Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, deklaroi dje se nga hetimet e kryera mbi organizatat kriminale, ka rezultuar se zyrtarë janë përfshirë në grupet kriminale në afera korruptive, madje duke qenë në shumë raste edhe pjesë e tyre.
Dumani kërkoi më shumë bashkëpunim nga institucionet shtetërore në denoncimin e rasteve korruptive, ndërsa theksoi se një pjesë e mirë e suksesit të punës së tyre vjen nga bashkëpunimin ndërkombëtar me institucionet ligjzbatuese.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ka paralajmëruar për rrezikun e lidhjeve të zyrtarëve të lartë me krimin e organizuar. Drejtuesi i Prokurorisë Speciale, (SPAK), Altin Dumani ngriti shqetësimin se në të gjithë hetimet e kryera me objektiv krimin e organizuar janë gjetur lidhje me zyrtarë të cilët janë korruptuar dhe akoma më rëndë janë bërë pjesë e grupeve kriminale. “Një shtyllë e suksesit të SPAK ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar.
Në të gjitha hetimet tona ku në fokus ka qenë krimi i organizuar kemi gjetur lidhje të këtij të fundit edhe me zyrtarë të cilët janë korruptuar apo janë bërë pjesë e grupeve të krimit të organizuar. SPAK nuk mund të luftojë i vetëm korrupsionin dhe ka nevojë për bashkëpunim. I kemi bërë thirrje dhe shprehim gatishmërinë për bashkëpunim”, tha Kreu i SPAK në takimin e Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Europës.
Duke u ndalur në sekuestrimin e pasurive që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Dumani tha se që nga ngritja e SPAK dhe deri më tani janë sekuestruar asete në vlerën 150 milionë euro. “Krahas ushtrimit të ndjekjes penale, në fokus të SPAK është edhe identifikimi dhe konfiskimi i produkteve te veprës penale si për subjekte që janë ndjekur penalisht për veprën penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga data e krijimit të SPAK deri ditën që flasim kemi sekuestruar një total asesh 150 mln euro”, tha Dumani.
“Sa i takon luftës kundër korrupsionit SPAK ka ushtruar ndjekjen penale ndaj përfaqësuesve të ndryshme të pushtetit ekzekutiv, anëtarëve të kuvendit gjithashtu edhe me pushtetin gjyqësor, avokatë, gjyqtarë dhe funksionarë të policisë së shtetit, dhe për kryetarë apo ish kryetarë bashkish. Kemi bërë të mundur të godasim organizata kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike”, tha kreu i SPAK.
Ai tha se Prokuroria e Posaçme ka marrë informacion nga vepra të ndryshme penale nga media, apo nga shoqëria civile apo qoftë edhe nga politika me denoncimet e bëra”, tha Dumani. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi që të ruhet pavarësia e institucionit që ai drejton, për të vijuar punën e mirë që sipas tij po bëhet në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Përpara nesh ka shumë sfida dhe përparësi. Në mënyrë të përsëritur SPAK ka paraqitur në KLP dhe Kuvend disa shqetësime që shpreson të gjejnë zgjidhje ligjore nga Kuvendi. Sfida e parë është ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK. Aktualisht kemi një kornizë ligjore që siguron këtë dhe besoj se kjo pavarësi është një ndër shkaqet që SPAK ka filluar të jetë i suksesshëm në ndjekjen e veprave penale”, tha Dumani në një takim me përfaqësues të komisionit të monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Gjatë takimit, Dumani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke vënë në dukje se hetimet proaktive të SPAK kanë evidentuar korrupsionin e zyrtarëve në nivele të ndryshme të administratës, të cilët janë përfshirë apo kanë bashkëpunuar me grupe kriminale. “SPAK duhet të fokusohet në çështjet më të ndjeshme dhe më të vështira për t’u hetuar,” deklaroi Dumani, duke nënvizuar se lufta kundër korrupsionit nuk mund të realizohet vetëm nga ky institucion, por kërkon një bashkëpunim të gjerë ndërinstitucional.
