Buxheti 2025 kaloi me 75 vota pro të mazhorancës dhe 24 kundër të opozitës. Përgjatë debateve të zhvilluara ditën e djeshme opozita paraqiti 55 amendamente që kishin të bënin me propozime për rritjen e pensioneve dhe mbulimit të shpenzimeve për të sëmurët me kancer, por që të gjitha u rrëzuan nga deputetët e PS-së. Ministri Malaj: Amendamentet e kthejnë në buxhet piramidal.
Mazhoranca e ka kaluar në tërësi me 75 vota pro dhe vetëm 24 kundër të opozitës buxhetin 2025. Në një seancë të gjatë ku pati debate dhe diskutime mbi buxhetin mazhoranca ishte e vendosur për ta kaluar me forvcën e kartonit, duke rrëzuar çdo amendament të opozitës dhe nuk ishin pak por 55 të tillë.
Ishin 55 amendamente në total të propozuara nga deputetët e opozitës, të PD dhe Partisë së Lirisë, dhe Alibeajt, por u rrëzuan të gjitha, pasi konsiderohen nga maxhoranca socialiste si të panevojshme, por dhe si provokim politik. Ndërsa Ministri i Financave Petrit Malaj tha se këto amendamente do ta kthenin atë në një ‘buxhet piramidal’.
Opozita e kishte menduar edhe mënyrën sesi do të qasej kryetari i tyre Sali Berisha në seancën e djeshme, kur pas një mungesë të gjatë prej gati një viti pasi ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për aferën “Partrizani” Berisha erdhi me dy amendamente të propozuara. Më pas në seri të gjithë propozimet u rrezuan duke e çuar në 55 numrin e amendamenteve të rrëzuara nga mazhoranca.
Asnjë prej tyre nuk u mor në konsideratë. Sipas ministrit të Financave nëse do të merreshin në konsideratë amendamentet kërkonin një shtesë ekstra në buxhet ku për propozimet kryesore shkonin deri në 300 milionë euro. Kartonët e kuq të socialistëve u ngritën edhe për 11 amendamentet e PL-së dhe të opozitës.
Me 77 vota u rrëzuan 2 amendamentet e propozuara nga PD për të pezulluar të gjitha prokurimet për investime publike dhe shpenzimet luksi deri në momentin për caktimin e minimumit jetik, për të cilën deputeti i PD-së Flamur Noka propozoi 200 euro. U rrëzua edhe amendamenti i PD-së për rimbursimin e parukeve dhe protezave të gjirit.
Pikat më kulminante ka qenë përplasja e deputetëve të PD-së, Ina Zhupa me Edmond Spahon me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu dhe përplasja e deputetit Bledion Nallbati me ministrin Petrit Malaj.
Deputetet demokratë i kërkuan ministres Manastirliu dorëheqjen pas vrasjes së 14-vjeçarit nxënës i shkollës “Fan Noli” në Tiranë, i cili u sulmua me thikë nga bashkëmoshatari i tij pas një konflikti në oborrin e shkollës. Si kundërpërgjigje Manastirliu u kujtoi majin e vitit të ardhshëm duke nënkuptuar humbjen e opozitës në zgjedhje.
Në buxhet janë parashikuar 825 miliardë lekë që do të jenë në dispozicion të institucioneve për tu shpenzuar për shërbime shëndetësore, për paga, për skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, sigurinë, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Deputetët e PS-së që morën fjalën vlerësuan buxhetin si një nga më të mirët si përsa i përket vlerës ashtu edhe shpërndarjes.
Meggjithatë deputetja Jorida Tabaku akuzoi nga foltorja e Parlamentit qeverinë dhe mazhorancën se ka lënë pas dore dy nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, si Industria fasone dhe Bujqësia, teksa bizneset duhen rimodeluar dhe ndihmuar, pasi po falimentojnë, edhe për shkak të zhvlerësimit të euros.
Tabaku kritikoi buxhetin e propozuar dhe kërkoi përfshirjen e amandamentit të saj për zhvlerësimin e euros në treg, me qëllim dhënien e ndihmës së industrisë dhe bujqësisë, për të shmangur falimentimet e mëtejshme.
“Këtë buxhet nuk e ndjen askush përveç qeveritarëve, shqiptarët janë më të pambrojturit”, tha Tabaku ndër të tjera. Ajo bëri thirrje në sallën e Parlamentit që të merrej parasysh amendamenti dhe propozimet. Pavarësisht fjalës dhe thirrjes së saj, mazhoranca e rrëzoi me 69 vota kundër, zero abstenime dhe vetëm 16 pro amendamentin e saj për tregun e zhvlerësimit të euros.
“Si ka mundësi që këtë buxhet të madh s’e ndjen askush, as qytetarët, as bizneset, përveç qeveritarëve sigurisht. Kur e krahasojmë me rajonin, shqiptarët mbeten më të pambrojturit. Shumë sektorë po vuajnë si rezultat i zhvlerësimit të euros. Më i prekuri ai i fasonerisë me peshë 30 për qind të eksporteve dhe mbi 70 mijë të punësuar. Janë mbyllur kompani të shumta, shifra alarmante në të gjithë vendin në këtë sektor.
Industria është sektori i dytë që e reflekton këtë krizë. Rezultat i informalitetit dhe parave të pista, janë dëmtuar rëndë. Këto biznese nuk kanë fitim, çfarë do ngrijë qeveria për taksën e tatim-fitimit. Këto sektorë duhen ndihmuar.
Ndihma për këtë industri është për 70 mijë familje shqiptare që mund të hidhen në rrugë. Koncepti i tyre është vetëm panairet, këto tre sektorë janë shëmbëlltyrat më të mira për këtë vend dhe janë lënë pas dore…”.