Përplasja/ Mandati i Xhaçkës, Venecia foli, por vulën e vendos PS

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Komisioni i Venecias hodhi dritë mbi çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, por fati i raportit mbetet në dorën e mazhorancës. Të dyja forcat më të mëdha politike PS dhe PD kanë bërë një luftë interpretimesh në Kuvend, por nuk kanë vendosur ende asgjë. Shenjat janë dhënë nga PS për ta mbrojtur ish-ministren Xhaçka deri në fund të mandatit.

Debati për mandatin e deputetes Olta Xhaçka vijoi të përplasë mazhorancën dhe opozitën në Kuvend, duke ngritur pyetje mbi autonominë parlamentare dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Opinioni i Komisionit të Venecias shërbeu si bazë për argumentet e të dyja palëve, por interpretimi i tij u trajtua në mënyra të ndryshme. Opozita këmbënguli se mazhoranca po shmang zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe se mandati i Xhaçkës duhej të ishte referuar asaj. Gazment Bardhi dhe Sali Berisha e cilësuan situatën si një shembull të mungesës së respektit ndaj Kushtetutës, duke akuzuar socialistët për shkelje të procedurave dhe favorizime politike. Bardhi theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme dhe nuk duhet të kushtëzohen nga vullneti i shumicës parlamentare. Ai vuri në dukje se rasti i Xhaçkës është përmendur disa herë në opinionin e Komisionit të Venecias, i cili sipas tij i jep të drejtë opozitës për të kërkuar drejtim të çështjes në Kushtetuese. Opozita Prej dy vitesh kërkon heqjen e mandatit të deputetës dh eish-ministres Olta Xhaçka, pasi e konsideron se ka shkelur kushtetutën e vendit duke përfituar prona publike dhe është në konflikt të pastër interesi. Bëhet fjalë për një pronë në Himarë ku bashkëshorti I saj Artan Gaci u shpall nga qeveria si “investitor strategjik”, për ndërtimin e një kompleksi turistik. PS përdori metoda “ekstra ligjore” në këtë rast, duke votuar për të mos dërguar në kushtetuese çështjen Xhaçka, ndonëse kishte një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila shprehej se Parlamenti duhet të niste për intepretim në këtë institucion mandatin e Xhaçkës. Nga ana tjetër, mazhoranca mbrojti qëndrimin e saj, duke theksuar se ka respektuar parimet e ndarjes së pushteteve dhe autonominë parlamentare. Duke iu referuar vlerësimit të Komisionit të Venecias i cili në thelb thekson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhen zbatuar, përsëri u kapën në interpretimin se Parlamenti nuk mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar. Deputetët Niko Peleshi dhe Klotilda Bushka vunë në dukje se çdo deputet ka të drejtën për të votuar lirshëm, siç parashikon Kushtetuta. Ata shprehën bindjen se opinionet e Komisionit të Venecias janë interpretuar në mënyrë të pjesshme nga opozita për të avancuar agjendat e tyre politike. Peleshi kritikoi ashpër opozitën për retorikën që, sipas tij, përpiqet të kthejë parlamentin në një gjyq publik. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, theksoi se çështja është trajtuar mbi baza juridike dhe jo politike. Ajo u shpreh se Komisioni i Venecias ka konfirmuar sovranitetin parlamentar dhe të drejtën e Kuvendit për të vepruar brenda kompetencave të tij. Spiropali shtoi se opinioni i Venecias duhej lexuar në tërësi dhe jo përmes frazave të shkëputura, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë institucionale. “Venecia tha, dhe foli qartë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese nëse Kushtetuta parashikon që një çështje shtrohet për votim, Parlamenti nuk mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar. Nuk bëhet politikë për një vendim gjykate dhe aq më tepër për Opinionin e Venecias që na vjen në ndihmë për trajtimin e këtyre rasteve. Opinioni ka 61 paragrafë dhe pa shkëputur fraza dhe për të kuptuar sensin e tij tërësor, duhet lexuar dhe rilexuar pa nxitim e me kthjelltësi, pa interesa dhe pasione politike, e për më tepër pa paragjykime dhe shpifje. Leximi në tërësi, konkluzionet e Opinionit dhe vetë deklarata për shtyp e Komisionit të Venecias qartësojnë mbi pyetjet që unë i drejtova; dhe në fakt do të kisha qenë më e lumtur që çështjen ta kishim zgjidhur brenda Shqipërisë dhe pa shkuar në Komisionin e Venecias. Kjo, sepse siç e konstatoi edhe Komisioni i Venecias, 1/5-a e deputetëve mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar papajtueshmërinë e mandatit të deputetit sipas përcaktimeve në ligj dhe këtë të drejtë nuk duhet t’i heqë apo mohojë kush”, tha ajo. Pavarësisht debatit, mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me raportin e Komisionit të Venecias dhe nëse ai do të përfshihet në vendimmarrjen përfundimtare. Megjithatë, opozita vlerëson se mazhoranca do të vazhdojë të ndjekë drejtimin e saj, duke vendosur sipas interesave të saj politike dhe duke shmangur referimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Të fundit

Katër planete ndriçojnë krah Hënës/ Hafizi: Ngjarje e rrallë, mund të zgjasë disa javë

Katër planete, Marsi, Jupiteri, Venusi dhe Saturni do të ndriçojnë krah Hënës dhe sipas fizikanes Mimoza Hafizi, është një...

Olta Xhaçka “harron” koleget për miqësitë e vjetra

Olta Xhaçka ka qenë ndër deputetet më të lakuara të muajve të fundit. Shkak për këtë kanë qenë pikërisht akuzat e Partisë Demokratike, që...

A do ta ndryshojë Donald Trump marrëveshjen e armëpushimit Izrael-Hamas?

Fati i marrëveshjes për armëpushimin në Gaza varet nga presidenti i ardhshëm amerikan, Donald Trump. Analistët mendojnë se natyra e tij e paparashikueshme mund...

Njihuni me 4 shenjat më të ndjeshme të horoskopit

Disa shenja të zodiakut, sipas astrologëve janë më të ndjeshme se pjesa tjetër. Disa shenja të zodiakut, sipas astrologëve janë më të ndjeshme se pjesa...

Skema e re, kredi e lirë për biznesin e vogël dhe të mesëm! Do të përdoret për investim

Bizneset e vogla dhe të mesme do të marri kredi me norma interesi të favorshme pranë bankave tregtare. Banka e Shqipërisë ka miratuar programin...

Lajme të tjera

Web TV