Në këtë kontekst, kreu i SPAK tha se prokuroria speciale ka përmirësuar ndjeshëm kapacitetet e saj teknologjike dhe njerëzore, duke përfshirë krijimin e një laboratori modern përgjimesh dhe ekspertize kriminalistike. Dumani njoftoi gjithashtu se deri në fund të vitit, SPAK do të përfaqësojë rolin e Komisionerit Publik në rastet e ankimeve ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për procesin e Vettingut.
Sekuestrimi i aseteve
Një nga arritjet më të mëdha të SPAK është sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve të paligjshme me vlerë 150 milionë euro që nga krijimi i institucionit. Dumani tha se rezultatet janë fryt i bashkëpunimit të ngushtë me agjenci ndërkombëtare të zbatimit të ligjit. “Krahas ushtrimit të ndjekjes penale, për zyrtarët e lartë, në fokus të SPAK është edhe luftë kundër krimit të organizuar.
Gjithashtu është identifikimi dhe konfiskimi i produkteve te veprës penale si për subjekte që janë ndjekur penalisht për veprën penale të korrupsionit dhe subjekte të krimit të organizuar. Nga data e krijimit të SPAK, deri në ditën që flasim kemi sekuestruar një total asetesh 150 milionë euro. Prokuroria e Posaçme ka marrë informacion nga vepra të ndryshme penale nga media, apo nga shoqëria civile apo qoftë edhe nga politika me denoncimet e bëra”, tha Dumani.
Ai theksoi se nga viti 2020 deri më sot janë krijuar 32 skuadra të përbashkëta hetimore, nga të cilat 25 janë ende aktive, duke ndjekur çështje që variojnë nga trafiku i drogës deri te pastrimi i parave dhe krimet e dhunshme. “Falë këtyre bashkëpunimeve, kemi goditur grupe kriminale që operonin si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë,” shtoi Dumani.
Hetimet e SPAK kanë përfshirë një gamë të gjerë zyrtarësh, përfshirë ish-zyrtarë të lartë, drejtues të pushtetit vendor dhe ish-kryetarë bashkish. “Numri i të paraburgosurve me kërkesë të SPAK është më pak se 9%, por kjo nuk zvogëlon rëndësinë e rezultateve tona,” u shpreh Dumani, duke theksuar që qasja e SPAK bazohet në transparencë dhe efikasitet.
Bashkëpunimi ndërkombëtar
Dumani vuri në dukje se SPAK ka arritur të forcojë bashkëpunimin me shumicën e vendeve të Bashkimit Europian, gjë që ka ndihmuar në identifikimin dhe goditjen e rrjeteve të fuqishme kriminale. “Pavarësia institucionale dhe mbështetja ndërkombëtare janë elemente kyçe për suksesin tonë,” përfundoi ai. Deklaratat e Dumanit tregojnë qartë nevojën për një përpjekje të koordinuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe rëndësinë e forcimit të institucioneve për të garantuar drejtësinë dhe transparencën.
Statusi i prokurorit
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani gjatë fjalës së tij u ndal edhe te statusi i prokurorit, duke e ngritur si një shqetësim, pasi përfundon mandati 9-vjeçar. Dumani u shpreh se propozon që këtyre prokurorëve t’u jepet mundësia që të rikandidojnë sërish për të qenë pjesë e kësaj strukture, dhe jo t’i zgjatet mandati.
“Një shqetësim i bërë publik është mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorit pas përfundimit të mandatit të tyre. Mandati është 9 vite dhe pas 9 vite Prokurorët e SPAK kthehen në vendin ku kanë qenë më parë. Ne kemi propozuar ndryshimet e nevojshme për të rishikuar dhënien e mundësisë që të rikandidojnë për të vazhduar të jenë prokurorë të SPAK dhe jo zgjatje automatike të mandatit”, tha ai.