berisha të gjykohet në gjendje të lirë, duke dhe që nga tani të fillojë fushatën elektorale dhe të dalë në krye të protestave, duke lënë shtëpinë që qëndronte për 11 muaj. Që në daljet e para, pas vendimit të GJKKO-së, ku Berisha falenderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe administratën e Trump dhe gjyqtaren Flojera Davidhi, deklaroi vendosmërinë e tij për t’u rikthyer plotësisht në jetën aktive politike. Ky zhvillim i fundit shënon një pikë kthese për Berishën dhe për opozitën shqiptare, pasi ai tashmë ka lirinë e plotë për të drejtuar aksionin politik kundër qeverisë aktuale, si në Parlament ashtu edhe në terren, përmes një sërë protestash dhe tubimesh masive, të cilat ai ka premtuar se do të zhvillohen në vijim. Berisha ka bërë të qartë se beteja e tij nuk është vetëm elektorale, por edhe një përpjekje për të mobilizuar qytetarët kundër asaj që ai e cilëson si “një qeverisje e korruptuar dhe autoritare”. Ai ka paralajmëruar një strategji të dyfishtë: nga njëra anë, një betejë e ashpër parlamentare për të sfiduar mazhorancën dhe për të denoncuar praktikat në konflikt me ligjin, që sipas tij, po dëmtojnë vendin; nga ana tjetër, një mobilizim masiv në rrugë për të ngritur zërin e qytetarëve të pakënaqur dhe për të kërkuar llogaridhënie nga qeveria. Lirimi i tij nga masa e arrestit ka dhënë një shtysë të re për të gjithë opozitën, e cila po kërkon të përfitojë nga ky moment për t’u organizuar më mirë dhe për të shtuar presionin ndaj qeverisë. Berisha mbetet një figurë polarizuese, por ai ka treguar se është i gatshëm të udhëheqë këtë betejë me gjithë forcën dhe energjinë e tij.
Fushata elektorale dhe Parlamenti
Nëse nuk do të ndodhë asgjë deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, ish-kryeministri Sali Berisha do të drejtojë dhe do të përqendrohet tek fushata elektorale dhe tek protestat kombëtarë, duke premtuar një opozitë të fortë dhe një vizion të qartë për ndryshimin e vendit. Ai është shprehur se synon të ripërtërijë besimin e qytetarëve te opozita, duke shtruar një platformë që përfshin luftën kundër korrupsionit, rritjen ekonomike dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve të thjeshtë. Në Parlament, Berisha dhe deputetët opozitarë pritet të jenë të zëshëm dhe të “paduruar” në denoncimin e politikave që, sipas tyre, janë të dëmshme për zhvillimin e vendit. Ndërsa PD ndihet më e çliruar dhe me ca më shumë shpresë se mund tia dalin të fitojnë zgjedhjet, liria e Berishës ka edhe një tjetër anë që nuk i vlen opozitës për “alibi” të një humbjeje të mundshme. Nëse PD dhe partitë e tjera opozitare humbasin zgjedhjet I pari Berisha nuk do të ketë “arsye” për të justifikuar dështimin që do jetë I katërti radhazi, gjithnjë përballë Ramës që nga viti 2013. Alibie se “opozita u burgos” me një lider arrest shtëpie dhe një tjetër në qeli (rasti i Ilir Metës) bie para çdolloj justifikimi. Madje lirimi i Berishës duket sikur ka çliruar edhe Edi Ramën, duke haqur barrën se “zgjedhjet i fitoi pasi burgosi opozitën”. Në kushte të tilla lideri i opozitës duhet të rishpikë veten ku tashmë në moshën 80-vjeçare do i duhet të përballojë një fushatë mjaft intensive dhe mbi të gjitha nuk i lejohet të përdorë asnjë justifikim nëse zgjedhjet humben nga opozita dhe Rama vijon me mendatin e katërt.