Bashar al Assad dërgoi me avion rreth 250 milionë dollarë në Moskë midis 2018-2019, raporton Financial Times.
Sipas mediave të huaja, të dhënat e para nga gazeta tregojnë se banka qendrore e Sirisë ‘fluturoi’ gati dy ton kartëmonedha 100 dollarëshe dhe kartëmonedha 500 euro në Rusi dhe paratë u depozituan më pas në bankat ruse të sanksionuara.
Transferimet erdhën në një kohë kur Siria u bë e varur nga mbështetja ushtarake e Kremlinit dhe pasi Moska vendosi trupat e saj në Siri në vitin 2015, shkruan A2 CNN.
David Schenker, i cili ishte ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet e Lindjes së afërt nga viti 2019 deri në 2021, tha për The Financial Times se transferimet nuk ishin “të habitshme”.
Ai tha gjithashtu se Assad dërgonte rregullisht para për “një kombinim të sigurimit të fitimeve të tyre të paligjshme dhe trashëgimisë së Sirisë jashtë vendit”.
Moska është një mbështetëse e vendosur e regjimit të Asadit dhe në vitin 2015 ndërhyrja e Vladimir Putinit në luftën civile siriane ndihmoi në mbështetjen e Asadit, shkruan A2 CNN.
Nga ana tjetër, regjimi i Asadit ka lejuar Rusinë të strehojë dy baza ushtarake në Siri – bazën detare Tartus dhe bazën ajrore Hmeimim – të cilat janë një pjesë integrale e pranisë ushtarake të Kremlinit në zonë./e.t