Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u pyet nga gazetari Sokol Balla edhe për rritjen e çmimeve gjatë sezonit veror, për të cilën reagoi edhe kryeministri Edi Rama.
Ministrja tha se një gjë e tillë ndodhi vetëm në zonat e jugut, dhe jo në veri si Velipojë apo Shëngjin, që gjithashtu janë të preferuara nga turistët.
Sipas saj, një rritje e tillë e çmimeve ndodhi sepse “u prit bumi i jashtëzakonshëm i turistëve në hotele e plazhe dhe u gabua me profilin që u krijua nga vetë bizneset për turistët.”
Pjesa nga intervista:
Sokol Balla: Humbja e turistëve vendas…
Mirela Kumbaro: Nuk mendoj se ka humbje të turistëve vendas.
Sokol Balla: Kur shikojmë shifrat e çmimeve…
Mirela Kumbaro: Edhe shifra e çmimeve është abuzim që vjen shumë shpesh nga FB, ka çmime për të gjitha xhepat.
Sokol Balla: Reagoi edhe kryeministri për këtë…
Mirela Kumbaro: Në fakt, mendoj se tregu ka çmime për të gjitha xhepat. Kemi bërë punë, dhe duhet të vazhdojmë ta bëjmë një punë informimi dhe edukimi më të madh në raport me çfarë do me thënë çmim dhe ofertë tregu. E rëndësishme është që të ketë dy gjëra: transparencë të çmimeve, pra të mos shkojë të ulem në restorant dhe të marr një faturë surprizë. Nuk ka faturë surprizë.
Sokol Balla: Ka, si një turist i thekur ka raste të fatura të kripura të fshehura që ndodhin në vende si Spanja…
Mirela Kumbaro: Kudo ndodhin, sepse sofistikimi i tyre mund të jetë i avancuar. Por ne kur shkojmë të kërkojmë diçka pyesim në radhë të parë për çmimin. Nga ana tjetër, nëse kërkojmë një shërbim çmimi më të lartë duam një stacion plazhi me shezlong komod, dhe shërbim birre e fruta në çadër dhe më pas të jetë për çmimin e një shërbimi më modest, nuk kemi pse kërkojmë shërbim të një nivelit të lartë me çmim modest. E rëndësishme të mos kemi abuzime.
Sokol Balla: Ankesa është e kundërta, që këtu janë ofruar çmime të larta me shërbim modest. Kjo është puna e autoriteteve.
Mirela Kumbaro: Nuk më rezulton nga territori sepse ndërkohë nëse në një moment në një pjesë të Sarandës dhe Vlorës pati rritje çmimesh sepse u prit bumi i jashtëzakonshëm i turistëve në hotele e plazhe, u gabua me profilin që u krijua nga vetë bizneset për turistët. Që dmth hyjnë 11 milionë turistë, nuk do të shkojnë 11 milionë në plazh dhe të shtrihen të gjithë në shezllong. Kjo bëri që u ofrua më shumë, u ofruan më shumë shezlonge dhe stacione plazhi se sa kishte kërkesë për këtë. Kishte një llogaritje të gabuar dhe kjo rriti në një farë mënyre oreksin ose tundimin që për të justifikuar numrin e madh të shezllongëve të ofruar, u rrit çmimi. Nuk ndodhi kështu në Shëngjin, Velipojë, në Durrës, Kavajë. Nëse të tërë duam të shkojmë në Dhërmi, aty ka çmim më të lartë. Po të shkosh në Borsh, Qeparo, Himarë, çmimet ishin korrekte.
Sokol Balla: Unë dua të marr shembullin e Himarës, disbalancës midis asaj që afishohet dhe ofrohet. Ndenja dy herë në një hotel të njohur të Himarës, ku çmimet ishin jo të ulëta por shërbimi ishte super cilësor. Këto plazhet që thoni ju modeste ishin në bosh se plazhi luksoz.
Mirela Kumbaro: Në Dhëemi, midis dy cilësore ka një plazh publkc. Në të, gjithmonë shifja tre katër cadra. Të gjithë synonin te kjo, dhe më pas qahemi për cmimet. Pastaj them se është pak edhe çështje trendi, FB.
Sokol Balla: Kur reagon kryeministri, kjo tregon se kishte shqetësim real.
Mirela Kumbaro: Ishte ajo që thashë pak më parë në raport për disa prej plazheve. Por nuk u ngrit ky problem në pjesën tjetër të plazheve. Turizmi shqiptar tregoi se turizmi ishte edhe Korça, mali, lumenjtë. Ne nuk kemi pasur kurrë traditë për rafting në lumë. E kemi nisur para 5 vitesh me Osumin dhe sot kemi 4 lumenjt ku bëhet rafting. E paimagjinueshme. Sot kemi turizëm me shëtitje me kalë, jemi duke folur për tendenca të reja që shtojnë ofertën turistike./ S,M