Nuk do të jenë vetëm pensionistët, ata që përfitojnë shpërblim në fundvit, por edhe disa kategori punonjësish që janë pjesë e administratës publike.
Qeveria ka rishikuar buxhetin e vitit 2024 me akt normativ, ku përveç bonusit të pranverës për pensionistët ka përcaktuar shpërblim edhe për një kategori të caktuar punonjësish të administratës. Në tabelat që shoqërojnë buxhetin e këtij viti është përcaktuar një fond prej 120 milionë lekë për “Shpërblim punonjësve mbështetës të administratës publike”.
Burime bëjnë të ditur se në këtë kategori do të përfshihen shoferët, sanitaret, punonjësit e arkivit dhe protokollit. Edhe pse fondi i vendosur në dispozicion është përcaktuar në rishikimin e buxhetit nuk bëhet ende e ditur shuma sesa do të përfitojnë kjo kategori punonjësish të administratës. Por ky nuk është ndryshimi i vetëm që i është bërë buxhetit të këtij viti.
Qeveria ka ulur fondin për bujqësinë dhe gjithashtu i ka dhënë një fond prej 2 mld lekë në formën e kredisë “Albcontrolit”, ka shtuar ndjeshëm fondet për transportin rrugor, si dhe ka caktuar 173.3 milionë lekë për 6 bashki (Divjakë, Durrës, Gjirokastër, Pukë, Shkodër e Vlorë) për “Rivitalizimin e tregjeve tradicionale”. Me këtë rishikim buxheti janë ulur ndjeshëm shpenzimet e institucioneve dhe janë hapur zëra të tjerë siç janë shpërblimet apo kredinë për Albcontrol.
Nëse pritej që 95 institucione do të shpenzonin 430.9 miliardë lekë, tashmë pritshmëritë janë shkurtuar me 12 miliardë lekë, dhe deri më 31 dhjetor 2024 ato do të harxhojnë 418.9 miliardë lekë. Ky akt normativ nuk ka prekur pritshmëritë për të ardhurat dhe shpenzimet. Të ardhurat për këtë vit planifikohet të arrijnë 714 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet në 771.3 miliardë lekë./ S,M