Shqipëria dhe Kosova, dy shtete të të njëjtit komb, duhet të mbështesin njëra-tjetrwn. Kjo ishte simbolika e takimit të dytë të kuvendeve përkatëse në Prishtinë, ku shtetarët ndanë kërkesa, këshilla dhe qëndrime.
Kryearlamentarët Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali folën për rëndësinë e bashkëveprimit në zgjidhjen e konflikteve rajonale si dhe bashkimit të dy vendeve.
Duke i folur Kosovës dhe jo Albin Kurtit, shefi i qeverisë shqiptare Edi Rama shprehu dëshirën që bashkimi i tyre të ndodhë në Bruksel. Por për këtë ai këshilloi Prishtinën që më parë duhet të fitojë besimin e ndërkombëtarëve.
Pasi shprehu habinë se përse nuk është bërë deri tani, Kryeministri Edi Rama i propozoi Kuvendit të Prishtinës që të miratojë një rezolutë për procesin në Hagë ndaj ish-drejtuesve të shtetit të Kosovës, me premtimin që do ta ratifikojë edhe ai i Tiranës.
Rama nuk e fshehu që në fjalimin e tij është kujdesur të mos ndërhyjë në fushatën zgjedhore të Kosovës, ndërsa tonet e homologut Albin Kurti tingëllonin tipike të një politikani në prag të një sfide elektorale.
Pa e shprehur si kritikë, por duke përdor si Rama strategjinë e këshillës, Albin Kurti ftoi Tiranën që të ndjekë shembullin e Kosovës për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve në Serbi.
Edhe pse një takim vëllazëror, nuk munguan kritikat e opozitës së dy parlamenteve ndaj kryeministrave respektivë, Gazment Bardhi ndaj di Ramës dhe Ramush Haradinaj ndaj Albin Kurtit.
Gjatë mbledhjes, tërhoqën vëmendjen mediatike edhe shkëmbimet e mesazheve mes dy kryeministrave, teksa qëndronin në distancë të afërt nga njëri-tjetri. Në përfundim, dy kuvendet dolën me një deklaratë të përbashkët./e.t