I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, Durim Bami vijon të mbahet i arrestuar në Dubai prej më shumë se një muaji e gjysmë teksa po zhvillon një betejë të fortë me autoritetet atje me qëllim pengimin e ekstradimit. Përmes avokatëve, ai ka marrë dosjen e SPAK në të cilën rezulton edhe si i dyshuar për kryerjen e veprave penale, por edhe në shënjestër të grupeve kriminale.
Beteja e tij me drejtësinë atje pritet të jetë e fortë, për shkak se Durim Bami rrezikon dëbimin, sikurse ndodhi me Plarent Dervishajn, i cili pas vitesh qëndrimi i strehuar në Dubai, u deportua në Shqipëri. Sipas gazetares Klodiana Lala, më datë 24 dhjetor është planifikuar të zhvillohet seanca e radhës ku edhe do të vendoset për fatin e Bamit.
Ai akuzohet nga SPAK për krijim të kushteve për të kryer vrasje si dhe grup kriminal. Gjithashtu, ai kërkohej me çdo kusht nga grupi i drejtuar nga ish-deputeti spcialist Arben Ndoka për tu vrarë, pasi ai e dyshonte për ekzekutimin e vëllait Aleksandër Ndoka./K.B