Evis Kushi, e ftuar në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, u pyet nëse do e jepte dorëheqjen nëse do të ishte në vend të ministres aktuale të Arsimit, Ogerta Manastirliu, pas protestave të prindërve pas vrasjes së 14-vjeçarit, nxënës i shkollës “Fan Noli”.
“Këto pyetjet me sikur… Nuk mund të imagjinohet një situatë e caktuar. Unë tani kam një rol tjetër, kam një detyrë tjetër, jam deputete dhe nënkryetare e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik.
Natyrisht që gjithçka që ndodh me arsimin është në zemrën time dhe në interesin tim, por jam e angazhuar edhe me shumë aktivitete të tjera”, u përgjigj deputetja socialiste, ish-ministre e Arsimit.
“Në gjykimin tim, ministrja Manastirliu është përshtatur shumë shpejt me Ministrinë e Arsimit, pas një përvoje të gjatë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjitha projektet e reformat që kishin nisur po vijojnë me ritme të shpejta.
Kështu që, unë mendoj se ministrja Manastirliu e ka edhe përgjegjshmërinë, edhe aftësinë, edhe pasionin për të çuar përpara punën e qeverisë në fushën e arsimit”, shtoi Kushi. / S,M